Kronika, Kryesore

A do i hapë Rama dosjet e Sigurimit?

bunkeriKryeministri premton hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Çfarë ka ndodhur me nismat ligjore të deritanishme për hapjen e dosjeve dhe dështimet e vazhdueshme. Politika, barriera kryesore për transparencën e dosjeve të Sigurimit

Nga Sebi Alla



 

Rama bëri një hapje, dhe një premtim për hapje, kjo vetëm në një ditë. Hapi bunkerin antibërthamor të ndërtuar në kohën e diktaturës, dhe premtoi se do të hapë dosjet e komunizmit dhe ish-Sigurimit të Shtetit, “për t’u ndarë një herë e mirë me të shkuarën”.

Pas një çerekshekulli “bunkerizim” me dosjet e Sigurimit të Shtetit, kryeministri Edi Rama është i disati në këtë detyrë që ka hedhur herë pas here idenë se ka ardhur koha për t’u rihapur dosjet e Sigurimit të Shtetit, por i pari majtas. Më herët, për dosjet kryesisht ka folur e djathta, e cila e shihte këtë si detyrë të saj, por vullneti ka munguar ose ligjet e bëra kanë pasur qëllime politike të momentit dhe kanë qenë antikushtetuese.

Dosjet do të hidhnin dritë mbi personat, që me dëshmitë apo persekutimin e tyre burgosën politikisht mijëra njerëz dhe shkatërruan po aq familje.

Po futemi në vitin e 25-të që është përmbysur sistemi komunist, por dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nuk janë hapur, ose në rastin më të mirë, janë hapur si presion për persona të veçantë. Akoma më i rëndë është fakti se ka dyshime të bazuara që shumë dosje janë zhdukur.

Me ardhjen e PS-së në pushtet duket sikur ishte një çështje e harruar prej kohësh, por teksa në sheshin kryesor “Dëshmorët e Kombit” dy ditë më parë mbahej protesta e opozitës, kryeministri Edi Rama premtoi se do ndiqet një tjetër politikë për ndarjen nga e shkuara komuniste dhe nga diktatori Enver Hoxha.

“Ne jemi ata që i kemi mbyllur hesapet me Enver Hoxhën në vitin 1990. Nuk kemi asnjë problem t’ia shikojmë nga të katër anët këndet e vështrimit dhe bëmat. Ndërkohë ne jemi ata që do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kësaj kujtese kolektive nga këto makthe. Ruajtja e këtij misteri dhe e këtyre mistereve, ashtu si edhe ruajtja me fanatizëm e misterit të dosjeve të së shkuarës, dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura, janë në fakt vazhdimësia e së njëjtës shkollë, e shkollës së vjetër politike të të sunduarit mbi tjetrin, pavarësisht kostove. Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për ta rishkruar historinë, por për të mos ta fshehur”, -tha Rama.

Kanë mjaftuar kaq pak rreshta për të lindur debate mbi këtë çështje të nxehtë, por që për 24 vite nuk pati kurrë transparencë. Është tentuar disa herë me komisione, me drejtori të veçanta, me kontrolle nëpër arkiva, por që të gjitha format dështonin që në zanafillën e punës, pasi ishin të destinuara të mbesnin hermetike.

Duket se politikës në radhë të parë nuk i ka interesuar. Shumë ish të dënuar e persekutuar politikë argumentojnë se një nga arsyet që dosjet e Sigurimit të Shtetit nuk janë hapur, lidhet pikërisht me përfshirjen e shumë personave publikë në këto dosje, ku disa prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Ligji i lustracionit, i hartuar dhe më pas miratuar nga mazhoranca e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2011, pasi u konsiderua si i papajtueshëm me aktin themeltar të vendit. Kohët e fundit, ideja për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit erdhi pas një drafti të detajuar, që është propozuar  nga shoqëria civile.

Njëra prej nismëtarëve të këtij drafti, Elsa Ballauri është shprehur se: “Hapja e dosjeve të Sigurimit te Shtetit dhe Pastërtia e Figurës, që do të thotë pastërtia e personave që hyjnë në politikën shqiptare dhe janë pjesë e politikëbërjes. Pra, qëllimi është që dosjet të bëhen publike sepse kjo ndihmon ndërgjegjen tonë kombëtare, ndihmon të tashmen dhe të ardhmen tonë”.

Pikërisht për këtë është punuar me specialistë shqiptarë, ish- politikanë dhe ekspertë në njohjen e dosjeve të Sigurimit, me specialistë të huaj, sidomos gjermanë dhe gjithashtu është marrë edhe mendim nga shoqata të ndryshme, sidomos ata të ish të përndjekurve politikë. E sërish ka një ngërç, ajo është politika.

Sepse edhe një ligj i mirë që do krijonte transparencën e plotë. Kohët kanë kaluar dhe shumë dosje pranohet se janë zhdukur. Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi është shprehur se shumë dosje janë zhdukur ndër vite. Kjo edhe për faktin se një pjesë e tyre gjendeshin në Ministrinë e Brendshme, një pjesë tjetër në godinën e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe në Arkivin e Shtetit. Pikërisht në momentet kur është bërë transferimi i këtyre dosjeve, shumë prej tyre janë zhdukur.

Mendohet se kanë qenë vetë personat e përfshirë që kanë eliminuar çdo të dhënë që i implikonte në Sigurimin e Shtetit. Mbase disa prej tyre mund të jenë në pjesën që në ditët e sotme bëjnë “moral” dhe trumbetojnë me forcë demokracinë. Gjithsesi, deklarata e fundit e kryeministrit pritet të shihet në të ardhmen sa konkrete do të jetë.

Nismat ligjore që mbetën vetëm nisma

Ishte ende euforia e të sapoardhurve në pushtet dhe po tentohej të çrrënjosej gjithçka nga e kaluara e zymtë e diktaturës. Projektligji i parë për “Kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” daton që në vjeshtën e vitit 1992.

Nuk u desh shumë punë për të bërë një ligj të veçantë, pasi thuajse u mor i gatshëm nga ligji gjerman, çek dhe ai hungarez. Kjo nismë, pas disa përmirësimesh të vogla u miratua në vitin 1995. Kohët iknin dhe në vend të hapjes së dosjeve, politika amendonte e fliste pafund për ish- Sigurimin e Shtetit.

Përfundimisht ligji i miratuar në vitin 1995 nuk u vu kurrë në zbatim, kjo edhe për shkak të ndryshimeve politike të ndodhura në vitin 1997. Socialistët patën një tjetër nismë kur ngritën “Komisionin Shtetëror të Kontrollit të Figurave”, e drejtuar nga Nazif Bezhani.

Në vitin 2008, nga demokratët u miratua ligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si i papajtueshëm me Kushtetutën.

Po këtë vit Aleksandër Biberaj si deputet i PD-së paraqiti një projektligj “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”që u paraqit sërish, këtë herë i ripunuar nga shoqëria civile, në vitin 2012, që sërish nuk u kalua për miratim.

Modeli gjerman dhe dosjet shqiptare të Sigurimit

Gjermania Lindore gjeti forcën dhe përballoi me shumë sukses çështjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Me një ligj të veçantë, gjithkush që ishte i interesuar dhe që kishte vuajtur burgun dhe persekutimin në sistemin komunist, kërkonte dokumentacionet në arkiv dhe i vihej gjithçka në dispozicion.

Në këtë mënyrë, për pak vite jo vetëm u mësua se cilët ishin agjentët që kishin persekutuar qytetarët, por shumë prej tyre nuk tentuan të futen në elitën politike. Në këtë mënyrë u krye edhe ndarja me të kaluarën.

Ndërsa në vendin tonë, ka propozime që ligji për hapjen e dosjeve të zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, mbi periudhën 29 nëntor 1944 deri 8 dhjetor 1990.

Dokumentet, të cilat do të jenë në dispozicion të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, janë: “Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”, në të cilat hyjnë: të gjitha mjetet bartëse të informacioneve, të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, të poseduara prej tij apo që i janë vënë në përdorim, pavarësisht nga forma e ruajtjes, veçanërisht, por pa u kufizuar: dosje, të dhëna, shkresa, harta, plane, filma, regjistrime me figurë, me zë dhe regjistrime të tjera; riprodhimet, kopjimet e tyre dhe dublikata të tjera; si dhe mjetet ndihmëse të domosdoshme për të bërë interpretime, veçanërisht programet për përpunimin automatik të të dhënave; dokumentet e gjykatave dhe të prokurorive për aq sa janë lënë tek ish-Sigurimi i Shtetit; dokumente të PPSH-së dhe organizatave të masave që kanë lidhje me veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm në masën dhe sipas përcaktimeve të këtij ligji.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas