Pas komenteve të aktorit të njohur, Iljazaj: Prorusët të dalin hapur

Postuar më: 05 December 2017 10:45

Aktori kosovar Enver Petrovci ka habitur shumëkënd me një intervistë të dhënë për gazetën bulevardeske të Beogradit “Kurir”.

Ai nuk ka pasur frikë të thotë shumë gjëra që njerëzit në moshën e tij i përshpërisin nën zë në Prishtinë.

Si p.sh., se dikur në Beograd është ndjerë shumë më i lirë sesa sot në vendlindjen e tij ë cilin e quan një diktaturë.

“Jetojmë në diktaturë. S’ke siguri nëse flet diçka kundër pushtetit. Menjëherë gjendesh në listën e zezë, s’ke punë. Thjesht, nuk ekziston”.

Petrovci ka folur me nostalgji për ish-Jugosllavinë dhe me admirim për liderin e saj Josif Broz Titon “i cili arriti të ndërtonte një shtet serioz”.

Ai ka thënë se Europa e sotme po kopjon modelin titist ku jetonin të lumtura në bashkëjetesë edhe muslimanët edhe katolikët edhe ortodoksët dhe kohën kur ai punonte aktor teatri dhe filmi në Beograd.

“Kushtet në teatrin Atelie 212 në Beograd ishin të mrekullueshme. U prezantova me njerëzit më të mençur të Beogradit dhe shkoja t’u bleja cigare që të më pranojnë në shoqërinë e tyre. Natyrisht që më pranuan”, ka treguar ai gjatë qëndrimit në Beograd, ku ka shkuar për të luajtur në serialin serb “Hijet mbi Ballkan”.

Petrovci rrëfen se në Kosovë shpesh e quajnë “spiun të Serbisë”.

“Kur është nevoja, unë jam patriot, e kur s’është, jam spiun serb. Nëse i kritikoj, thonë se loboj për Serbinë. Këtë s’e bën populli. Ata më duan, më çmojnë. Dinë të thonë edhe se jam aktor dhe shqiptar i madh, kurse unë e di se çka jam. Kurrë askush s’më ka blerë. E kam folur gjithmonë atë që e kam menduar. Më ka kushtuar shumë herë dhe s’jam penduar. Kam folur se e kam jetuar bukur në Beograd”, ka thënët Petrovci për gazetën serbe.

Këto komente të aktorit të njohur dhe nisja e një emisioni televiziv nga gazetari Kastriot Myftaraj me titullin “Radio Moska”, e kanë nxitur drejtorin e gazetës Mapo, Ervis Iljazaj të bëjë një editorial me titullin: “Përse prorusët nuk dalin hapur në Shqipëri?”

“Të dyja këto elemente më dhanë spunton për të menduar faktin se mendimi prorus, apo ai prosllav në përgjithësi, me siguri duhet të jetë ende prezent në shoqërinë shqiptare. Sepse një shoqëri, e cila ka kaluar rreth 50 vite e ndikuar në çdo qelizë të saj nga doktrina komuniste e përfaqësuar në nivel ndërkombëtar nga Rusia, nuk mund të jetë kthyer brenda një periudhe kohore të shkurtër, e gjitha në proamerikane.

A mos do ishte më e dobishme që të gjitha këto qëndrime, sado pakicë të jenë, të dalin në sipërfaqe për të nxitur debatin publik në interes të Shqipërisë?

Aq më tepër në një moment ku gjeopolitika vazhdon ende të luhet nga dy aktorët kryesorë, Rusia dhe SHBA. Rajonin i Ballkanit, ku bën pjesë vendi ynë, më shumë se çdo rajon tjetër është kthyer në një betejë të ftohtë midis dy superfuqive. Ngjarjet e fundit në disa prej shteteve të këtij rajoni e tregojnë më së miri këtë.

Debati midis prorusëve dhe proamerikanëve nuk është më tabu apo i fshehtë në shumë prej vendeve europiane, duke filluar që nga Greqia, Franca, Italia etj. Të paktën në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare ka një diskutim të hapur dhe debate pafund të strategjive politike që këto vende duhet të ndjekin.

Kam përshtypjen se një diskutim i tillë, do të ishte në dobi edhe të Shqipërisë,” shkruan Iljazaj.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë:

Përse prorusët në Shqipëri nuk dalin hapur?

1 koment për këtë artikull
  1. Agmaja at 4:37 pm

    Ky gazetari Iljazaj I ka akoma buzet me qumesht.
    Ky gazetari llafos si fatmir xhafa kur ishte pionier i enverit.
    Fatmiri thoshte kur ishte pionier I enverit qe shqiperija rron me mire se Kosova pamvaresishte se ne shqiperi cdo gje ishte me triska ( tollona )
    Kush nga prinderit e ketij gazetaruci ka jetuar ne pallat , gatimin e ken ber ne nevojtore dhe justifikoheshin qe nevojtoren e kemi te paster dhe e kemi ndare me burulluk.
    Prandaj shqiperija e rilindjes e meriton emrin kanabistan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *