Rrëfimi i dëshmitarit shqiptar: Si më detyruan forcat serbe të rrihem me vëllain

Postuar më: 13 November 2017 21:06

Bekim Musa, dëshmitari në gjykimin për krime lufte të ushtarit serb Zoran Vukotiç, tregoi si i akuzuari e detyroi të rrihet me vëllanë.

Në gjykimin e Zoran Vukotiçit për krime lufte ndaj popullatës civile në zonën e Vushtrrisë, dëshmitari Bekim Musa tregoi për torturat që i ka bërë atij dhe të tjerëve i akuzuari.

Bekim Musa tregoi në gjykatë se ishte i burgosur bashkë me vëllanë e tij, ndërsa rrëfeu se si Vukotiç i kishte detyruar dy vëllezërit të rrihen me njeri-tjetrin.

“Zorani më ka detyruar me u rrah me vëllain tim Shukriun”, tha dëshmitari Musa.

Ai më pas shpjegoi detaje se si ndodhi kjo rrahje.

“Na kanë qit ballë për ballë sikur në ring dhe na kanë thanë me u rrah në mes veti. Ne kemi fillu me u rrah pak, pastaj Zorani më ka godit me shuplakë dhe më ka thanë jo kshtu, më shumë. Pas kësaj i kam thanë vellait më mirë me më rrahë ti, sesa me na rrahë kta dhe kemi fillu me u rrahë me njëri-tjetrin”, tha dëshmitari Musa.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit se si silleshin të burgosurit në Smrekonicë kur në ndërrim ishte Zoran Vukotiçi, dëshmitari tha se kishte të burgosur që për t’iu shmangur maltretimeve nuk shkonin as për të ngrënë bukë në kuzhinën e burgut.

“Sa kemi qëndru në Burgun e Smrekonicës, e di që kur ka qenë radha që Zorani me ba roje, të gjithë të burgosurit frikësoheshin. Ka pasur edhe prej atyre qe as bukë nuk kanë shku me hangër për shkak të frikës nga ai”, tha dëshmitari Musa.

Ai përmendi edhe një rast tjetër kur tha se u rrah nga Zoran Vukotiçi.

“Zorani më ka rrahur me pendrek duarve, kur kam shkuar ne kuzhinë për të ngrënë bukë”, tha dëshmitari.

Bekim Musa tha se ka dëgjuar se tash i akuzuari Vukotiq e kishte detyruar një të burgosur ta rrihte babanë e tij.

“Me pa nuk e kam pa, por kam ndi që e kanë detyru djalin me e rrah babain dhe krejtve na ka ardhë shumë keq, se ma zor se me rrah djali babën nuk ka, aq më pak kur je i detyruar”, tha dëshmitari.

Në seancën e kaluar njëri nga dëshmitarët tregoi se e kishte parë Vukotiçin teksa kishte vrarë një 14 vjeçar në Studime të Vushtrrisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafunda, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mulaku, Xhavit Mulaku, Fatmir (Ahmet) Gerxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një 14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gerxhaliu dhe Musa Gerxhaliu.

Një akuzë tjetër ndaj Vukotiçit u ngrit më 17 maj të këtij viti nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vukotiç akuzohet se më 5 maj 1999 në Vushtrri bashkëkryerje me të akuzuarin Goroljub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Në aktakuzë më tutje tregohet se Vukotiç e Paunoviç me dashje kanë rrahur dhe pastaj edhe vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Vukotiç akuzohet edhe për trajtimin çnjerëzor të 17 personave, të cilëve, sipas aktakuzës u shkaktoi lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiç ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë, njofton kallxo.com.

Vukotiç është deklarauar i pafajshëm në raport me dy aktakuzat e ngritura ndaj tij. Ai ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *