Aksioni antiinformalitet, Ahmetaj dhe Sejko paralajmërojnë bizneset me dy bilance

Postuar më: 07 December 2017 12:47

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në kuadër të luftës kundër informalitetit, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, kanë theksuar fokusin e aksionit ndaj bizneseve të mëdha.

Ahmetaj theksoi se këto biznese punojnë me dy bilance dhe kanë sjellë kreditimin e keq në vend. Ndërsa guvernatori theksoi se nuk do t’u jepen më kredi atyre biznese të cilat punojnë me dy standarde.

“Ne angazhohemi të marrin vetëm një bilanc zyrtar që është pasqyruar në faturat tatimore. Janë dy aspekte për këtë nismë. Së pari, ulja e kredive me probleme në ekonomi. Kjo problematikë u trajtua gjerësisht në mandatin e parë. Grupi i punës hartoi një strategji me qëllim reduktimin e kredive me probleme, ku një ndër masat ishte dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore. Ky plan masash është konsultuar edhe me bankat e nivelit të dytë. Duhet të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive”- tha ministri Ahmetaj.

“Mungesa e financave kanë kontribuar në kreditë me probleme. Përtej ndikimit negativ që ka dhënë në shtimin e kreditimit të keq, sipërmarrësit janë përballur me sfida të paparashikuar prej tyre. Kredidhënia të mbështet vetëm në deklaratat tatimore. BSH e ka trajtuar dhe më parë këtë dukuri”, deklaroi Guvernatori Gent Sejko.

“Në këtë fazë kundër informalitetit kemi një fokus tek biznesi të madh. Deklarimi i pagave tejet të ulëta që nuk reflektojnë atë që është në të vërtetë. Përsëris thirrjen për reflektim qoftë nga sistemi bankar qoftë nga bizneset”, u shpreh më tej kreu i Financave./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *