Ballina Editorial PD po zë vendin majtas, të lënë bosh nga PS e Edi...

PD po zë vendin majtas, të lënë bosh nga PS e Edi Ramës


Nga Ervis Iljazaj

Që Edi Rama nuk është një socialdemokrat, tashmë është e qartë. Mjafton të analizosh me kujdes diskursin e tij publik apo politikat e tij ekonomike dhe financiare, për të kuptuar se asgjë nuk e lidh me socializmin dhe partinë të cilën drejton.


Që kur ka ardhur në krye të Partisë Socialiste, që jo rastësisht e ka quajtur Rilindje, pasi nuk i përket fort ideologjisë që ajo parti përfaqëson, e ka spostuar atë drejt qendrës dhe liberalizmit të majtë. Një tendencë kjo e partive të majta që po vihet re kudo në shtete europiane. Me shumë vështirësi, mund të gjesh sot në Europë, me ndonjë përjashtim të vogël, parti socialiste të cilat janë në pushtet apo që kanë ngelur besnike të socializmit të shekullit XX.

Fatkeqësisht, vendin majtas të lënë bosh nga Partia Socialiste të drejtuar nga Edi Rama, po e zëvendëson në diskursin publik Partia Demokratike. Ndoshta është normale një diskurs i tillë, sepse zakonisht ndodh që çdo parti që është në opozitë ka tendencën të jetë e majtë, duke iu premtuar qytetarëve “mrekullitë” që bën shteti, që në fakt, është shumë joshës si diskurs për t’i bindur ata, por sa vijnë në pushtet kthehen me këmbë në tokë, duke u kthyer në parti të djathta.

Ndërkohë që qeveria e Edi Ramës ndërmori iniciativën për të reformuar arsimin, reformë kjo e lënë përgjysmë për hir të vërtetës, e cila kishte si synim që universitet shqiptare t’i fuste në logjikën e tregut duke i kthyer ato të funksiononin si një korporatë financiare, Partia Demokratike iu vërsul kundër, duke na propozuar se, financimet për universitet duhet të garantohen të gjitha nga shteti, pavarësisht nëse kanë rendiment financiar dhe shkencor, larg çfarëdo logjike politike të djathtë anglosaksone. Jo vetëm kaq, por Partia e djathtë Demokratike, gjatë fushatës elektorale shkoi përtej, duke propozuar mensa falas dhe libra falas për të gjithë.

Ndërkohë që, qeveria e majtë socialiste, akuzohet nga shumë për partneritetin publik-privat, Partia Demokratike nuk nguron të shigjetojë publikisht bizneset e mëdha, duke i quajtur oligarkë. Nuk besoj se mund të ketë parti të djathtë që ka një sulm kaq frontal ndaj biznesit apo sektorit privat në përgjithësi, sa Partia Demokratike e Shqipërisë. Të kuptohemi, koncesionet dhe privatizimet të bëra nga Partia Socialiste mund të jenë dhe korruptive, por për këtë arsye nuk mund të kritikohet iniciativa private si instrument ekonomik. Privatizimet duhen mbështetur, privatizimet korruptive jo.

Ndërkohë që Edi Rama në takimet e tij me publikun nuk harron asnjëherë të përmendë se shteti nuk ju gjen punë, Partia Demokratike del me propozime të tipit pensione apo rrogë minimale të garantuar me ligj, që do ta kishte zili çdo socialist kudo në Europë.

Ndërkohë që qeveria e majtë socialiste propozon ligjin e mecenatit, i cili parashikon rolin e financimeve private në art, Partia Demokratike propozon artin me rrogë shtetërore.

Ndërkohë që, qeveria e Edi Ramës miraton ndërtimin e kullave shumëkatëshe në Tiranë, Partia Demokratike e djathtë merakoset për ambientin si asnjë parti simotër e saj.

Si këta shembuj, mund të gjesh pa fund në diskursin publik të opozitës. Se cilat nga idetë janë më të mira, ato të mazhorancës apo të opozitës, kjo mbetet të gjykohet nga bindjet e gjithsecilit, por fakti është se, vendet janë ngatërruar.

E megjithatë, shoqëria shqiptare ka nevojë për një parti të djathtë e cila të ketë kurajën, ndoshta edhe kundër rrymës së përgjithshme të frymëzojë njerëzit se, liria dhe iniciativa private është mënyra e vetme për të tejkaluar mendësinë komuniste që kemi trashëguar. Deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë, por ka bërë të sajat çdo kauzë populiste të ditës, pa krijuar një alternativë të qartë politike.



SHPËRNDAJE

3 KOMENTET

  1. Ky shkrim nuk eshte me teper se nje shkrim tip fasade .
    Nje shkrim gjoja filozofik qe rreket te vertetoje ” dallimet ” e politikave ekonomike midis dy partive te medha ne vendin tone .
    Nje shkrim i cili sipas tij na shpjegon se : ” na qenka Mekat qe e djathta te beje politika falas ne arsim per dhenie te librave me mbeshtetje te buxhetit te shtetit ….???!!!
    Nje shkrim i cili me sa duket ” nga padija ” harron se dy nga detyrat themelore te nje shteti demokratik , pavaresisht nga ngjyra politike e qeverisjes , jane Arsimi dhe Kultura falas per pjesen derrmuese te popullsise . Keshtu ndodh ne te gjithe boten perendimore qe nga SHBA , Gjermani , France , Greqi , Serbi , Maqedoni , etj .

  2. vetem se po i patron rames prapanicen,ne vend qe te merret me ikjen e shqiptarve ,iljazaj ka frig librat falas per shqiptaret.nuk ka faj me drog paguhet.

  3. Zoti iljazi, urime per shkrimin . Aalize e perkryer, Nje autopsi e vertet e dy partive
    poltike kryesore, shto ketu dhe LSIN, qe ne dhelb ka demagogjin dhe mashtrimin, bile ne disa raste esht me e keqe nga dy te medhat. SHpresojm ne rreformat e ndermara, ti theraasin medjes te bejn kompromis dhe te bashkepunojn per te miren e vendit, se ua kan sjell shpirtin maj te hndes shqiptareve me premtime, mashtrime , me farferi e papaunesi ndersa per vehten e tyre, jan ber si sheiket e Arabis Saudite. Kete e deshmojn pallatet, vilat, ne Lalez, Golem e gjetk. pallatet dhe objektet qe kan dhen me qera, makinat e pushimet luksoze, te vena ne kariket e shtetit dhe ne kuriz te shqiptareve.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here