Kryesore, Mapo Format

Kocani- Minxhozi- Feraj: Tre rrugëtime, tre heretikë, tre filozofë, në projektin më të ri të UET

Në kërkim të kuptimit për jetën, të revoltuar me Universitetin e Tiranës, tre ‘heretikët’ e filozofisë bashkohen me nismën e UET. Si njerëz në kërkim të ideve të guximshme, në një projekt të ri

A mund të jetojë njeriu pa filozofinë? Është e mundur. Por a është diçka e mirë të jetosh pa filozofinë? Jo. Filozofia ofron një rrugë të re për të parë botën dhe për të eksploruar ide të vështira, thotë Philip Kitcher, një nga filozofët më interesantë në SHBA.



Pikërisht duke pasur parasysh nevojën që kanë shkollat dhe universitetet për filozofinë, më mënyrë që njerëzit t’i japin kuptim jetës, Universiteti Europian i Tiranës ka lobuar për të sjellë këtë degë sërish në auditore dhe klasa.

Së fundmi UET ka riorganizuar ofertën e tij akademike, ku krahas ristrukturimit të tri fakulteteve të mëparshme, janë shtuar edhe dy të tjera.

Pjesë e Fakultetit të ri të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale është tanimë edhe dega e Filozofisë.

Këtij projekti i janë bashkuar së fundmi edhe tre pedagogë të shquar të filozofisë, tre heretikët e qytetit, dr. Mandeta Minxhozi, prof. dr. Aleksandër Kocani, prof. dr. Hysamedin Feraj.

 

***

Herezi do të thotë zgjedhje dhe ata e kanë bërë tashmë. Pavarësisht se termi heretikët u lidh shumë sidomos me kundërshtitë ndaj kishës, në greqisht kjo fjalë nënkuptonte më shumë një proces ku një person shqyrtonte filozofi të ndryshme për të përcaktuar se si do jetonte.

‘Kryengritja’ e profesorëve është ndaj Universitetit të Tiranës sepse thonë se guxuan të mendojnë.

Arsyet e largimit të tyre nga institucionet e arsimit të lartë shtetëror, janë të ndryshme për secilin, por rastet i bashkon dëshira për zhvillim dhe progres të mëtejshëm të filozofisë, si dhe ajo çfarë e karakterizon një filozof të vërtetë, liria e mendimit.

Prof. dr. Aleksandër Kocani thotë se është i shqetësuar nga ajo që e quan ‘përsëritja e ciklit’.

“Në universitetin shtetëror ndeshemi me një dukuri, përsëritja e ciklit. Nuk janë të interesuar si të shkojnë përpara. Si mund të progresojmë? Si mund të shkojmë përpara? Këto shqetësime nuk ekzistojnë në universitetet shtetërore. Ata duhet të shohin situatën e tyre aktuale dhe të reflektojnë si mund të shkojnë përpara. Të shtrohet pyetja se si mund të përmirësohen … Por ata nuk e kanë këtë shqetësim, nuk duan sfida”, thotë ai.

Dr. Mandeta Minxhozi, e cila deri para pak kohësh ka qenë përgjegjëse e departamentit të filozofisë në Universitetin e Shkencave Sociale-Universiteti i Tiranës, tregon se largimi i saj nga puna vjen si rrjedhojë e kontradiktave dhe përplasjeve me drejtuesit, për çështje të rritjes së cilësisë që Filozofia ofronte.

“Filozofia po kërkonte të shikonte përpara, të ngrihej, të bënte ndryshim. Departamenti i Filozofisë filloi të bënte seminare, të kërkonte të përmirësohej. Kjo binte ndesh me vizionin e drejtuesve, të cilët donin të ruanin status quo-në. Unë u bëra shembull i ‘keq’ për të tjerët, me kërkesat dhe objektivat që kisha në mendje për këtë departament”, tregon ajo.

I larguar që në vitin 2014, prof. dr. Hysamedin Feraj, tregon se largimi i tij vjen si pasojë e përplasjeve me strukturat drejtuese.

“Arsye e largimit ka qenë konflikti me rektorin Dhori Kule, për mënyrën e drejtimit të universitetit publik si pronë e tij private, drejtimin e tij si një ndërmarrje private në të cilën nuk merr asnjë rrezik për investimet që ka bërë ai sepse investimet janë të taksapaguesve, ndërkohë që fitimin e merr komplet vetë”.

Ndërkohë që për sa i përket nismës së ndërmarrë nga UET për shtimin e Humaniteteve ai shprehet: “Kjo është një nismë e mirë, e pritur gjatë, e kërkuar gjatë nga të gjithë ata që kanë synuar sinqerisht zhvillimin e shpirtit njerëzor dhe shqiptar. Është arritje e UET saje këmbënguljes së fortë nga ky universitet për ta arritur këtë që ka arritur tani. Shqipëria nuk është një mjedis i favorshëm për nismën e UET. Nuk është një mjedis që e mirëpret këtë që i ofrohet. Kjo e nxjerr edhe më shumë në pah virtytin e këtij projekti. Kur ofrohet diçka që shihet si e nevojshme për një publik i cili në fakt nuk e dëshiron si një vlerë në vetvete, të cilën popullsia do duhej ta dëshironte por nuk e dëshiron, ky është ndoshta virtyti i këtij projekti i arritur saje një këmbënguljeje dhe mostërheqjeje përballë rezistencës edhe në administratë, një vonesë shumë e madhe nga Ministria e Arsimit por edhe rezistencës që ka në mendësinë tonë për të mos e pëlqyer të menduarit më thellë”.

Ndërkohë që edhe dy pedagogët e tjerë janë të mendimit se kjo nismë që UET po ndërmerr është një sfidë.

“Në universitetet shtetërore, shteti është shumë i asociuar me politikën. Politika nuk e do filozofinë sepse nuk do një arsye të fortë, nuk do oponenca… Ndërsa nga ana tjetër një universitet privat, është komercial, por kërkon pikërisht këtë, njerëz me mendim të fortë, arsyetim të fortë, që të jenë konkurrues. Vetëm kush mendon është konkurrues”, shprehet Minxhozi.

Për sa i përket skepticizmit që shoqëron këtë nismë, prof. dr. Kocani shprehet se skepticizmi nuk e tremb një filozofj.

“Neve të filozofisë jo që nuk na tremb skepticizmi, por e kemi pjesë të vazhdueshme të veprimtarisë sonë të diskutimit, të të menduarit. Skeptikja është e pandashme, është pjesë e mendimit. Nuk na tremb…”.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, në këtë universitet janë ndërmarrë iniciativa të shumta, të cilat kanë pasur në qendër promovimin e filozofisë, që nga klubi studentor “Russell”, Anuarët e Filozofisë, Shkolla Kontekstualiste etj. Krahas këtyre strukturave dhe aktiviteteve, Universitetit Europian të Tiranës i shtohet edhe seksioni i Filozofisë Analitike, i cili do të jetë pjesë e departamentit të Shkencave Humane. Tërësia e këtyre organizimeve, ndryshimeve dhe zhvillimeve përbën atë që mund ta konsiderojmë si ‘projektin e filozofisë’ në Universitetin Europian të Tiranës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas