Gjakmarrja dhe misionarët e pajtimit

Postuar më: 06 December 2017 09:27

Nga Skënder Doda

Pas viteve ‘90 fenomeni i gjakmarrjes është trajtuar gjerësisht si nga politika, shteti, media, shoqëria civile, juristët, sociologët, psikologët. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë është ashpërsuar dënimi për vrasjet e kryera për gjakmarrje nga 30 vjet deri në burgim të përjetshëm. Policia e Shtetit krahas përpjekjeve për luftën ndaj krimit, parandalimin e vrasjeve etj., krijon bazën e të dhënave për evidentimin dhe historikun e individëve apo familjeve të prekura nga gjakmarrja. Por dhe me këtë tablo kuptojmë se ende jemi larg asaj që kërkojmë.

Shoqëria njerëzore historikisht ndihet e kërcënuar nga krimi, i cili asnjëherë nuk zbret në nivelin “zero” dhe për këtë ka politika, institucione e instrumente për ta kontrolluar e minimizuar. Ndërsa gjakmarrja duket sikur është damka jonë. Është e paimagjinueshme në shoqërinë e zhvilluar që burrat të mbyllen brenda nga frika e gjakësit që vret në emër të një kanuni të deformuar, që fëmijëve u hiqet e drejta e lëvizjes, e shkollimit, e lojës me shokë, duke qenë të shtrënguar të rriten të ngujuar në shtëpi më keq se në burg.

Duket sikur dikush është i interesuar të ketë sa më shumë raste të gjakmarrjes për të treguar se nuk dimë të bëjmë shtet. Dikush tjetër në këtë vorbull kërkon të përfitojë azil si i vetmi mjet për të përballuar vështirësitë ekonomike. Shtetin e kemi ende të brishtë. Arsyet janë të shumta dhe ndërthuren mjaft me njëra-tjetrën. Mendoj se ndër faktorët që krijojnë terren për vetëgjyqësi akoma mbeten besimi i ulët te drejtësia, arsimimi i pakët, niveli varfërisë që së bashku krijojnë një psikozë të deformuar për rolin e shtetit dhe sjellin guxim për të kryer krime.

Ne jemi shumë kur mblidhemi në kuvende ndërmjetësish, pajtimtarësh, por jo të gjithë. Ka me qindra e mijëra misionarë të tjerë anembanë vendit, burra të urtë e me ndikim, klerikë, mësues, punonjës policie, politikanë të papërlyer, drejtues pushteti e institucionesh të ndryshme, aktivistë të rinj e të reja që e kuptojnë se çfarë pasojash dramatike ka gjakmarrja dhe që veprojnë pa reshtur e me përkushtim për minimizimin pasojave të saj.

Disa vite më parë, më 20 qershor 2011, në kuvendin e pajtimit të zhvilluar në Durrës pata përmendur Nënë Terezën, sot shenjtore, për çapitjen e saj me hapa të vegjël dhe të sigurt, që do të thotë “më mirë pak e sak”. Nga ajo periudhë e këtej personalisht jam marrë me 3 raste të parandalimit të gjakmarrjes. Në dy raste ia dola të parandaloj, si dhe nxora këto përfundime: më ndihmoi informacioni i duhur dhe shpejtësia e reagimit; ma lehtësoi kontaktin njohja dhe besimi i familjeve ndaj meje; më favorizoi komunikimi i qartë dhe ndriçimi i mendjes së tyre, për të dalë nga situata e rënduar në të cilën gjendeshin.

Në rastin e tretë isha me dy persona të njohur në krahinë si burra të mirë, por dështova sepse debati mori një udhë pa krye dhe familja e viktimës që ishte gati të falte gjakun u ndie e fyer saqë vetëm dhanë 3 muaj besë. Unë nuk kam hequr dorë nga përpjekja për pajtim mes palëve, por ndërkohë rishikova dhe pozitën time në lidhje me miqtë e mi misionarë.

Gjykoj se në rastin e menaxhimit të veprimeve për frenimin e gjakmarrjes dhe pajtimit të palëve, termi “misionar” ka një kuptim paksa të zbehtë, duket si një person që lufton varfërinë shpirtërore e materiale të njerëzve paqësorë. Në fakt ky profil misionari nuk i përgjigjet energjikisht realitetit të ashpër që ekziston në këto raste. Misionar nuk të bën vetëm mosha, paraqitja e jashtme e fisme, e folura e bukur. Nuk ka rëndësi emri i tij se sa rezultati, por jam thellësisht i bindur se misionarët e vërtetë duhet të jenë të aftë dhe “diplomatë”. Thuhet se politikani rri nga ana e të fortit, prandaj edhe shpesh nuk është i besueshëm. Misionari mban anën e të dobëtit, ndërsa diplomati përpiqet të vendosë në ekuilibër marrëdhëniet ndërmjet familjes së gjakësit dhe familjes së viktimës. Madje dhe në zhargonin e përditshëm, nëse dikush shpreh konsideratë, nuk thotë që filani është “misionar i zoti”, por thotë është treguar “diplomat”, njeri që di se si ta ujdisë punën e vështirë dhe delikate të pajtimit.

Të ndërhysh për të shuar një konflikt që gjeneron gjakmarrjen ndër familje është shumë e vështirë. Janë bindjet, paragjykimet, tradita, zakonet e deformuara, koha, interesat e ndryshëm, faktorë psikologjikë, egoja personale, frika, morali etj., që pleksen me njëra-tjetrën. Unë e krahasoj me një fushë beteje ku palët e përfshira kacafyten për jeta a vdekje, ku fuqia e fjalës dhe e argumentit vendos fatin e luftës. Dhe si në çdo betejë nuk shkohet i papërgatitur, pa organizim dhe disiplinë, qoftë individuale apo kolektive kur veprohet në ekip.

Rritja e ndikimit të Misionarëve të Pajtimit kërkon që përveç staturës së tyre mjaft të pastër të jenë të përgatitur mirë paraprakisht, të dinë të bashkëpunojnë me punonjës socialë, punonjës policie të zonës, psikologë etj., të harxhojnë më shumë kohë duke mësuar se si do të përballen me palën e dëmtuar që kërkon të marrë gjakun.

Situata të tilla, siç dihet, shoqërohen me acarime, emocione të forta, ego të dikujt, madje rrezikon që kriza papritur të zhvendoset në zona të panjohura dhe ndoshta mbi vetë misionarin, i cili duhet të gjejë forcën e nevojshme argumentuese që pala e dëmtuar të kapërcejë dhimbjen e madhe dhe të dyja palët të fokusohen te qëllimi i mirë i pajtimit.                       

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *