“Kozmetika” e kredive me probleme, pa fshirjen do ishin 22%

Postuar më: 06 December 2017 12:03

Treguesi i huave që nuk kthehen prej më shumë se 3 muajsh në banka ka shënuar një tjetër rënie gjatë muajit tetor. Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, niveli i kredive me probleme zbriti në 14.45%, nga 14.78% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë 2011.

Huatë me probleme janë ulur me shpejtësi që nga shtatori i vitit 2014, kur ato iu afruan 25%, çka nënkuptonte që një e katërta e kredive nuk po kthehej në afat. Në pjesën më të madhe kreditorët e këqij ishin bizneset, sidomos 35 korporata të mëdha që zinin mbi 60% të totalit të huave me probleme.

Në vlerë absolute, kredia e keqe në fund të tetorit ishte 80 miliardë lekë, apo rreth 590 milionë euro.

Tre vitet e fundit, sistemi bankar është përfshirë në një fazë ristrukturimi, ku një peshë të rëndësishme ka luajtur fshirja nga bilancet e kredive që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin (ndërkohë që bankat vijojnë përpjekjet për t’i mbledhur), shoqëruar me ristrukturimin e huave të tjera problematike.

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur më herët se nga janari i vitit 2015 e deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre 43 miliardë lekë ose 316 milionë euro.

Si rrjedhojë, pa fshirjen, kreditë me probleme do të ishin rreth 1.2 miliardë lekë, apo rreth 22% e totalit.

Banka e Shqipërisë ka sqaruar në raportin e mbikëqyrjes së 6-mujorit të parë se rënia e stokut të kredive me probleme është rezultat i ristrukturimit të kredive me probleme, shlyerjes së kredive të prapambetura të bizneseve dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.

Banka e Shqipërisë sqaron se cilësia e kredisë paraqitet më e dobët për kredinë në valutë, kredinë për bizneset dhe kredinë me afat të gjatë maturimi.

Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të politikës monetare thotë se rënia e raportit të kredive me probleme tregon se bilancet e sektorit bankar po përmirësohen dhe se rreziku i kreditit po vjen drejt reduktimit./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *