Pak qetësi, “ilaçi” i duhur për Kukësin e trazuar

Postuar më: 06 December 2017 14:16

Pas dy disfatave në 3 ndeshjet e fundit në kampionat, ku i është dashur të lërë fushën i mundur nga rivalët e Partizanit dhe Skënderbeut, sfida me Lushnjën vjen në momentin e duhur për Kukësin.

Kampionati po tregon se diferencat mes skuadrave janë të vogla, por, gjithsesi, formacioni që mban vendin e fundit në renditje është kundërshtari ideal për t’u rikthyer te fitorja dhe gjetur pak qetësi, çka duket se është pikërisht ajo që i duhet Kukësit në këto momente.

Milinkovic ka marrë votëbesimin e presidentit, por fati i një trajneri është i vendosur gjithmonë nga rezultatet dhe teknikut serb i duhet të marrë pikët e plota në 3 përballjet e fundit të 2017-ës, respektivisht ndaj Lushnjës, Teutës dhe Luftëtarit.

Një seri ndeshjesh vendimtare për të ardhmen e trajnerit dhe skuadrës.

9 pikë diferencë ndaj Skënderbeut janë shumë dhe, edhe pse askush nuk mund ta thotë publikisht, në skuadrën verilindore kanë nisur të mësohen me idenë se titulli është një mision në kufijtë e së pamundurës.

Mbetet Europa, një objektiv që Kukësit nuk mund t’i shpëtojë nga duart, sido që të shkojnë gjërat dhe ndoshta pikërisht në funksion të pjesëmarrjes së radhës në kompeticionet europiane duhet të fokusohen edhe energjitë e klubit në merkaton e janarit.

Deri më tani ka qenë një sezon jo pak i trazuar për kampionët në fuqi, ultimatume, zëra për raporte të komplikuara dhe presion konstant. Pak qetësi do të ishte ilaçi ideal për të ndërtuar si duhet të ardhmen europiane./SuperSport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *