Trendi: Botimet “Dituria”, çfarë do të gjejnë fëmijët në panair

Postuar më: 18 November 2017 11:35

Panairi i librit dhe lexuesit në edicionin e njëzetë të tij. Në stendën e Diturisë, lexuesit janë të panumërt. Por këtë vit, janë shtuar mjaft lexuesit e vegjël, apo lexuesit e fortë të së ardhmes, siç na pëlqen t’i quajmë. Sigurisht për sagën e famshme të Harry Potterit, që është kthyer në një “provë” për fëmijët, pjesë e rëndësishme e fëmijërisë së tyre, diskutimeve, modeleve dhe adhurimit dhe domosdo, ata që e njohin (e kush nuk e njeh!) vijnë turravrap te seria Harry Potter

Panairi i Librit “Tirana 2017” po vlon nga lexuesit në edicionin e njëzetë të tij. Në stendën e Diturisë, lexuesit janë të panumërt. Por këtë vit, janë shtuar mjaft lexuesit e vegjël, apo lexuesit e fortë të së ardhmes, siç na pëlqen t’i quajmë. Sigurisht për sagën e famshme të Harry Potterit, që është kthyer në një “provë” për fëmijët, pjesë e rëndësishme e fëmijërisë së tyre, diskutimeve, modeleve dhe adhurimit dhe domosdo, ata që e njohin (e kush nuk e njeh!) vijnë turravrap te seria Harry Potter, ku i pret një vajzë e pasionuar pas letërsisë me fjalët “Mirë se erdhët në botën magjike të Harry Potterit”. Librat e kësaj serie nuk ndalin së qeni në duart e fansave, të vjetër e të rinj, dhe aq më tepër për ata që ende nuk e kanë marrë më të fundit libër, Harry Potter dhe Fëmija i mallkuar.

Por këtë vit Dituria ka edhe  shumë tituj të rinj, pjesë e programit Europa Krijuese të Bashkimit Europian, që mund të gjenden në këndin e përgatitur enkas. Gjenden lehtësisht, se dallohen nga kopertinat shumëngjyrëshe.

Më i fundit, i sapodalë nga laboratori i Diturisë, është Dëgjoje zemrën time (Bianca Pitzorno, përkthyer nga Erion Kristo). Më parë vijnë Olga prej letre. Një udhëtim i jashtëzakonshëm (Elisabetta Gnone, që e solli në shqip Albana Nexhipi), dy romane për të rinj nga autorja greke Alki Zei, Kostandina dhe Çadra e purpurt (përkthyen Maklena F. Nika dhe Kleo Lati), Skellig. Historia magjike e një miqësie të pazakontë (David Almond, përkthyer nga Erblina Kërçishta), dy libra të mrekullueshëm me ilustrime për më të vegjlit: Princesha Histaminë (Erik Orsenna, përktheu Venera Domi) dhe A di të fërshëllesh, Johana? (Ulf Stark, përktheu Sokol Demaku). Kebaria, vajza që lexonte bukur (Janja Vidmar, me përkthimin e Nikollë Berishajt) mbyll pakon dhuratë prej tetë librash argëtues për lexuesit e moshave 8-14, pse jo edhe për prindërit e tyre, pjesë e Projektit të Diturisë Different Voices.

Me një përkthim të ri, të bukur dhe besnik, nga Diana Çuli, ka ardhur klasiku për fëmijë Princi i vogël nga Antoine de Saint-Exupéry, një libër që fiton zemrat e fëmijëve me historinë e thjeshtë, por plot me mesazhe të thella e të larmishme për të gjithë.

Nëntë libra të rinj e shumë personazhe, djem e vajza të shkathët e të mençur, me të cilët fëmijët mund të mësojnë e të argëtohen, qindra aventura e po aq çapkënllëqe. Do të zbaviten pa masë me Priskën (Dëgjoje zemrën time), do të shkrihen gazit me Letronë dhe dy vëllezërit e saj të prapë binjakë, sidomos me Noni thuthuqin gjithë quka (Çadra e purpurt), do të habiten nga guximtarja Olga, vogëlushja jonë prej letre që nuk do më të jetë e tillë (i mrekullueshëm, që kur nis të lexosh). Nga vajza rome me emrin Kebarie do të nxënë dashurinë për librat e se çfarë është  respekti për tjetrin. Fëmijët do të ndjekin pas Berrën, kur të shkojë të “adoptojë” një gjysh në shtëpinë e të moshuarve… (me siguri këtu do të përloten që të gjithë, edhe prindërit!). Ky libër “A di të fërshëllesh, Johana?” është një histori shumë e veçantë, që nuk jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh. Zakonisht ndodh të birësohen fëmijë nga prindër, por nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që një fëmijë të birësojë… të birësojë një gjysh. Pikërisht këtë bën Berra, djaloshi i vogël në libër: së bashku me shokun e tij Ulf, shkon në një shtëpi të moshuarish, që ndodhet pranë shtëpisë së tij, për të gjetur një gjysh, sepse nuk ka. Mes tyre lind një miqësi e sinqertë, një lidhje e ngushtë, gati-gati familjare, një lidhje siç është në të vërtetë ajo mes një gjyshi dhe një nipi. Rrëfimi në këtë libër është sa prekës, aq edhe motivues.

Është Erik Orsenna, shkrimtar, anëtar i Akademisë Franceze, ai që ka shkruar librin për fëmijë “Princesha Histaminë”. Midis librave të tij të famshëm, mbase më të njohurit, janë ata për fëmijë. Dituria ka botuar “Gramatika është një këngë e bukur” dhe,më pas “Princesha Histaminë”, do të vijojnë edhe tituj të tjerë. Pse? Sepse është e vështirë t’u kalosh mënjanë, pa u hedhur një sy, librave të Orsennasë për fëmijë, që dallohen për humorin, aventurat, gëzimin që përcjellin. Fëmijët jo vetëm do të argëtohen me librin e tij, por edhe mësojnë shumë. I vlerësuar me një sërë çmimesh të rëndësishme letrare, si çmimi Roger-Nimier më 1978 dhe çmimi Goncourt më 1988.

Por, lista e botimeve të reja është e gjatë, pa dyshim, prandaj ju ftojmë në stendën tonë: Të jemi bashkë, të prekim, të shfletojmë dhe të diskutojmë për librat për fëmijë.

Lexim të këndshëm nga Dituria, miq të vegjël të librit!

Venera Domi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *