Editorial

 A është Lulzim Basha lideri i liderëve të shumtë në opozitë?






               Publikuar në : 09:03 - 12/11/18 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Sot jam i ftuar në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji në Ora News, ku do të jetë në studio për të biseduar për çështjet më të rëndësishme të politikës kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Duke menduar se cilat janë çështjet që mund të diskutohen me Kryetarin e Partisë Demokratike, përtej problematikave që shqetësojnë shoqërinë shqiptare dhe aksionin opozitar, një çështje shumë e rëndësishme për opozitën politike sipas gjykimit tim, është pikërisht çështja e lidershipit të saj.

Mund të duket në këto momente se, përballë problematikave që ka sot Shqipëria, kjo është një çështje që nuk ka kurrfarë rëndësie. Por, në të vërtetë, është totalisht e kundërta. Lidershipi opozitar është një tematikë e cila ka nevojë të diskutohet dhe debatohet. Sepse, është në të mirë të opozitës dhe garës politike në vend, e cila shërben për përmirësimin e demokracisë dhe jetës politike në përgjithësi.

Prandaj, që një opozitë të jetë e shëndetshme, dhe e gatshme të marrë në dorë qeverisjen e vendit, që të ushtrojë presion pozitiv ndaj qeverisë, ka nevojë të padiskutueshme për një lidership të qartë dhe të fortë. Në këtë mënyrë, përgjegjësia dhe mesazhi politik përqendrohet në një person të vetëm, duke bërë kështu marrjen e përgjegjësisë, që është një nga kushtet thelbësore për të bindur qytetarët.

Mirëpo, në këtë moment, mesazhet politike janë të shpërndara në shumë figura politike të opozitës. Madje, në figura me peshë dhe personalitet të fortë politik. Të cilët, marrin pozicione politike nga situata ekstrapozicionale nga lideri de jure i opozitës, Lulzim Basha.

Për shembull, opozita sot, në opinion publik perceptohet si një palë politike me shumë liderë. Duke filluar që nga Sali Berisha, i cili vërtet thekson se është një deputet i thjeshtë, por me staturën dhe historinë e tij politike, do të linte në hije këdo që do merrte përsipër të drejtonte Partinë Demokratike. Kështu që, posti i deputetit të thjeshtë për Sali Berishën nuk ekziston. Nëse është prezent në opinionin publik, është i rëndësishëm dhe, të konkurrosh me protagonizmin e tij është e vështirë për këdo.

Po ashtu, në opozitë sot, edhe pse e një partie tjetër, është Monika Kryemadhi, e cila gjithashtu, shquhet për një temperament të fortë politik.

Së fundmi, u kthye në protagonist të opozitës, Presidenti Ilir Meta. Shumë nga mbështetësit të Partisë Demokratike, dhe zërave publikë afër saj, e ngritën aktin e Presidentit për mosdekretimin e Sandër Lleshajt si ministër të Brendshëm në piedestal. Duke e parë atë, si një goditje të fortë kundër mazhorancës dhe duke e kthyer Metën, edhe pse për pak ditë, në liderin e ri të opozitës.

Në këtë kuptim, opozita e sotshme përbëhet nga personalitete të forta politike dhe, që shpeshherë, shpërndajnë mesazhin politik në mënyrë autonome dhe të pakoordinuar me kryetarin e Partisë Demokratike. Mesazh i cili, për të qenë efikas dhe i besueshëm duhet të jetë një i vetëm dhe i përqendruar. Vetëm në këtë mënyrë, do të krijohet një alternativë e qartë opozitare. Sepse, nëse ka një gjë për të cilën ka nevojë politika për të qenë bindëse, është pikërisht qartësia dhe lidershipi. Edhe për faktin se, deri më sot, asnjë opozitë në botë nuk ka arritur të marrë pushtetin pa një lidership të qartë dhe të fortë.

Prandaj, duke parë kontekstin, pyetja legjitime që ngrihet është: A është Lulzim Basha lideri i liderëve të shumtë që gjenden sot në opozitë?

 


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas