Arkiva 2

Urbanë nga zori…






               Publikuar në : 11:36 - 03/02/12 |
mapo.al



Ermira Danaj

Operacioni është logjik: merr me ekskavator historinë (atë që është) dhe grumbulloje si plehrat rrëzë autostradës, pastaj në vendin e mbetur gropë, merr një fshat të tërë, dyzet e sa shtëpi, dhe vëri një për mbi një këto në formë të një pallati. (Ervin Hatibi, Sa kushtojnë pallatet e reja të Shqipërisë, Republick of Albanania, 2005.)

Para pak muajsh u zhvillua Regjistrimi i Popullsisë dhe Banesave, që këtë herë u quajt shkurt (dhe anglisht) Census. Para pak javësh dolën rezultatet e para të këtij regjistrimi, i cili në fakt merret vetëm me popullsinë që ndodhet në Shqipëri në momentin e regjistrimit. Regjistrimi u bë shumë i famshëm (në formën e tij të shkurtuar dhe jo shqip) për shkak të një retorike politike (po përdor fjalën “politike” në kontekstin e politikës së sherrit në Shqipëri). Dhe meqenëse na u morën mendtë nga diskutimi mbi regjistrimin, diskutim që bazohej vetëm tek etnia dhe te feja (se mos kushedi nuk dalim shqiptarë/e, dhe kushedi ç’fe do zgjedhim të deklarojmë – a thua se besimi apo jobesimi te Zoti janë ca gjëra që zgjidhen në mëngjes me t’u ngritur nga gjumi, bashkë me rrobat), u harrua fare të merreshim me rezultatet e deritanishme të këtij regjistrimi. Dhe u harrua gjithashtu edhe qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë që nuk është një çështje më tepër që disa politikanë/e të zihen me njëri-tjetrin për të legjitimuar vendndodhjen e tyre në politikë, por është njohja e popullsisë që jeton në një vend në një periudhë të caktuar, shpërndarja e kësaj popullsie, niveli i arsimit, punësimit, gjendja ekonomike e banesave etj. etj. Dhe nëpërmjet kësaj njohjeje të gjendjes, normalisht, duhet që shtetarët e vendit të mendojnë e të zbatojnë politikat e zhvillimit të vendit, duke i mbështetur në gjendjen reale në zona të ndryshme të Shqipërisë, e jo duke i marrë copy-paste nga kushedi ç’vend tjetër. Për këtë shërben regjistrimi i popullsisë. Dhe në fakt, rezultatet e këtij regjistrimit të fundit tregojnë se për këtë mund të shërbente shumë mirë dhe ky regjistrim, qoftë dhe me rezultatet e tij paraprake. Por mesa duket, kjo ka pak gjasa të ndodhë, të paktën në nivele qeveritare.

Një ndër rezultatet më interesante (jo se nuk dihej, por tani të paktën është dhe zyrtare) është shpërndarja e popullsisë sipas zonave urbane dhe rurale, nëse flasim me termat statistikorë të regjistrimit. Për shembull, në faqen e internetit, ku gjenden këto rezultate raporti mes popullsisë urbane dhe rurale, paraqiten si një arritje e jashtëzakonshme, “për herë të parë në histori”: Për herë të parë në historinë e censuseve të kryera në Shqipëri popullsia e cila jeton në zonat urbane është më e madhe se ajo në zonat rurale. Kështu, 53.7% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 46.3% në zonat rurale. Jo vetëm kaq, por edhe nga vetë zyrtarë/et e lartë të shtetit tonë ky rezultat u quajt një arritje shumë e madhe – më në fund ne shqiptarë/et jemi më shumë qytetarë/e sesa fshatarë/e!!! A thua të ketë qenë ky një kompleks i madh i burrave dhe grave (atyre pak) që na drejtojnë, që të paktën me shifra zyrtare ne të jemi më shumë qytetarë/e? Kjo është shumë fatkeqe si situatë. Dhe pas kësaj dalldisë propagandistike të këtij rezultati, si gjithmonë u fsheh mosreflektimi mbi atë që ka ndodhur vërtet në Shqipëri këto 20 vitet e fundit, mosreflektim që vazhdon të mbizotërojë. Shqipëria ka përjetuar këto 20 vitet e fundit një lëvizje të brendshme demografike të jashtëzakonshme, e cila në më të shumtën (gjithnjë ndoshta) është kryer në mënyrë kaotike, e pakontrolluar dhe e mbështetur në një mungesë të plotë vizioni nëse i shërben ose jo zhvillimit të vendit. Familjet e varfra në zona të largëta malore apo dhe jo, e kanë parë si zgjidhjen e vetme lëvizjen pranë qyteteve të mëdha dhe kryesisht në qendër. Dhe me rastin më të parë të disa parave të dërguara nga jashtë (të djalit që ndërkohë kish vajtur emigrant) kanë tentuar të largohen nga fshati i largët, që nuk ofron asnjë mundësi, për të ardhur drejt Tiranës ose drejt qytetit më të afërt. Për ndonjë skeptik: kjo skemë, edhe pse e thënë në mënyrë të thjeshtë, është ajo që më së shumti ka ndodhur me lëvizjen e brendshme demografike në Shqipëri, sipas studiues/eve vendas/e e të huaj/a!! Në fakt duket sikur nuk ka asgjë të keqe në kërkesën për një jetë më të mirë të një familjeje, dhe nuk ka. Por duke qenë që mendohet se ne jetojmë në një shoqëri të përbashkët, është shumë e rëndësishme të mendojmë se si mund ta zhvillojmë sa më shumë shoqërinë tonë të përbashkët, bashkërisht dhe të drejtuar nga një grup njerëzish. Për këtë grupin e njerëzve drejtues, situata e rregullimit vetjak të familjeve shqiptare, duke u bazuar herë te paratë e nisura nga jashtë, herë te paratë e piramidave etj., ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë komode. Sepse kështu, nuk ka nevojë të mendohen politika zhvillimi për fshatin e largët, as sesi të ndihmohet blegtoria në fshatin malor, apo bujqësia në atë fushor, apo peshkimi etj. etj. Nuk ka nevojë të ndodhë asgjë nga këto, as të sigurohet shkolla e denjë për nxënësi/et e disa fshatrave të thellë, as hapja e rrugëve, as ngrohja, asgjë, asgjë, për sa kohë, këto familje mund të vijnë në qendër të Shqipërisë, të përdorin ca nga lekët e emigracionit, të bëjnë një shtëpi më të mirë, dhe të vazhdojnë të mos ia lodhin më kokën qeverisë, kushdo qoftë brenda saj. Lëvizja e brendshme demografike në Shqipëri së bashku me emigracionin kanë qenë një shpëtim i madh për të gjitha qeveritë, të cilave u është hequr një barrë e rëndë nëpërmjet mbështetjes së familjeve vetëm te vetja, barra e kujdesit për shtetasi/et e tyre. Dhe ja ku jemi më 2012, me një popullsi urbane më të lartë se ajo rurale, por që në fakt nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë industrializimi të beftë, apo për shkak të zhvillimit të ndonjë sektori të qëndrueshëm në zonat urbane, që ka kërkuar menjëherë popullsi nga fshati. Ka ndodhur vetëm sepse njerëzit kanë qenë përballë mungesës së plotë të mbështetjes dhe të shpresës, dhe këtë të fundit e kanë kërkuar vetë, duke e vendosur veten në situata shpëtimi të përkohshme. Rritja e popullsisë urbane, që po na ofrohet si ndonjë sukses i jashtëzakonshëm që na vërtetuaka sesa “modernë/e” jemi, nuk është asgjë tjetër veç një tregues i papërgjegjshmërisë së vazhdueshme të qeverive në Shqipëri dhe lënies së popullsisë në mëshirën e fatit.

Dhe pasi na u tregua se sa urbanë/e qenkemi bërë për herë të parë në histori, nuk u vazhdua më tej, me shpërndarjen e popullsisë. Shpërndarja e popullsisë është një ndër treguesit më të rëndësishëm, nëse mendojmë vërtet për disa mënyra zhvillimi të vendit dhe për mirëqenien e shtetas/eve. Duke marrë parasysh dhe lëvizjen e popullsisë gjatë këtyre 20 viteve, është shumë e rëndësishme të shikohet se si jemi sot, se çfarë do bëhet me zonat nga ku janë larguar banorë/et, a ka ndonjë ide për zhvillimin e këtyre zonave, apo do vazhdojmë me këtë diskutimin banal të modernizmit bosh, si do zhvillohen zonat e qendrës që janë të mbipopulluara etj. Harta e dendësisë së popullsisë sipas regjistrimit të fundit, është imazhi më domethënës i asaj çfarë ka ndodhur këto 20 vite dhe i trishtimit që për herë të parë qenkemi më shumë qytetarë/e se sa fshatarë/e. Sipas regjistrimit, dendësia mesatare për Shqipërinë është 98.5 (banorë/e për kilometër katror). Vlera më e ulët në Shqipëri gjendet në Leskovik, 1.8 banorë/e për kilometër katror, dhe vlera më e lartë është në Tiranë, 10 533 banorë/e për kilometër katror (“një përmbi një në formë të një pallati”!!). Nuk besoj se ka nevojë për shumë komente për këto shifra. Mjafton të shihet harta e dendësisë së popullsisë (te faqja web e Instat, Rezultatet paraprake të Censusit, f.21), ku shumica e Shqipërisë është me ngjyrën e verdhë të zbehtë, a thua se dhe me ngjyrë është shprehur gjendja e trishtë e këtyre zonave, pa asnjë vizion zhvillimi, përveç se largimit drejt Tiranës, që dallon me ngjyrën e saj vishnje të errët. Këto janë rezultatet e regjistrimit, dhe këto duhet të na shqetësojnë më shumë. Ka dhe një rezultat tjetër në vazhdën e (a)rritjeve të mëdha boshe, dhe është rritja e numrit të ndërtesave me 34%. Kur e shikon kështu të shprehur, duket shumë e bukur vërtet, po nëse shkon pak më tej për të parë sesi ka ndodhur kjo rritje e ndërtesave, me çfarë është shoqëruar etj., nuk duket dhe aq shkëlqyese. Do të ishte vërtet shkëlqyese nëse do të shprehte zhvillimin ekonomik të vendit nëpërmjet rritjes së prodhimit, nëpërmjet zhvillimit të bujqësisë apo sektorëve të tjerë të qëndrueshëm. Ndërkohë që rritja e numrit të ndërtesave shpreh mbipopullimin e zonave të qendrës dhe qyteteve të mëdha, mungesën e zhvillimit dhe të shpresës për zonat e tjera në vend dhe mbështetjen e shumicës së familjeve te paratë e ardhura nga jashtë dhe jo te puna në vend.

Ky është pak nga regjistrimi i popullsisë dhe banesave në vitin 2012, që tregon se si është Shqipëria pas 20 viteve, sesi ia kanë dalë shqiptarë/et të mbijetojnë vetëm, me njëri/a-tjetri/ën, ca jashtë e ca brenda vendit. Por sot, kur nuk ka më para nga jashtë, dhe kur shkëlqimi i Tiranës është zbehur nga vështirësitë për gjetjen e një pune, apo nga pasiguria apo nga pamundësia për të siguruar qoftë dhe ushqim, nga pamundësia për të gjetur një banesë (edhe pse paskëshim pasur bumin e jashtëzakonshëm të banesave), ajo që është urgjente është alternativa se çfarë do bëhet për ta zgjidhur këtë katastrofën e deritanishme, se si do zhvillohen fshatrat dhe qytetet e vogla me ngjyrë të verdhë, në mënyrë që të mos zbrazen fare, se si do shtohen shkollat, qendrat shëndetësore etj., për zonat e mbipopulluara, sesi do hapen vendet e punës që tashmë njerëzit të kenë ca të ardhura nga puna e tyre në vend, e jo nga paratë nga jashtë etj. etj. Deri tani vetëm një alternativë është dhënë – festa e madhe meqë u bëmë urbanë/e. Në pritje të tjetrës, pa festë ndoshta, por me punë.

*Pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.



KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas