Po, qeveria mund të vendosë sigurime të detyrueshme për të shpëtuar jetën dhe pronën e qytetarëve

Postuar më: 07 December 2017 09:54

Nga Ervis Iljazaj

Përmbytjet nga reshjet e shiut, edhe këtë vit na ofruan një panoramë, që tashmë është kthyer në një imazh që nuk mungon asnjëherë sapo afron sezoni i Vjeshtës. Janë po të njëjtat zona, të njëjtat shtëpi, të njëjtët banorë, që fatkeqësisht pësojnë dëme të mëdha në mënyrë të përsëritur. Dhe, si çdo vit, debatet politike për përgjegjësitë e qeverisë për dëmshpërblime apo për ndërtimin e infrastrukturës për të evituar dëme të tilla nuk mund të mungonin.

Mirëpo kësaj herë, panoramës përsëritëse të çdo viti, i është shtuar debati mbi propozimin e qeverisë për të detyruar banorët të sigurojnë shtëpitë dhe të mirat e tjera materiale, në mënyrë që kostot e dëmshpërblimeve të mundshme të mbulohen nga kompanitë e siguracioneve, dhe risku të kalojë nga shteti tek individi.

Nëse një gjë e tillë do të ndodhte si pasojë e një kulture shoqërore dhe me vullnet të lirë nga ana e qytetarëve, të cilën ende nuk e kemi, atëherë çdo gjë do të ishte e zgjidhur. Debati qëndron te fakti se, qeveria kërkon që këto lloj siguracionesh për banesat të kthehen të detyrueshme.

Ky propozim ka hasur kundërshtimin e fortë të opozitës dhe të një pjese të opinionit publik me argumentet se është e pamundur të detyrosh njerëzit të sigurohen, duke iu shtuar në këtë mënyrë një “taksë” tjetër, apo se banorët e asaj zone e kanë të pamundur ta përballojnë financiarisht. Në këtë mënyrë e vetmja zgjidhje, sipas këtij këndvështrimi, është të vazhdojmë si çdo vit, duke detyruar shtetin shqiptar të dëmshpërblejë çdo banor që preket nga katastrofat natyrore.

Mirëpo një gjë e tillë është e pamundur të përballohet nga buxheti i shtetit çdo vit. Kështu që, zgjidhja nëpërmjet siguracioneve, qoftë edhe e detyrueshme, duket si e vetmja rrugë për të siguruar pronat e zonave të caktuara që kanë një rrezik të përvitshëm, për disa arsye.

Së pari, siguracioni i detyrueshëm në këtë rast, përpara se të jetë një problem financiar, është një problem doktrinor, që ka të bëjë me raportin që ekziston në një demokraci midis shtetit dhe qytetarëve të tij. Pyetja që ngrihet është, se a mund ta detyrosh një person të sigurohet për pronën apo edhe për jetën e tij? Është një debat i cili ekziston edhe përtej Shqipërisë. Mjafton të përmendim ish-Presidentin amerikan Obama me reformën e tij shëndetësore, që i vendosi të detyrueshme siguracionet, aq më tepër në një vend, ku çdo lloj detyrimi shihet si një blasfemi.

Sipas doktrinës mbizotëruese të shtetformimit, detyra kryesore e tij është të japë drejtësi dhe të sigurojë jetën dhe pronën e qytetarëve. Në këtë kuptim, një qeveri mund dhe duhet të marrë çdo masë apo të kërkojë një veprim të detyrueshëm nga ana e individëve, nëse nuk ka mundësi tjetër, për të siguruar këto të drejta. Sepse në të kundërt, nuk do ekzistonte, as siguracioni i detyrueshëm i automjeteve, as disa lloje siguracionesh të tjera shëndetësore të detyrueshme.

Në këtë mënyrë, siguracioni i detyrueshëm, jo vetëm që siguron jetën dhe pronën e një individi, por edhe të të gjithë shoqërisë, sepse një mosveprim i tillë shkakton kosto financiare për të gjithë.

Së dyti, dëmshpërblimet e përsëritura çdo vit nga buxheti i shtetit, që mbetet e vetmja mënyrë për të përballuar dëmet nga përmbytjet, janë totalisht të padrejta në sensin e përgjegjësisë së përgjithshme që një qeveri duhet të ketë kundrejt shoqërisë. Këto kosto financiare janë duke u përballuar nga taksapaguesit shqiptar çdo vit.

Përse vallë taksat tona duhet të shkojnë në mënyrë të përsëritur për dëmshpërblimet e një katastrofe që çdo vit është e paralajmëruar dhe nuk merret asnjë masë? Me gjithë ndjeshmërinë dhe keqardhjen për banorët e këtyre zonave, shoqëria shqiptare ka shumë probleme të tjera, të cilat kërkojnë para për t’u përballuar. Prandaj, në një shoqëri komplekse ekziston parimi i vetëfinancimit të sektorëve të ndryshëm, pasi qeveria është përgjegjëse për të gjitha ato dhe, duke qenë se nuk mund t’i përballojë, luan rolin e rregullatorit për të gjithë shoqërinë dhe problematika e ndryshme. Jo vetëm kaq, por kështu si po trajtohet problemi i dëmshpërblimeve, po na kushton më shumë financiarisht se sa do të ishte kostoja nëpërmjet siguracioneve.

Së treti, këtu nuk kemi të bëjmë me një taksë të re, ashtu sikurse pretendon një pjesë e opinionit publik. Taksë do të thotë kontributi nga të ardhurat ekonomike të individëve apo të bizneseve për të siguruar buxhetin e shtetit të përballojë shërbimet publike. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një shpenzim financiar për shërbimet publike, por për një shpenzim që kërkon të sigurojë pronën private individuale nga katastrofat natyrore.

Megjithatë, që një skemë e tillë të aplikohet me sukses, kërkon një treg siguracionesh që funksionon, të rregulluar sipas kritereve të tregut dhe të monitoruar rreptësisht nga Autoriteti i Konkurrencës, apo një sërë studimesh të tjera teknike financiare. Treg , i cili deri më tani nuk ka funksionuar dhe ka patur shumë problematika që pengojnë aplikimin e siguracioneve të detyrueshme mbi pronat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *