Ballina Mapo Libri & Ide Pëshpërima për të rezistuar

Pëshpërima për të rezistuar

(Shënime për romanin “Pëshpërimë gruaje” të autores Klara Buda)

Nga Agim Baçi

Një shoqëri që nuk është e gatshme të presë ardhjen e një fëmije në jetë ajo ka vulosur vdekjen e saj, edhe pse nuk e di. Klara Buda ka mundur ta sjellë si një pëshpërimë gruaje atë që arriti të mbijetonte në një shoqëri ku gjithkush ishte i rrethuar, edhe pse mendonte se kishte një hapësirë për të lëvizur. Duke vënë në betejë dashurinë me fytyrën e vdekjes pikërisht në jetën studentore, Buda ka mundur të ndërtojë filozofinë e kohës, që prodhonte njerëz pa identitet, të cilët duhej të çliroheshin edhe nga dashuria, si e vetmja ndjesi që e rrezikonte fytyrën e diktaturës. Ashtu siç e ka theksuar edhe filozofja Hanah Arendt, teksa shkruante në librin e saj “Gjendja njerëzore” se, “Dashuria, nga natyra e saj, është hyjnore dhe pikërisht për këtë a është jo vetëm apolitike por edhe antipolitike, ndoshta me e fuqishmja e të gjitha forcave antipolitike njerëzore“.

Alma dhe Adriani janë edhe dy anët e medaljes të vëna përballë. Alma që ka mbështetjen dhe Adriani që duhet të luftojë. Mjaftojnë ca këngë, ca fjalë të thëna , e sidomos një ditar, që Adriani të arrestohet. Por pse një ditar përbën një dëshmi për ta burgosur një njeri në një sistem? Sepse diktatura do njerëz pa kujtesë, do njerëz pa të shkuar. Të shkuarën e rindërton partia ndaj njerëzit nuk kanë nevojë të mbajnë shënime. Një rrëfim i vendosur në emocione arrin të plotësojë një mozaik personazhesh që bashkohen në një moto skllavi: “Të hamë bukë!”. Një shprehje që përfshin gjithë angazhimin e një populli që humbi gjithçka dhe tashmë duhej të numëronte vaktet që duhet të siguronte. Duket një garë e njëjtë si qentë e qytetit që shqyhen për një copë bukë që duhet ta gjejnë në mbeturinat, të cilat mezi gjenden.

-Partia ka vendosur për këtë ushqim dhe refuzimi i tij është refuzim i kushteve të aksionit. Armiku i klasës këtë kërkon, t’i largojë të rinjtë nga rruga e drejtë dhe ju jeni një vegël e tij. Ky është një aksion rinie, roli i tij është edukimi i njeriut të ri dhe çdo hollësi e jetës këtu është në këtë funksion. Qëllimi i aksionit të rinisë është edukimi jo vetëm përmes punës, por ushqimit të mensës dhe pushimit në kolektivitet, që është grada më e lartë e bashkëjetesës në grup e që rrjedh prej moralit komunist; këtu nuk ka vend për sjellje të tilla; të rinjtë punojnë vullnetarisht. Ushqimi që ofrohet duhet të plotësojë nevoja biologjike, por jo tekat dhe preferencat borgjeze…” (Klara Buda, “Pëshpërimë gruaje”, “Mapo Editions” 2017, f. 136)

Për të arritur në majën e absurdes Buda fut në skenë debatin për një palë mbathje në nivelet më të larta qeveritare. Janë mbathjet që Alma ka harruar në shtëpinë e të dashurit, që tashmë është i ndëshkuari i sistemit sepse nuk ka pranuar të jetë në rreshtin e skllevërve. Mamaja e Adrianit ia dërgon të atit të Almës që është në krye të kulturës, duke dhënë kështu skenën e asaj çka prodhonte ai sistem- kontrollin e jetës deri në imtësi, deri te gjithçka që duhej të ishte vetëm e jotja.

Mozaiku i personazheve që plotësojnë humbje pas humbje të vlerave njerëzore ka në qendër edhe Qanon, përgjegjësin e morgut në Universitet. Janë të vdekurit dhe forma që u jepet atyre ata që janë të rëndësishëm për një sistem. Atje kërkohet edhe të dorëzohet “pasoja e dashurisë” e më pas rikthimi në shoqëri “të riqepur sipas parimeve socialiste”.

Rrëfimi, i ndërtuar me fjali që duket sikur nuk përfundojnë, me mendime që nisin e nuk mbërrijnë, jep edhe një shoqëri në kaos, që ka frikë nga gjithçka. E vetmja shpresë janë të rinjtë që nuk do të vijojnë të pranojnë skllavërinë, edhe pse jetojnë në një sistem ku numërohen duartrokitjet, ku gjykohesh për vështrimin se nuk kishte “entuziazmin e duhur revolucionar”. Një pamje e tillë që ka sinonim veç vdekjen merr formën e vet më të ashpër te pafuqia për të lënë jetën të mbërrijë, si firma e pakundërshtueshme se gjithçka nën diktaturë kundër jetës.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here