Ballina Kryesore Besart Kadia: Thuajse e pamundur që Rama të bëjë treg, do të duhej të...

Besart Kadia: Thuajse e pamundur që Rama të bëjë treg, do të duhej të hiqte dorë nga pushteti i tij


Drejtori i Institutit “Pashko” flet për fushatën e fundit “Pse treg dhe jo shtet”. Sipas tij, kontradiksioni i madh në filozofinë e qeverisë Rama II qëndron në idenë se kaosi, padrejtësia, korrupsioni do të zhduken vetëm nëse kryeministri apo shteti frenojnë iniciativën e lirë, vendosin rregulla shtesë në shoqëri, rritin taksat… 

“Pse treg dhe jo shtet” është nisma e fundit e Institutit “Pashko”, mund të na jepni disa detaje të kësaj fushate?


Kjo është fushata e dytë që ne organizojmë në një periudhë të shkurtër kohe kundër filozofisë së “të bërit shtet”. Kujtojmë se në 2015 nisëm fushatën: JO taksa të shumta! Jo taksa të larta! Jo ndryshimeve të shpeshta! Në të njëjtën frymë ne mendojmë se i duhet t’i rikthehemi dhe njëherë bazës që ndan dy filozofitë e majta dhe të djathta. Nëse duam shtet, një nocion i papërcaktuar por që është në kurriz të individit apo treg, si një institucion efikas dhe që mundëson shkëmbim vullnetar mes njerëzve dhe në interes të lirisë individuale. Ashtu siç thoshte dhe ekonomisti i njohur pro tregut, Milton Friedman, “një ndër gabimet e mëdha që bëjmë kur gjykojmë politika dhe programe ekonomike është se i gjykojmë ato jo nga rezultati, por nga qëllimi”. Por qëllimi i mirë nuk bën ekonomi të mirë. Sa biznese hapen se kanë qëllim të mirë për të shërbyer klientët, por më pas dështojnë e falimentojnë. Përse mendojmë se shteti i cili drejtohet kryesisht nga njerëz me aftësi menaxheriale shumë herë më të ulëta se sektori privat do të ketë sukses me politikat e tij. Ndaj kjo fushatë është ndër më të rëndësishmet që ne kemi ndërmarrë për të orientuar debatin publik mbi meritat e lirisë së tregut për të çuar në zhvillim të vendit.

Shumë qytetarë mendojnë se “të bëjmë shtet” është një objektiv i rëndësishëm dhe në interes të tyre? Ndërkohë që tregu është në interes vetëm të bizneseve?

Në pamje të parë duket si një argument i dobishëm “të bëjmë shtet”. Por problemi me këtë argument është se publiku i gjerë ka interpretime krejtësisht subjektive mbi atë çka nënkuptohet me këtë objektiv. Dhe me dëshirën e mirë individuale për të “bërë shtet” që në tërësi shihet e barasvlershme me nocionin tjetër abstrakt “të së mirës publike” ne iu delegojmë gjithnjë e më shumë pushtet politikanëve me dëshirën se nëpërmjet sakrifikimit të disa lirive ekonomike apo politike ne do të ndërtojmë një të mirë të përbashkët akoma më të begatë. Këtu është dhe kontradiksioni i madh që qëndron në filozofinë e qeverisë Rama II, e cila nuk çon dot në zhvillim të vendit, por krijon idenë se kaosi, padrejtësia, korrupsioni do të zhduken vetëm nëse kryeministri apo shteti që ai drejton frenojnë iniciativën e lirë, vendosin rregulla shtesë në shoqëri, rritin taksat për shërbime publike, rritin numrin e punonjësve të policisë me argumentin se “po bëjmë shtet”.

Pra, në vetvete filozofia “të bëjmë shtet” është gjithnjë në kundërshtim me lirinë individuale. Por liberalët mendojmë se liria e individit është e vetmja arsye përse është krijuar shteti dhe përse kemi nevojë për shtet. Ndaj ne themi, “Po tregut” si i vetmi institucion njerëzor që mundëson shkëmbim vullnetar të shërbimeve, të punës, të mallrave mes qytetarëve në interes të tyre. Shteti, pushtetarët, burokracia, ministritë, agjencitë etj., janë grupe interesi që rrallëherë kanë një vizion apo nocion të përbashkët të asaj se çfarë është interesi publik e për rrjedhojë ndërhyjnë e pengojnë apo promovojnë zhvillimin e vendit vetëm sipas qasjes së tyre sektoriale. Edhe sikur këto agjenci e punonjës shtetërorë të kenë sjellje racionale e të kenë dëshirë të arrijnë në një përkufizim të përbashkët se çfarë do të thotë të “bëjmë shtet” e për rrjedhojë të ndjekim interesin publik ato bien në teorinë e pamundësisë së zgjedhjes të shpjeguar nga nobelisti Kenneth Arrow. Sipas tij, nuk ka asnjë sistem zgjedhor apo procedurë që njihet në demokraci në të cilën preferencat racionale të individëve në shoqëri për të mirën publike të mund të arrijnë në një vendim final racional për atë se çfarë është e mirë publike. Pra, në kuptimin tonë se çfarë preference kemi ne si individë se çfarë do të thotë “të bësh shtet” nuk do të thotë se është e mundur të përkthehet në një vendim të përbashkët racional publik se ç’do të thotë “të bësh shtet”. Pra, është e pamundur të kemi një sistem ku interesi i përbashkët është thjesht një shumatore e preferencave tona individuale për të mirën publike.

Dhe në kuptim kur fuqia e shtetit përkthehet në akt publik për të bërë shtet, ne kemi në fakt shpalosjen vetëm të preferencës së një individi apo një grupi shumë të ngushtë njerëzish që mund të kalojnë problemin e pamundësisë së zgjedhjes së profesor Arrow. Pra, në një farë mënyre, kur ne themi të ndërtojmë më shumë rregulla për të bërë shtet, në fakt jemi duke pranuar se jemi të gatshëm të pranojmë preferencat e individit kryeministër se si duhet të jetë nocioni i të mirës publike në pamundësinë për të marrë konsensus të plotë publik. Ndaj dhe ne mendojmë se nuk na duhet shtet, por na duhet treg. Sepse tregu është i vetmi institucion njerëzor që mundëson zhvillimin e interesit personal të gjithsecilit prej nesh e për rrjedhojë është më afër natyrës së interesit publik.             

Kur erdhi në pushtet, kryeministri premtoi ndërtimin e shtetit ligjor i cili do të kishte zgjidhur edhe çështjen e funksionimit të tregut. Por kjo nuk ka ndodhur në pesë vitet e qeverisë së tij, ka bllokime dhe ngecje të reformave, siç është ajo administrative, arsimi, shëndetësia e të tjera. Sa mundësi ka që kryeministri të vazhdojë të qeverisë në këtë gjendje bllokimi pa ndërmarrë një hap të guximshëm në një tjetër drejtim?

Nuk duhet të harrojmë se kryeministri Rama është politikan. Është mjeshtëria e tij pikërisht si politikan të thotë që nuk jam politikan. Në analizën që kemi bërë në fillim të vitit 2014, e cila u publikua nga MAPO me titullin “6 reforma=0 reforma” kishte pikërisht këtë shqetësim publik parasysh, që qeveria Rama në një koalicion politik me LSI e kishte të vështirë të ishte i suksesshëm të kryente shumë reforma njëherazi. Ndaj dhe hapja e gjashtë reformave të mëdha, siç ishte e energjisë, e pensioneve, e drejtësisë, arsimit të lartë, territorialja, e shëndetësisë etj., tregonte më tepër dëshirën për të mos bërë asnjërën deri në fund sesa zellin e madh për t’i bërë të gjitha mirë në interes publik. Ndaj them më sipër që Edi Rama është politikan dhe duhet parë interesi i tij si politikan përse nuk ka çuar reformat deri në fund.

Personalisht mendoj se në periudhën afatshkurtër, që është dhe mandati politik, është në avantazh politik të atij që ka pushtetin që të mbajë reformat të papërfunduara. Ndaj sot teksa të gjithë aktorët ekonomikë janë konfuz për rregullat e lojës dhe mungesa e qartësisë shton artificialisht fuqinë e kryeministrit për të negociuar me aktorët lokalë. Ndaj kur ju thoni sa gjasa ka Kryeministri që të ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të mbyllur këto reforma unë mendoj se është në interes të tij si politikan që të mos mbyllë asnjë reformë. Dhe po si politikan ai mjeshtërisht thotë s’jam politikan, ndaj unë, ai, është i legjitimuar në sytë e publikut të ndërmarrë reforma pasi duke mos qenë politikan ai s’po e bën për vota, por për interes publik. Këto akte janë shumë të holla por që përveç fuqizimit të pushtetit të Ramës nuk janë në interes publik. Në sytë e Ramës Shqipëria është akoma në sallë të operacionit me reformat që po ndërmerr dhe ne e dimë sesa sa fuqi ka doktori që kryen operacionin mbi pacientin. Ndaj dhe reformat kryen thuajse në një frekuencë gjashtëmujore dhe jo në një linjë ku pasi mbaron një reformë fillon reforma tjetër…

Si mund ta kthejë kryeministri Rama, shprehjen e përdorur aq shpesh “do bëjmë shtet” në një tjetër shprehje, “duhet treg”?

Kryeministri Rama mendon se është një “i konvertuar” në ideologji të djathtë. Mëton herë pas here të marrë nga idetë e djathta siç është pretendimi për shtet të vogël. Por në gjithë aktet e tij reformat kanë qenë thuajse një gënjeshtër për të akumuluar pushtet por jo një synim zhvillimor të vendit. E gjithë fryma e tij ka qenë një frymë etatiste ku shteti kishte gjithnjë prioritet mbi biznesin, mbi individin, mbi familjen. Tritoli mbi pronën private, prishja e kontratave me bizneset, rritja e taksave dhe e gjobave, mosfuqizimi i gjykatës administrative apo të Autoritetit të Konkurrencës janë të gjitha akte antitreg. Në rast se Kryeministri do të bëjë treg, kjo do të thotë se ai është i gatshëm të heqë gjithnjë e më shumë dorë nga pushteti i tij, e kjo më duket e pamundur. Ndaj në logjikën liberale liria individuale është objektivi i vetëm që duhet të kemi e shteti duhet të synojë të garantojë vetëm atë dhe kjo arrihet më mirë nëse ne kemi tregje, si të vetmet institucione efikase që mundësojnë zhvillimin e interesit personal.



SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here