Ballina Kryesore Teknologjia e tekstit, lexuesi shqiptar: Me zë apo i heshtur?!

Teknologjia e tekstit, lexuesi shqiptar: Me zë apo i heshtur?!

Mapo letrare nxitur nga fushata kombëtare e leximit, bashkon në një forum botues, shkrimtarë, kritikë dhe, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës si e ka përcjellë shoqëria shqiptare Leximin, sidomos në kohën e teknologjisë së tekstit, çfarë lexuesish janë shqiptarët sot, një debat që në shoqëritë e zhvilluara po  merr një përmasë të ashpër për praktikën e leximit: me zë apo i heshtur?!

Në fund të viteve 700-t historiani Robert Darnton shkruante se për njerëzit e zakonshëm në Europën e modernizmit të hershëm, leximi ishte një aktivitet social që zhvillohej në punishte, plevica dhe taverna. Ai ishte gjithmonë oral sipas historianit. Leximi në privatësi u bë një normë për njerëzit e pasur, të arsimuar e që mund t’i lejonin vetes librat në vitet 1800.

Leximi sot ka marrë dimensione të tjera, për mënyrën se si praktikohet sot. Në Shqipëri pas një kaosi të gjatë, përgjatë viteve ’90-të, kur letërsitë e vendeve të ndryshme ankoroheshin për herë të parë edhe tek lexuesi shqiptar, nisën simultanet e para të leximeve të hapura.

Nga nënsirtarët e librave të verdhë, që shoqëroheshin me burgime, tek etja e gjatë, dhe kriza një festival i poezisë, Poeteka krijoi agorën e parë mes poetëve e lexuesve.  Në leximet  hapura që kulmuan në vitin 2010-2012, “Poeteka” krijoi të parin tur në gjashtë qendra të Tiranës, të hapura në natyrë, si dhe klube leximore…Një praktikë që u shumëfishua, vite të tjera, në klube letrare, që këto dy vite e kemi parë pothuaj të transferuar në një projekt kombëtar leximi nga Ministria e Kulturës, trajtuar si fushatë leximi, apo duke vazhduar ne Takohemi për një libër…Megjithatë, është duke u pranuar nga studiuesit sot, se ka një debat të ashpër për nga ndryshimet që ofron teknologjia e tekstit, dhe nxitjen e praktikës së leximit të zëshëm, duke e lidhur me një kohë tranzite mes kalimit nga: lexim i zëshëm në atë të heshtur. Grekët e lashtë i lexonin me zë të lartë tekstet e tyre e ashtu bënë europianët për shekuj me radhë, por nga shekulli i 17, praktika e leximit në Europë ka ndryshuar në mënyrë drastike. Po në Shqipëri?! Në këtë forum të organizuar nga Mapo letrare, kemi bashkuar nismëtarin e turit me zë të leximeve në vitet 2000, Arjan Lekës, përmes Poetekës, botuesen e “Diturisë”, Marjana Ymerin, drejtoren e letrave në Ministrinë e Kulturës, Mimoza Hysa, e cila prej dy vitesh ka iniciuar projektin, duke realizuar mbi 100 aktivitete në gjithë Shqipërinë, që ndjekin praktikën e leximeve me zë, si dhe shkrimtaren, e kritiken Diana Çuli, si ata e shikojnë praktikën e leximit në Shqipëri, dhe a janë lexus shqiptarët?

***

Lexim i heshtur apo me zë?!

Një nga nismëtarët e leximit të hapur, ideatori i Poeteka, Arjan Leka mbi mënyrën e leximit thotë se: “Vërej se me gjithë rimodelimet fomale dhe disa përpjekje, kemi mbetur ende pjesë e kulturës së leximeve të detyruara, kur letërsia përjetohej si propagandë dhe kur besohej se shpejtësia dhe gjerësia e përhapjes së leximit ishte detyrimisht e lidhur me cilësinë e tekstit letrar. Nëse dikur leximi i zëshëm na shoqëronte kudo, nga shkolla, me një fjalim të Frontit mbi mbi varr dhe bashkë me këtë lexim nxitej edhe lexuesi masiv e i planifikuar në tirazhe prej mijëra kopjesh të shpërndara në qindra biblioteka dhe librari, sot këtë rol të propagandës mass-kulturore e kanë marrë mediet, faqet e gazetave, sidomos televizionet, nga të cilat bëhen jo thirrje për lexim e lexues të mirë dhe me shije të pavarura, por për masivizim shijesh dhe lexues sa më të gjerë, masivë. Arrihet aty sa edhe gazetat na i lexojnë çdo mëngjes me zë, duke diktuar emra tituj dhe duke ngritur tituj mite. Kjo strukturë ka marrë përsipër atë që dikur e merrte përsipër partia: ndërtimin dhe orientimin e shijes së publikut.

Por paradoksalisht leximet e detyruara dhe shija jo e mirë në lexim nxiten dhe mbahen gjallë pikërisht nga krijuesit e debateve mbi të lexuarit dhe ata që ofrojnë statistika mbi uljengritjet e leximit, thua se vetë ata nuk kanë të bëjnë fare me shijen e keqe që është përhapur në lexim, thua se nuk kanë qenë ata në borde ku janë miratuar tituj të dobët librash për lexime në shkollë, thua se nuk botojnë recenca të sponsorizuara në hapësira letrare a televizive kushtuar librit, thua se nuk gjejnë vlera dhe te librat që nuk i kanë lexuar dhe që shpallen në çdo promovim, thua se nuk kanë qenë ata pjesë e jurive ku janë dhënë çmime për libra që tashmë janë harruar, thua se nuk ua diktojnë shijet e tyre edhe auditorëve apo atyre që i ndjekin përmes ekraneve. Praktika e të lexuarit, si akt individual, intim, vetjak, është e brishtë, shthuret dhe nuk e rindërtojmë dot sa hap e mbyll sytë. Lexuesi e gjen vetë rrugën për te libri dhe mëtimi i autorit, siç besoj se Borges të jetë shprehur, nëse unë kujtohem mirë, nuk është masivizimi i librit dhe i leximit, por të lexuarit e një paragrafi të vetëm, por shkëlqyer, ndonjë mbrëmje, për ndonjë mik. E kundërta e këtij mendimi është ajo që ka ndodhur në vitet ’50, kur besohej se “Arti i takon popullit” e që në forma merkantile përsëritet edhe sot, sa herë që na thuhet se libri i mirë është libri që shitet shumë dhe se libri i mirë lë përshtypje të njëjta si kur e lexojmë përpara masave të popullit ashtu edhe kur e lexojmë përpara vashës së vetmuar.” Marjana Ymeri, drejtore e botimeve, Shtëpia Botuese DITURIA, mendon se “E ka zgjidhur praktika tashmë. Leximi është art, është praktikë. Sigurisht, të lexuarit në heshtje, në privatësinë, dëshirën, mundësinë, nevojën, zhurmën që gjithmonë i zgjedh ti vetë. Leximi me zë është pjesë e deklamimeve dhe gjithashtu e promovimit të letërsisë, më shumë për të tjerët, jo për qejfin dhe nevojën tënde. Këtu e kam fjalën  për lexuesit e  rritur, sepse ndryshon puna te fëmijët, që kanë kërkesa të tjera. Leximi me zë për ta është jo vetëm edukues dhe argëtues, por, sipas specialistëve, ka edhe një rol me peshë në lidhjet familjare. Po kjo është një çështje tjetër”. Shkrimtarja, dhe përkthyesja Diana Çuli, shprehet se: “Nëse ju me lexim të zëshëm nënkuptoni leximin e bujshëm të librave të mbështetur edhe nga kritika, pa dyshim kemi ndryshim të madh. Sot, librat nuk lexohen aq shumë nga reklama, nga buja, nga hierarkia e kritikës letrare, por mjaft nga rastësia, nga kërkimi individual. Moria e pambarimtë e librave të botuar nga shtëpitë botuese, por pa orientim të kritikës letrare – ose me orientim të paktë – nuk e ndihmon lexuesin. Nga ana tjetër, kjo mori librash dyndet në fare pak librari – ka qytete ose qyteza me asnjë – dhe kjo sjell një pengesë tjetër të madhe. Pra, kemi një kontradiktë të dukshme: ka shumë libra të botuar, të mirë, letërsi shqipe dhe të huaj, por nuk ka librari dhe nuk ka frymë nxitëse për leximin. Ky debat është një kontribut për këtë frymë të munguar. Dikur, leximi shërbeu edhe si alfabetizim i shoqërisë sonë analfabete. Sot, ai shërben për përparimin dhe emancipimin e saj. Pra stadi është i ndryshëm.” Reflektimi i përkthyeses, Mimoza Hysa, në funksionin e drejtores së librit në Ministrinë e Kulturës, se si shoqëritë i kanë kushtuar vëmendje leximit, ndalet: Natyrisht kjo është pyetje për studiuesit e historisë së kulturës e veçanërisht të shkrimit dhe leximit, meqenëse të dyja veprimtaritë studiohen paralelisht, si të pandara nga njëra-tjetra.  Nëse i referohemi të dhënave historike mendohet se kalimi nga leximi me zë në leximin pa zë të jetë bërë në Mesjetën e Hershme. Studiuesi Malkom Parkes në librin “Historia e leximit në botën perëndimore” shkruan se që në Rregullin e Shën Benediktit që daton në vitin 540 përmenden përvoja individuale të të lexuarit me zë të ulët për të mos shqetësuar të tjerët. Shembulli i parë në letërsi për lexuesin pa zë na vjen nga “Rrëfimet” e shën Augustit, i cili dëshmon për mentorin e tij, shën Ambrozin se “gjatë leximit i kalonte faqet me sy ndërkohë që me mendje përpiqej të rrokte kuptimin, e sakaq zëri dhe gjuha pushonin.” Vështirësia më e madhe që hasnin në lexim në atë periudhë ishte shkrimi i pandërprerë dhe mungesa e shenjave të pikësimit. Sipas Makiavelit leximi në periudhën e Rilindjes Europiane ishte një veprimtari shumë e ndërlikuar ku duheshin zbatuar një sërë rregullash dhe kërkonte vëmendje të posaçme. Pas Gutembergut u botuan një sërë tekstesh ndihmëse dhe shpjeguese për mënyrën e leximit. Në Mesjetë lexoheshin ato pak libra që ishin në qarkullim, sidomos Bibla, dhe ishte e zakonshme të lexohej në grupe e me zë të lartë. Por edhe pse leximi pa zë dëshmohet në periudhën e parë të Mesjetës, leximi me zë vazhdonte të ishte një praktikë e natyrshme. Është e njohur dukuria e qarqeve letrare të përbëra nga personalitete të njohur, në grupime të vogla ku lexohej me zë, në shekujt XVII e XVIII. Çarls Dikensi, për shembull, adhuronte të lexonte librat e tij me zë në qarqe të mëdha me lexues. Po kështu dhe autorë të tjerë”.

Çfarë ka ndryshuar në praktikën e leximit nisur nga teknologjia e tekstit?

“Leximi është bërë më i shpejtë, i mundshëm në më shumë platforma. Por jo për këtë arsye edhe më i dobishëm.  U ngjan paksa praktikave të slow food. Sipas meje, duhet t’u biem kambanave të alarmit. Jemi të sfiduar në çdo moment nga interneti. Të fiksuar me shpejtësinë dhe të kërrusur në peshën e aq shumë teksteve, ne nuk po ndalemi të reflektojmë. Pastaj vjen puna të shkruash me ironi si Woody Allen, që duke folur për teknikat e quick rea­ding, shkruante: “Kështu kam lexuar Lufta dhe paqja. Fliste për Rusinë.”, shprehet Ymeri.

Çfarë ka ndryshuar në praktikën e leximit nisur nga teknologjia e tekstit, për shkrimtaren Diana Çuli është “forma e të lexuesit më së shumti, por jo dhe aq në përmbajtje: që do të thotë se sot, veçanërisht të rinjtë, lexojnë në forma të ndryshme nga ato tradicionalet: ata lexojnë në Ipad, në Kindle, dhe në telefon, disa prej tyre dëgjojnë në makinë me kufje. Shumë lexojnë on line në kompjuterin e shtëpisë. Pra leximi është zhvendosur mjaft nga letra në ekran – të madh apo të vogël – por është gjithnjë lexim. Brezat më të vjetër janë më tradicionalë. Por, të mos harrojmë se sot njerëzit janë më të ndërgjegjshëm për efektin e leximit.

A është pakësuar leximi? E vështirë të thuhet. Statistikat nuk të shtyjnë të besosh, kur sot ka dhjetëra shtëpi botuese në krahasim me dy të vetme deri 27 vjet më parë. Dhe një numër jo i vogël i këtyre shtëpive të sotme botuese janë të suksesshme, sjellin autorë bashkëkohorë, nga e gjithë bota dhe…nuk mbyllen. Nuk falimentojnë. Përkundrazi, përforcohen. Kjo nuk shkon në favor të statistikës negative të leximit.”

“Nuk dua të merrem se çfarë ka ndryshuar, pasi ndryshimi është i dukshëm. I pandryshueshëm ka mbetur lexuesi dhe leximi. Më të rëndësishmit domethënë. Të tjerat kanë të bëjnë me mjetin mbartës libri apo e-book. I njëjti debat si sot do të jetë bërë kur kaluam nga dorëshkrimet në tekstin e shumëfishuar tipografik. Leximi ka mbijetuar gjithmonë, veçse populizmi, “format e reja” të  leximit të detyruar, sidomos për shoqërinë tonë që ia njeh shijen e hidhur, nuk është rrugë më e mirë sesa liria në përzgjedhje dhe në lexim”, thotë Arjan Leka.

Ndërsa Mimoza Hysa, duke iu referuar edhe një përvoje aktuale mbi praktikën e leximit nga projekti i Ministrisë së Kulturës thotë: “Ndryshimi në mënyrën e leximit ka nisur që me perëndimin e shekullit të ideologjive dhe utopive. Më vjen në ndihmë këtu Montale që e ndante lexuesin në lexues që lexon për të mësuar, për t’u informuar, për të kujtuar dhe lexues që lexon thjesht për kënaqësinë e të lexuarit, ose për të kaluar kohën. Në kohët moderne lexohen gjithnjë e më pak libra e gjithnjë e më tepër gazeta, revista apo tashmë dhe lexime fragmentare. Këta të fundit, sipas Montales, nuk lexojnë por shikojnë. Shikojnë dhe kalojnë shpejt. Kjo sipas Montales sepse lexuesi sot është tërësisht i lirë në zgjedhje, dhe i pandikuar apo detyruar nga institucionet si kisha, shkolla etj. Teknologjia e ka ndryshuar shumë mënyrën e të lexuarit duke e thjeshtuar dhe duke i ofruar mendjes edhe elementë të tjerë ndihmës për të kuptuar tekstin që nuk janë vetëm shenjat, shkronjat. Për mendimin tim kjo risi do të çojë dhe në një mënyrë tjetër të përthithjes së dijes që do të jetë më e natyrshme për mendjen, duke qenë se perceptohet hapësira, tingulli, pamja si plotësuese të shenjave, shkronjave. A do të çojë kjo në një stad tjetër të zhvillimit të njeriut? Kjo mbetet për t’u parë. E rëndësishme është që teknologjia të vihet në shërbim të përçimit të dijes dhe vlerave që njerëzimi ka grumbulluar ndër shekuj.”

Çfarë lexuesish janë shqiptarët?

Marjana Ymeri, mendon se shqiptarët janë lexues modestë, shumë më të “fortë”, se më parë, duke e lidhur me arsye globale dhe lokale. “Gjithsesi të diferencuar sipas moshave dhe gjinive. P.sh., në moshat shkollore, fëmijët e moshës 8-13 vjeç, të ashtuquajturit middle age, janë lexues të fortë dhe të përgjegjshëm, që e zgjedhin librin sipas parapëlqimeve të tyre. Pas kësaj moshe nisin e  ‘robërohen’ nga teknologjia. Sipas një anketimi  të Diturisë, ndër 10 fëmijë vetëm 4 janë lexues të mirë. Tek të rriturit, raporti është më pesimist: ndër dhjetë, 5 veta lexojnë nga 1-2 libra në vit dhe vetëm 2 janë lexues të fortë. Gratë janë lexuese më të mira se burrat.

Jam e bindur që edukimi i të lexuarit kërkon angazhim të shumë subjekteve: shkollës, bibliotekave shkollore, bibliotekave të tjera publike, librarive, botuesve. Dhe sidomos, për të edukuar e pasur një lexues të fortë, duhet të interesohet shteti. Me të gjitha mekanizmat, që vetëm ai mund t’i menaxhojë: me taksa më të ulëta për librin, për libraritë, për krijuesit, me fushata leximesh, me përfshirje në kurrikulat mësimore të aktiviteteve për librin, me pasurimin e menjëhershëm, të vazhdueshëm dhe “pa e mbajtur” dorën të bibliotekave, me blerjen e një kohe televizive në TV kombëtare dhe lokale, kushtuar librit etj.”

Ja ç’mendon Diana Çuli për lexuesit shqiptarë: “Shqiptarët janë lexues buzëhollë – që do të thotë se janë lexues cilësorë. Ata e lënë në baltë kritikën e rreme, shpesh  me qoka dhe “bamirësi”,  mund dhe të tërhiqen nga një reklamë e fortë për një autor, por, nëse libri nuk i përmbush shijet e tyre të holla, këtij autori nuk ia blejnë librin e dytë. Dhe kjo ndodh vazhdimisht dhe e kemi parë në shumë raste. Mendoj se lexuesit shqiptarë nuk janë ata të tridhjetë vjetëve të para, që ‘lexonin më shumë”, sepse sot jeta është më ritmike, televizioni zë shumë vend, interneti po ashtu. Atëhere lexuesi bëhet më përzgjedhës, sepse nuk ka kohë dhe nuk mund t’i lejojë vetes të lexojë çdo gjë që i bie në dorë. Botuesit dhe autorët duhet ta falënderojnë lexuesin shqiptar për besnikërinë dhe cilësinë e gjykimit. Pa ta nuk do të kishim as shtëpi botuese dhe as autorë.  Kjo vihet re sidomos në rastin e “fishekzjarreve”” – librave pa ndonjë vlerë, por që lëvdohen për miqësira apo lobime të ndryshme. Lexuesit rrallë herë bien pre e kësaj gracke.

Ng ana tjetër,  Nisma e Ministrisë së Kulturës është mjaft nevojshme dhe duhet përshëndetur. Ishte në kohën e duhur dhe po bëhet me vullnet të mirë e të qartë.  Në këtë periudhë kur moda e shoë-t pushton televizionet dhe depërton në botën e brendshme të të rinjve, duke u krijuar një imazh të rremë të jetës dhe të së ardhmes, leximi është një gomë shpëtimi e domosdoshme. Ai e përpunon mendimin, shijet, thellon reflektimin, përmirëson të shprehurit, qartëson gjykimin….me një fjalë e bën njeriun më të mençur, më të përgjegjshëm, më të matur, më të ditur. Besoj se nisma të tilla i shtojnë lexuesit.”

Tregon se janë mbi 200 aktivitete të organizuara këtë vit nga projekti i MK-së, “Takohemi për një libër” në të gjithë Shqipërinë. Mbi këtë përvojë, Mimoza Hysi, mendon se: “Ne ende ruajmë një traditë të mirë të leximit. Kjo sepse vijmë nga një shoqëri totalitare dhe me rregulla të ngurta ku leximi ishte një veprimtari shpesh e detyruar dhe njëkohësisht nga të paktat veprimtari argëtuese. Duhet kuptuar që të lexuarit është një veprimtari e vështirë që duhet të edukohet që në vogëli. Sot ka nisma të shumta në botë për edukimin e fëmijëve që në lindje me leximin, siç është për shembull në Itali “Nati per leggere” ku nënave të reja u mësohet sesi t’u lexojnë fëmijëve që bebe. Leximi me zë e afron fëmijën natyrshëm me librin, po kjo kërkon kohë e durim. Mund të përmenden dhjetëra fushata të suksesshme në vendet e zhvilluara, të cilat synojnë afrimin e lexuesit me librin. Për këtë arsye Ministria e Kulturës për të dytin vit ka ndërmarrë fushatën “Takohemi për një libër”. Suksesi qe befasues: mbi 200 aktivitete në të gjithë Shqipërinë. Kjo dëshmon se të rinjve sot duhet të dish t’u qasesh.”. Me përvojën e një “testi” me lexuesin, shkrimtari Arjan Leka thotë se: “Lexuesi shqiptar ka mbetur ende lexues i telekomanduar, një lexues që pret t’ia bëjnë të tjerët detyrën që lipset ta kryejnë vetë dhe me duart e tyre. Detyra ka të bëjë me kënaqësinë e madhe të zbulimit të një autori të panjohur më parë dhe me gjetjen e një titulli të mirë, për të cilin nuk të ka folur kush. Por kjo nuk është sigurisht as e lehtë”.

Përgatiti: Violeta Murati

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here