Editorial, Kryesore

A është lajm i keq për Shqipërinë takimi Trump-Putin?

Nga Ervis Iljazaj

Takimi midis Donald Trump dhe Vladimir Putin i disa ditëve më parë, është nga ato takimet që me siguri do të ndryshojë politikën e jashtme amerikane, dhe si pasojë të gjithë koniunkturën gjeopolitike.



Janë pa fund artikujt, mendimet apo zërat me peshë ndërkombëtare në këtë fushë, që kanë theksuar se ky nuk ishte thjesht një takim i radhës midis dy liderëve, qoftë edhe rivalë deri në atë takim. Por, është një takim i cili do të ndryshojë rrënjësisht politikën e jashtme amerikane, të paktën deri sa në detyrë do të jetë Donald Trump.

Nëse është kështu, atëherë me siguri ekziston rreziku që ky takim të ketë një impakt të rëndësishëm për Ballkanin dhe Shqipërinë.

Duket sikur është një takim larg nesh, që nuk na prek në mënyrë të drejtpërdrejtë, por, në të vërtetë është një takim i cili mund të sjellë shumë edhe për fatin gjeopolitik të Ballkanit dhe të Shqipërisë.

Shqipëria ka qenë gjithmonë një aleat i rëndësishëm në rajon për Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas.

Ende është e paqartë se çfarë ndikimi konkretisht do të ketë ky takim për rajonin dhe Shqipërinë, por dyshimi mbetet. Dhe, në këtë kuptim, duhet të jemi të përgatitur për çdo zhvillim të ri.

Shumë mund të thonë që Shqipëria nuk do të dalë asnjëherë nga aleatët e rëndësishëm të SHBA në Ballkan për shumë arsye. Mirëpo, këto janë arsye që ne njihnim deri më tani. Arsyet e reja gjeopolitike ende nuk i dimë. Derisa po vihet në dyshim aleanca e madhe dhe historike midis SHBA dhe Europës, atëherë është absurde të mos ngresh pikëpyetje për marrëdhëniet midis SHBA dhe një shteti të vogël si Shqipëria.

Për shembull lë shumë vend për interpretim përgjigjja e Donald Trump ndaj një gazetari kur e pyeti: “Përse djali im duhet të shkojë në luftë për Malin e Zi sipas parimit të NATO-s”.

Përgjigjja e Trump ishte më së paku surprizuese, kur i dha të drejtë gazetarit. Jo vetëm kaq, por, malazezët, edhe shqiptarët, i quajti njerëz agresivë dhe që mund të niste Lufta e Tretë Botërore për shkak të një vendi të vogël. Përtej faktit se, asnjëherë, asnjë konflikt nuk ka nisur për shkak të një vendi të vogël, përgjigjja e Presidentit amerikan, ishte kundër parimeve të përgjithshme të politikës së jashtme amerikane të njohura tradicionalisht deri më tani.

Parime të cilat deri më tani, kanë mbrojtur me fanatizëm parimet e NATO-s, parimet e influencës amerikane në Ballkan, parimet e mbrojtjes me çdo kusht të hapësirës së saj në këtë rajon kundër influencës ruse.

Në këtë drejtim Mal i Zi është rasti tipik ku influenca ruse dhe ajo amerikane janë ndeshur në të shkuarën.

Duke parë këtë panoramë dhe filozofi të ndryshuar, të paktën për momentin të politikës së jashtme amerikane, atëherë, rreziku i humbjes së një aleati të madh të shqiptarëve ekziston. Kjo temë nuk duhet të përbëjë tabu për t’u diskutuar. Duke patur parasysh që, në Shqipëri dhe Ballkan influencat e ndryshme të Fuqive të Mëdha tentojnë gjithmonë të shtrihen, atëherë, kjo lëkundje e politikës së jashtme amerikane është një lajm i keq për Shqipërinë.

Megjithatë, të shpresojmë se, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin të njëjtën linjë politike të jashtme për rajonin ku bën pjesë Shqipëria. Vazhdimi i kësaj aleance, është padyshim një aspekt i rëndësishëm i perspektivës properëndimore të Shqipërisë.

PasPara

1 koment

  1. Mund të jetë intrigues “fenomeni Trump” por kjo s’do të thotë se hamendësimi për pasojat që mund ketë një “reality”politikë si kjo e këtij presidenti atipik amerikan na ndihmon shumë për ta interpretuar drejt atë. Paparashikueshmëria e tij është evidente prandaj s’mund të përjashtohen as spekulimet për ndryshimet “fatale’ të botës gjatë “epokës Trump”.

Leave a Reply to Naim Zeqiri Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas