Kryesore, Op Ed

A duhet të kompensohen banorët e Unazës së Re?

Nga Klementin Mile

Banorët e Unazës së Re janë parë të protestojnë para bashkisë, të përkrahen nga opozita dhe t’u ofrohet kompensim nga qeveria. Sot, ndërsa po e diskutoja këtë çështje me studentët në mësim, njëri prej tyre tha se ishte e sigurt që ato shtëpi do të prisheshin, se protestat kurrë nuk arrinin ta ndalonin vendimin e qeverisë. Kështu mendoj edhe unë në fakt: ato shtëpi dhe biznese do të prishen. Por këtu nuk është çështja për të vënë në diskutim fuqinë e shtetit – përballë një numri të vogël qytetarësh shteti mund të imponohet pa kurrfarë problemi – por drejtësinë e tij. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme për shtetin, pasi, siç thotë Rusoi, “më i fuqishmi nuk është kurrë aq i fuqishëm sa të jetë gjithmonë sundimtar, po të mos e transformojë fuqinë në të drejtë dhe bindjen në detyrë”.



Banorët e Unazës së Re po protestojnë para bashkisë, por çështja e tyre mund të interpretohet si duhet vetëm duke i zgjeruar referencat. Kështu të drejtat dhe detyrimet e tyre lindin prej raportit me shtetin. Kjo do të thotë se dallimi i qëndrimeve të tanishme qeveritare dhe opozitare lidhur me çështjen, edhe pse me rëndësi politike, nuk ka fare rëndësi juridike. Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për shtetin, dallimi qeveri/opozitë zhduket. Shteti është shumë herë më i qëndrueshëm se cilado qeveri apo opozitë. Le të kujtojmë që banorët e Unazës së Re, qëkurse i kanë ngritur shtëpitë dhe bizneset e tyre e deri tani, kanë parë disa qeveri, por vetëm një shtet.

Atëherë, a po vepron drejtësisht shteti me këta banorë? Kam dëgjuar njerëz që thonë se banorët e Unazës së Re janë zaptues të pronës publike, ose të pronës së të tjerëve dhe prandaj nuk duhet të përfitojnë asnjë lloj kompensimi për prishjen e shtëpive dhe bizneseve, pra as qira as kredi të butë. E pse duhet t’i shpërblejë shteti veprimet e paligjshme? A mos duhet t’i shpërblejmë me taksat tona edhe hajdutët për veprimet e tyre?

Ky argument do të ishte i fortë, po të mos bazohej në një analogji të dobët. Vjedhja dhe ndërtimi i shtëpive pa leje janë që të dyja veprime të paligjshme, por ama kanë një dallim thelbësor. Në njërin rast, atë të vjedhjes, shteti nuk ka mundësi të reagojë për ta ndaluar, pasi ajo ndodh brenda një kohe shumë të shkurtër; por në rastin tjetër, atë të ndërtimit pa leje, shteti është në gjendje të ndërhyjë dhe t’i japë fund paligjshmërisë. Fakti që shteti ynë nuk ka ndërhyrë te Unaza e Re, por ka lejuar ndërtimin e shtëpive pa leje, pastaj ka premtuar edhe legalizimin e tyre, u jep një argument të fortë banorëve të zonës se ata nuk mund të trajtohen si zaptues të rëndomtë të pronës. Ndryshe nga hajdutët, ata mund të pretendojnë të drejta për pronën që kanë.

Por, pyesin disa, pse duhet që taksat tona t’u shkojnë atyre banorëve që nuk i kanë legalizuar shtëpitë? Ne jemi dakord të dëmshpërblehen të legalizuarit, por jo të tjerët. Problemi me këtë qëndrim është se nuk merr parasysh keqfunksionimet e shtetit dhe ua tarifon ato qytetarëve. Siç po bëhet e qartë nga raportimet e medias, në zonën e Unazës së Re janë aplikuar dy standarde për legalizimet. Ose më saktë është aplikuar një standard: kush u paguan para nën dorë zyrtarëve të ALUIZNI-t legalizohet, kush nuk jep ryshfet mbetet i palegalizuar. Kjo shpjegon se pse në atë zonë gjen çudira të tipit shtëpi midis dy familjeve me mur të përbashkët, të dyja këto të legalizuara, ndërkohë që shtëpia midis ka mbetur e palegalizuar. A duhet të mbajnë përgjegjësi qytetarët për moslegalizimin e pronës në këto kushte, apo zyrtarët e institucionit shtetëror që e kanë zvarritur procesin deri në atë pikë sa t’i detyrojnë banorët të japin ryshfet në këmbim të legalizimit?

Banorët e Unazës së Re, sigurisht, nuk janë shpellarë. Edhe ata dëshirojnë përmirësimin e kushteve të jetesës në kryeqytet, gjë prej së cilës do të përfitonin edhe vetë. Ata nuk janë as qytetarë shembullorë. E para, sepse kanë shkelur ligjin duke ndërtuar pa leje. E dyta, sepse protesta e tyre është e vonuar. Ata duhet të kishin protestuar që atëherë kur institucionet e shtetit u zvarrisnin legalizimin; por, si shumica e qytetarëve të këtij vendi, zgjodhën të heshtnin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas