Bashkim Shehu fiton çmimin Balkanika

Postuar më: 05 December 2017 09:21

Me romanin “Loja, shembja e qiellit”, shkrimtari Bashkim Shehu është shpallur fitues i çmimit letrar “Balkanika 2015”, duke shënuar herën e dytë për këtë shkrimtar, dhe të tretën në historinë 19-vjeçare që Shqipëria klasifikohet në vend të parë.

Është hera e dytë që shkrimtari Bashkim Shehu, përzgjidhet për të konkurruar në këtë garë letrare ndërballkanike. Në vitin 2007 ai u paraqit me romanin “Angelus novus” dhe arriti të ishte një nga tre të nominuarit e këtij çmimi.

Ceremonia është organizuar më 3 dhjetor në sallën e Qendrës Kulturore Rinore në Shkup. E përzgjedhur për këtë çmim, për vitin 2016 ishte edhe poetja Luljeta Lleshanaku, por edhe pse nuk mbërriti në marrjen e trofeut, ajo është klasifikuar si një ndër tre shkrimtaret më të mira të Ballkanit, për “Balkanika 2016”, me vëllimin poetik “Homo Antarcticus”.

Ndërsa çmimi letrar “Balkanika 2016” ka shkuar për autorin turk Murat Ozyasar për romanin “Laugh yellow”. Çmimi Letrar Balkanika jepet nga Fondacioni Balkanika me qendër ekzekutive në Sofje të Bullgarisë. Anëtarë të këtij Fondacioni janë shtëpitë botuese: Biblioteka 48 (Bullgari), Toena (Shqipëri), Magor (FYROM), Kedros (Greqi), Laguna (Serbi), Can (Turqi), Muzeul National al Literaturii Romane (Rumani).

Më parë këtë çmim e kanë marrë shkrimtarët shqiptarë Fatos Kongoli me romanin “Ëndrra e Damokleut” (2002) dhe Ismail Kadare me romanin “E penguara” (2009). Për Çmimin “Balkanika 2015”, shkrimtari Bashkim Shehu ishte në garë me 6 autorë nga 6 vende të Ballkanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *