32 vite ‘errësirë’, mësuesja: Nuk shikoj me sy, por me mendje dhe shpirt

Postuar më: 04 December 2017 13:29

Nuk shikoj me sy, por me mendje dhe shpirt.” Kjo është motoja e Florentina Bejdullaj e cila ka humbur shikimin në moshën 5-vjeçare. Ajo tregon jetën e saj në 32 vite ‘errësirë’, punën e saj si mësuese dhe dëshirat që ka për të ardhmen.

Florentina shprehet se nuk mund ta kuptonte se çfare i kishte ndodhur, ndërkohë që tregon vuajtjet që hasën prindërit prej problemit të saj.

Pas hapjes së kufijve, në vitin `91 familja e saj emigroi në Greqi në kërkim të mjekëve më të mirë për rikthimin e shikimit të së bijës.

Pas 23 viteve në emigracion, ajo dhe familja e saj vendosën që të ktheheshin në Shqipëri. Prej 5 vitesh 37-vjeçarja jeton në Tiranë ku ka mundur të integrohet. Ajo punon si mësuese e gjuhës dhe letërsisë greke pranë një shkolle private. Për mikrofonin tonë ajo thekson se ka vështirësi të mëdha, pothuajse e ka të pamundur të lëvizë vetëm. Infrastruktura, ndryshe nga ajo në Greqi, në vendin tonë pothuajse mungon fare.

Fatkeqësisht në kryeqytet janë vetëm dy rrugë që kanë sinjalistikën e nevojshme për personat e verbër. Një segment i unazës së Vogël si dhe rruga mbrapa Muzeut Kombëtar.

Florentina ka një karakter të fortë, mungesa e shikimit për të nuk është pengesë.

Një vit më parë ajo ka mbaruar studimet doktorale. Në ndihmë të të verbërve ajo ka shkruar dhe një libër të cilin e nis me kryefjalën e saj që e ka shoqëruar deri më tani: ”Nuk shikoj me sy, por me mendje dhe shpirt.”

Dëshira e saj më e madhe është që të punojë për integrimin e fëmijëve të verbër për një arsim gjithë përfshirës. Edhe pse ka aplikuar në shumë institucione shtetërore, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Florentina nuk është rasti i vetëm që ndesh me problemet që hasin të verbërit. Ajo i bën apel institucioneve shtetërore që të bëjnë sado pak për këta njerëz që dhe ata të ndihen të barabartë me këdo./Klan Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *