Veliaj nderon me “Medaljen e Mirënjohjes” boksierin kampion Ferit Keta

Postuar më: 24 November 2017 12:04

Kampioni i saposhpallur i Gjermanisë në boks, Ferit Keta, i cili mban njëkohësisht edhe titullin kampion Europe në Kikboks, u nderua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. I shoqëruar edhe nga i vëllai dhe trajneri i tij, boksieri i mirënjohur Ismail Keta, tre herë Kampion Europe në boks dhe kikboks, Ferit Keta u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku Veliaj, i cili i dorëzoi titullin në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë, duke nderuar vendin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe për promovimin e sportit tek të vegjlit e qytetit.

“Kjo është një medalje që e japim për të gjithë ata që i sjellin nder qytetit tonë. Ti na ke sjellë shumë nder, jo vetëm që ke dalë kampion në Gjermani, por e ke bërë këtë me flamurin shqiptar. E di që është shumë kollaj, e ndonjëherë ka sportistë që tundohen dhe thonë: meqë unë vij nga një vend modest, me një shtet jo shumë të fortë, po e lë vendin tim sepse po më ofron diçka më shumë ky vendi tjetër. Por, ajo që kam kuptuar nga ty është se një sportist i vërtetë, një kampion i vërtetë, nuk bën tender për atdheun, sepse atdhe ka atë që ka dhe ndihet krenar”, tha Veliaj.

Ai falenderoi boksierin Keta për transmetimin e vlerave më të mira të sportit tek të rinjtë e qytetit të Tiranës, ku rezultatet pozitive nuk kanë munguar, sikurse është rasti i dy djemve Mikel Alliu dhe Roxhers Muslia, të cilët fituan mbrëmjen e 4 nëntorit përballë kundërshtarëve në Mynih. “

Ne të falenderojmë shumë për nderin që na ke sjellë, jo vetëm si shqiptar, por edhe si dikush që këtu në Tiranë drejton një sipërmarrje fantastike sportive të familjes Keta, të Ismailit, Gjetanit që bëhet me shumë sakrificë, që nuk bëhet për fitim, por bëhet me shumë pasion, me shpresë që jo vetëm me qenë vetë i suksesshëm, por për t’u siguruar që ata që vijnë pas teje, djem dhe vajza të këtij qyteti, që ndoshta kërkojnë një motiv, një inkurajim, ju ia keni dhënë këtë mundësi. Kështu që, edhe për çmimin, edhe për krenarinë, por edhe për punën fantastike, të jam shumë mirënjohës dhe ta jap këtë në emër të qytetit të Tiranës”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, kampioni Ismail Keta  që është edhe trajneri i tij, i dhuroi Kryetarit të Bashkisë, Veliaj dorezat e boksit të Ferit Ketës, me të cilat ai u ndesh dhe u shpall Kampion i Gjermanisë në ringun profesionist.

Tre vëllezërit Keta kanë fituar deri tani 8 tituj Kampion Europe dhe Bote, konkretisht Ismail Keta tre herë kampion bote në Kik Boks, Gjetan Keta Kampion Europe tre herë në boks dhe Kikboks dhe së fundmi Feriti, Kampion Europe në Kikboks dhe kampion Gjermanie në boks duke garuar gjithnjë me flamurin tonë kombëtar në ring.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *