‘Shkarkimi i Zgurit’: Ja shkresa që rrëzon pretendimin e PS

Postuar më: 14 November 2017 14:27

Partia Socialiste doli edhe të martën në një konferencë për shtyp, ku sulmoi kreun e KQZ, Klement Zguri, se është treguar i njëanshëm sa i përket çështjes së mandatit të kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Një ditë më parë PS vendosi për nisjen e procedurave të shkarkimit të kreut të KQZ me pretendimin se nuk ka njoftuar anëtarët e tjerë të këtij institucioni me kërkesën e Prokurorisë për Kapllanajn.

Por kjo shkresë e siguruar nga Mapo.al, rrëzon pretendimet e socialistëve.

Ajo tregon se dokumenti i Prokurorisë për Kapllanajn është protokolluar dhe u është shpërndarë anëtarëve të KQZ.

Materialet nga Prokuroria kanë mbëritur në datën 16 tetor në KQZ dhe janë protokolluar më 17 tetor.

Në shkresën sqaruese të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, dërguar anëtarit Hysen Osmanaj, thuhet se “në datë 17.10.2017 është bërë nxjerrja e këtyre shkresave nga zyra e Kryetarit të KQZ-së dhe po në datën 17.10.2017, është bërë dorëzimi për anëtarët e KQZ-së, tek sekretarja Elna Dai, e cila ka nënshkruar në regjistrin përkatës për marrjen në dorëzim të këtyre shkresave me numër kopje gjashtë”.

Në dokumentacionin e Prokurorisë sqarohet se vepra penale e konsumuar nga Kapllanaj është parashkruar, pasi ka kaluar afatin 10-vjeçar. Kjo ka bërë që çështja të arkivohet.

Në disa media, lajmi për nisjen e procedurës së shkarkimit të Zgurit është interpretuar si prishje e marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të arritur më 18 maj.

Por vendimi i Kuvendit parashikon se mandati i Zgurit është deri në vitin 2020.

Zguri u zgjodh përballë një tjetër kandidature si kryetar i KQZ-së.

Ky rast duket se mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *