Ballina Mapo Letrare “Misioni” i Saros: Grotesku i një heroi të çuditshëm

“Misioni” i Saros: Grotesku i një heroi të çuditshëm


Në romanin “Misioni” shfaqen probleme dhe dukuri që janë jetike për shoqërinë; kriza mjedisore dhe vuajtja njerëzore në tërësi, çka përbëjnë shqetësim për mbarë njerëzimin, për të sotmen dhe për të ardhmen e rrezikuar të natyrës dhe të jetës mbi Tokë. Pra, kemi një problem global. Me shqetësime të tilla, nuk qesh dot, nuk bën dot humor, sepse e qeshura gërshetohet me tmerrin, shakaja me asgjësimin fizik

Nga Vangjush Ziko


Shkrimtari i njohur i gjinisë së humorit, Vangjush Saro, e quan romanin e tij të ri, “Misioni”, një rrëfim grotesk. Kurse librin e mëparshëm, atë me titull “Kurora e Ballkanit”, e ka cilësuar roman humoristik. Të dyja veprat në prozë, të publikuara në vitet e fundit, krahas fabulave dhe letërsisë së tij për fëmijë, i përkasin llojit të humorit; por vijnë me ngjyrime të ndryshme. Edhe tema, edhe shtjellimi – i të dy romaneve – është i ndryshëm në thelbin e tyre.

Në romanin e parë, “Kurora e Ballkanit”, trajtohet tema e grafomanisë, si një dukuri letrare dhe psikologjike, që lidhet me maninë e të shkruarit, atë të famës personale, dukuri e cila nuk është ndonjë problem jetik për shoqërinë; është njëlloj vesi apo tekë individuale, patjetër komike dhe e dënueshme nga opinioni i shëndoshë shoqëror, por gjithsesi, me efekt të kufizuar dhe jo aq të rrezikshëm. “Terapia” e humorit, është e mjaftueshme për ta qesëndisur dhe për ta vënë lojë këtë dukuri qesharake të kohës.

Në romanin “Misioni” shfaqen probleme dhe dukuri që janë jetike për shoqërinë; kriza mjedisore dhe vuajtja njerëzore në tërësi, çka përbëjnë shqetësim për mbarë njerëzimin, për të sotmen dhe për të ardhmen e rrezikuar të natyrës dhe të jetës mbi Tokë. Pra, kemi një problem global. Me shqetësime të tilla, nuk qesh dot, nuk bën dot humor, sepse e qeshura gërshetohet me tmerrin, shakaja me asgjësimin fizik. (“Ai kishte ndërmend të bënte edhe një vizitë mjekësore në Klinikën e Specialiteteve të kryeqytetit, sadoqë e dinte fort mirë gjendjen e tij shëndetësore: një fije tension, fare pak marrje mendsh, por shumë e shumë lodhje e dëshpërim, ngaqë, siç i dukej atij, gjithkund punët nuk po shkonin mirë. Jeta po rëndohej dita-ditës. Natyra, ia ktheu ai sakaq me zë, nuk duket e lumtur. Disa dukuri të padëshirueshme janë trashur…”)

V.Saro, me të drejtë, e ka cilësuar veprën e vet “një rrëfim grotesk. Kemi, pra, një subjekt dhe një personazh grotesk. Ky zhanër, si mënyrë pasqyrimi, i përket gjinisë së humorit. Grotesku letrar është një mënyrë artistike e mbështetur në tropin e hiperbolës zmadhuese apo zvogëluese dhe zgjon tek ne hidhësinë e realitetit absurd, duke na yshtur për të reflektuar mendërisht dhe emocionalisht me mendje të kthjellët dhe me këmbët në tokë. Personazhi kryesor i romanit “Misioni” është profesori në pension Ndrio Bedalla. Ambientalist. Ëndërrimtar. Është i ve, jeton vetëm me qenin e tij, Tuçin, që e ka marrë nga rruga për mëshirë dhe për shoqëri. Djali i tij është avokat dhe jeton më vete, bashkë me gruan. Bedalla, për të mbushur boshllëkun dhe vetminë e vet, ka gjetur të merret me një ide të madhe humane globale, të cilën ka vendosur ta mbajë mbi shpatullat e mendimeve të veta si Atlanti antik Globin, i vendosur që luftën për shpëtimin e jetës dhe të natyrës ta shpjerë gjer në fund me çdo çmim të jetës së vet dhe çdo përçmim shoqëror dhe shtetëror. Motoja e Bedallës është një angazhim madhor: “Njerëzimi dhe Rruzulli tokësor bashkë me të, kanë marrë të tatëpjetën. Po lëngojnë. Si do t’i shërojmë, të shkretën?!”

Profesori pensionist, i frymëzuar nga kjo kredo, ka krijuar “një Mision të shenjtë” për të cilin ka menduar gjatë gjithë jetës së vet. Dhe ia fillon punës për të propoganduar Misionin dhe programin e tij, kudo që i jepet mundësia. E dëgjojnë apo nuk e dëgjojnë, ai i bën skanerin gjithësisë: natyrës, shoqërisë njerëzore, rendit aktual, perspektivave të zymta të Tokës; flet për luftën kundër mbretërisë së plastikës, mbi pirgjet e plehrave; për edukimin e fëmijëve; për gatimin e kosit bio; për rrezikun e tregtisë ambulante të pakontrolluar; për tregun e teshave të vjetra. “Leksionet” dhe aventurat e lidhin me njerëz të ndryshëm, që i takon në rrugë e institucione: punonjës të shërbimeve shëndetësore e të sigurimeve shoqërore, qytetarë hallexhinj, pensionistë, policë që e paraburgosin, “bashkëvuajtës” të burgosur për krime ordinere…  

Mospërfillja ose përqeshja e të tjerëve, nuk e dekurajon heroin e çuditshëm; as “tradhtia” apo neglizhenca e ekipit të Misionit; gjithaq qëndrimi mospërfillës i ish-studentes së tij; po ashtu indiferenca ulëritëse e publikut, që as ia kthen sytë dhe nuk e përfill “debatin publik”; zyrtarët, vetë kryeministri, që nuk i përgjigjet ftesës për debat; natyra e egërsuar apo ylberi i shpresës që shfaqet vetëm një çast. Ai, megjithatë, nuk lëshon pe, nuk tërhiqet. Edhe këshillat e të birit avokat, i dëgjon veresie.

Shoqëria, shteti, edhe vetë natyra, për të cilën ai heq tërë këto “picire”, trazime pra, nuk janë me profesor Bedallën. Por natyrën, motin ai e justifikon: “Sepse edhe moti ka arsyet e veta që ka shkalluar…” Sigurisht që faji bie mbi vetë shoqërinë, mbi njerëzit, që qenkan të pandreqshëm. Edhe pse i bërë qull nga rrebeshi i shiut dhe i goditur rëndë nga dështimi i debatit publik, që kishte parashpallur në mënyrë pompoze dhe butaforike në një nga sheshet qëndrore të qytetit, përsëri nuk përkulet heroi ynë… Me qëndrimin e vet stoik dhe me zërin patetik, ai i bën pretencën e fundit shoqërisë dhe qeverisë: “Në këto kohë trazirash gjeologjike dhe shoqërore, një rend i mbështetur në rrena, është i destinuar të prodhojë pasiguri dhe turp…”

Pas leximit të një rrëfimi grotesk këso, siç ndodh me romanin “Misioni”, ku e qeshura shkon në të njëjtën tragë me dhimbjen, na mbeten në mendje ide të veshura me vellon e një ëndrre enigmatike, qesharake, por të dhimbshme, që është e destinuar të dështojë. Dështimi vjen për arsye objektive, sikundër është  indiferenca e skajshme e shoqërisë, por edhe për arsye subjektive: të besimit të fantaksur, aspak realist dhe të mjeteve dhe rrugëve qesharake që zgjedh ai për ta luftuar fenomenin; për shkak të veprimeve të përçudnuara që prodhon e ndjek personazhi grotesk, etj. E megjithatë, diçka mbetet varur, pezull, pas përfundimit pa sukses të aventurave të heroit të këtij romani: Është e vërteta që shkon përtej groteskut.

Ky libër, mendoj, ishte një gur prove për autorin. E përshëndes guximin krijues të Vangjush Saros. Me këtë roman, ai ka bërë një hap të rëndësishëm në krijimtarinë e tij dhe na ka sjellë një vepër me vlera të vërteta estetike, me një formë dhe brendi të re kaq aktuale, duke pasuruar jo vetëm gamën e krijimtarisë së vet, por edhe të letërsisë e satirës sonë, në përgjithësi.



SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here