Programi i IEP: 5 projekte kërkimore në 5 fusha me impakt publik

Postuar më: 13 November 2017 09:53

Instituti Europian Pashko ka lançuar javën që shkoi programin kërkimor për 3 vitet e ardhshme. Ky program përbëhet nga 5 projekte kërkimore që do të drejtohen nga studiuesit më me emër në UET dhe ekipet e tyre kërkimore. Programin e përshëndeti dhe Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. 

Kërkimi shkencor dhe impaktimi në shoqëri i këtij kërkimi është detyra e një universiteti cilësor. Me 5 profesorët më të shquar të tij Universitetit Europian i Tiranës ka lançuar 5 projekte të reja kërkimore në kuadër të “Axhendës Liberale 2020”, që është programi kërkimor i mbështetur nga Instituti Europian Pashko.

Pesë projektet e reja kërkimore do të kryhen në 3 vitet në vazhdim dhe do të prekin çështje dhe sektorë të ndjeshëm të shoqërisë, si: arsimi, tregjet, kujtesa historike, feja dhe shteti etj. Synimi i çdo projekti është hulumtimi, studimi dhe përgatitja e një policy paper që do të paraqitet pranë institucioneve publike përkatëse për të ndryshuar ose përmirësuar politikëbërjen në këto fusha.

Do të jenë 5 grupe studiuesish dhe pedagogësh që nën drejtimin e profesorëve Adrian Civici, Tonin Gjuraj, Nevila Nika, Erleta Mato dhe Ferit Duka do të punojnë për këto projekte.

Duke prezantuar këtë program, presidenti i IEP-së, prof. dr. Selami Xhepa, tha se “ideja është që kërkimi shkencor që realizohet nëpërmjet veprimtarisë që zhvillon trupa jonë akademike të përcillet në formën e rekomandimeve që ne duhet t’i bëjmë politikëbërjes në Shqipëri në reformimin që duhet të kontribuojmë nëpërmjet punës sonë akademike”.

Sipas tij, puna e këtij instituti është të sjellë në publik tema që shqetësojnë sot shoqërinë dhe nxitjen e reformave, për të cilat ka nevojë kjo shoqëri. “Kërkimet shkencore, projektet studimore dhe aktivitete publike që do të zhvillojë IEP, si dhe deri më sot, do të kenë si synim të ndikojmë që politikat publike të jenë më eficiente dhe të prodhojnë rezultate pozitive për shoqërinë në tërësi. Tematikat, siç edhe i nënvizova më sipër, janë ato që sot janë dhe pika të nxehta: ekonomia dhe konkurrenca, edukimi si një e mirë publike dhe zhvillimi nëpërmjet edukimit, një ridimensionim i raporteve të shtetit dhe shoqërisë me fenë, trashëgimia historike dhe ruajtja e vlerave të saj nga rreziku i erozionit. Bota ku ne jetojmë është mjaft e pasur me probleme të këtij karakteri dhe ne duhet të gjejmë zgjidhjet tona, që i përshtaten kontekstit tonë lokal”, theksoi Xhepa.

Prezantimi i programit “Axhenda Liberale 2020” u përshëndet dhe nga Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, e cila vuri theksin te bashkëpunimi me çdo lloj organizate apo instituti që jep kontribut shkencor në fushën e sipërmarrjes e tregut të lirë.

“Doja të shprehja vullnetin që ka qeveria, por mbi të gjitha zyra e Ministrisë së Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, e cila në bashkëpunim me çfarëdolloj organizate apo instituti i cili krijohet për të dhënë një kontribut shkencor në fushën e biznesit, sipërmarrjes apo tregut të lirë. Ne jemi të gatshëm që jo vetëm ta zhvillojmë, por të marrim feedback-un nga veprimtaria e këtij instituti në mënyrë që ta parashtrojmë dhe ta marrim në shqyrtim në tryezat vendimmarrëse, aty ku edhe ky produkt do të ketë eficiencën e vet në fushën e politikëbërjes. Ndaj dhe bashkëpunimi i zyrës që unë drejtoj me këtë institut do të jetë një bashkëpunim, i cili premtohet i mirë dhe me të cilin ne premtojmë që do kemi edhe produkte të cilat sipërmarrja i kërkon për të qenë në nivelin e të gjitha sipërmarrjeve bashkëkohore në rajon për të krijuar klimën e një sipërmarrjeje sa më konkurruese, si në rajon edhe drejt BE, ku duam të futemi”, u shpreh zonja Qato.

5 projektet shkencore të IEP-së: 

“LIBERALIZIMI I TREGJEVE”, do të drejtohet nga prof. dr. Adrian Civici

“MENAXHIMI I UNIVERSITETEVE NË TREGUN E ARSIMIT TË LARTË”, drejtuar nga prof. dr. Tonin Gjuraj

“SHKOLLA, SHKOLLARI NË SHEKULLIN XXI”, drejtuar nga prof. dr. Erleta Mato

“MARRËDHËNIE E RE SHTET, FE, SHOQËRI”, drejtuar nga prof. dr. Ferit Duka

“TRASHËGIMI, KUJTESË, EDUKIM”, drejtuar nga prof. dr. Nevila Nika

Bordi i IEP miratoi strategjinë

Bordi i Institutit Europian Pashko u mblodh në fundjavën që shkoi për të miratuar strategjinë kërkimore për 3 vitet e ardhshme. Bordi i përbërë nga ish-ministri i Financave në qeverinë “Berisha”, Genc Ruli, deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, gazetarët Armand Shkullaku dhe Mustafa Nano, si edhe ekonomisti Selami Xhepa, i cili kryeson këtë bord, duke vendosur theksin te liberalizmi, vendosën edhe prezantimin e një programi kërkimor trevjeçar me titullin “Axhenda Liberale 2020”, pjesë e të cilit do të jenë pesë projektet kërkimore të prezantuara dje. Pasi diskutuan dhe forcuan argumentet mbi temat që do të përfshijë programi i ri, anëtarët ishin të njëmendi rreth nevojës që ka sot shoqëria shqiptare për të thelluar përpjekjet mbi liberalizimin.

Bashkëpunimi i zyrës që unë drejtoj me këtë institut do të jetë një bashkëpunim, i cili premtohet i mirë dhe me të cilin ne premtojmë që do kemi edhe produkte të cilat sipërmarrja i kërkon për të qenë në nivelin e të gjitha sipërmarrjeve bashkëkohore në rajon për të krijuar klimën e një sipërmarrjeje sa më konkurruese, si në rajon edhe drejt BE, ku duam të futemi

 

 

“Liberalizimi i Tregjeve”, Civici: Ekonomia e tregut vuan nga trashëgimia socialiste

Një prej projekteve të axhendës liberale i kushtohet pikërisht liberalizimit të tregjeve dhe drejtohet nga ekonomisti i njohur, presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici. “Ky projekt më shumë se sa me liberalizimin e tregjeve, ka të bëjë me shikimin e tregjeve si një institucion. Ne kemi 26 vjet që themi ekonomia e tregut në Shqipëri po vuan nga disa elementë që nuk na lënë të kemi efiçencë maksimale. E para nga trashëgimia socialiste ku tregu ishte formal, nga koncepti që tregun e barazon me pazarin e ekonomisë shtëpiake dhe vuajmë dhe nga mungesa e eksperiencës së tregut si institucion, që kanë vendet e zhvilluara kapitaliste sot”, -tha Civici.

Pikërisht, projekti që ai drejton dhe ekipi i kërkuesve do të studiojë këto tri elemente. “Do t’i studiojmë dhe do të mundohemi të japim një përgjigje modeste për disa pjesë të tyre. Në radhë të parë në organizimin e tregut si institucion, në radhë të dytë liberalizimin e tregjeve dhe në rradhë të tretë, rregullimin e mënyrës se si funksionojnë faktorët ekonomikë dhe raportet me pushtetin qendror ose administratën. Qëllimi është të studiohen elementet kryesore të këtyre drejtimeve dhe të mund të realizojmë disa “working paper” ose “policy paper” në formë rekomandimesh se çfarë mund të bëhet më shumë dhe më mirë që liria ekonomike në Shqipëri të jetë maksimale, që tregjet të funksionojnë në mënyrë të lirë me të gjithë faktorët e tjerë ekonomikë dhe mbi të gjitha të insistojnë në konceptin që tregu është një institucion”, theksoi Civici.

“Menaxhimi i universiteteve në tregun e arsimit të lartë”, Gjuraj: Koha për debat shkencor

Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj do të drejtojë projektin “Menaxhimi i universiteteve në tregun e arsimit të lartë”, një debat që ekziston prej disa vitesh tashmë me nisjen e reformës në arsimin e lartë. “Menaxhimi i ri i arsimit të lartë është një temë që ka pasur një debat të gjerë këto vitet e fundit. Tani është momenti që si një projekt kërkimor gjërat të jenë më shkencore dhe të prodhojnë një dokument që t’i vihet në shërbim politikëbërjes”, -tha Gjuraj.

“Kjo është një temë që ka pasur goxha trajtim dhe debat vitet e fundit. Projekti kërkimor që unë do të trajtoj, natyrisht për të gjithë ata që janë në auditor, por edhe për të tjerë jashtë këtij auditori, edhe nga universitetet e tjera, apo kërkues të tjerë që janë të interesuar, do të jetë në lidhje me një lloj menaxhimi të ri të arsimit të lartë apo universitetet në kushtet e tregut. Është një projekt 3-vjeçar 2017-2020. Gjatë këtyre viteve kemi folur shumë për atë që quhet Sektori Privat i Arsimit të Lartë. Kemi pasur suksese, kemi pasur dështime dhe e themi tërësisht që ka një lloj stabilizimi të këtij sektori, por nga ana tjetër ka plot pengesa, barriera, dhimbje pse jo, dhe ndoshta ka ardhur koha për një artikulim të ri, të flasim për tregun e edukimit dhe arsimit të lartë . Besoj që ky treg mund të sigurojë produkte më të mira arsimore, një kërkim shkencor më të mirë dhe standarde të një cilësie më të lartë. Këtu, së bashku me kolegët ne do përqendrohemi te çështje që lidhen ndoshta me impaktet që ka pasur reforma”, -tha ndër të tjera profesor Gjuraj.

“Trashëgimi, kujtesë, edukim”, Nika: T’i kthehemi të kaluarës për të parë të ardhmen

Një projekt shumë interesant është ai që do të drejtohet nga dekania e re e Fakultetit Juridik në UET, prof. dr. Nevila Nika, “Trashëgimi, kujtesë, edukim”, e cila vjen nga një eksperiencë e gjatë në arkiva. Ky projekt historik ka të bëjë me trashëgiminë dhe kujtesën historike, që për Nikën është fenomeni i erozionit të kujtesës. Sipas Nikës projekti parashikon që të kemi një kthim pas në të kaluarën, për të kapur pikërisht atë që i duhet të sotmes tonë për të parë më mirë të ardhmen.

“Është nder për mua që ta drejtoj këtë projekt, që ka të bëjë me një fenomen i cili e ka prekur shoqërinë tonë, i cili është erozioni i kujtesës. Erozioni i kujtesës i cili pak a shumë na prek të gjithëve, projekti parashikon që të kemi një kthim paska në të kaluarën, jo për ta sharë apo lavdëruar por për të kapur pikërisht atë që i duhet të sotmes tonë për të parë më mirë të ardhmen. Do të thotë ku kemi gabuar, çfarë nuk e kemi bërë mirë për ta bërë akoma më mirë, në këtë drejtim e kemi titulluar trashëgimia dhe kujtesa. Do të thotë që edhe trashëgimia kulturore na vlen, por ky projekt do të jetë edhe në ndihmë të politikëbërjes, të diplomacisë, asaj pjese që nuk është shumë e prekshme, por që ndihmon jashtëzakonisht shumë”, u shpreh Nika.

“Shkolla, shkollari në shekullin XXI”, Mato: Na duhet filozofi e re në arsimin parauniversitar

Projekti që do të udhëheqë prof. dr. Erleta Mato ka të bëjë me filozofinë e re arsimore në arsimin parauniversitar dhe titullohet “Shkolla, shkollari në shekullin XXI”.

“Ne jemi pothuajse të gjithë të profesioneve të ndryshme, por na bashkon një gjë, jemi të gjithë pedagogë. Pikërisht nga kjo flasim gjithmonë për rëndësinë që ka edukimi i brezave që vijnë në universitete. Realisht opinionet tona për edukimin janë të ndryshme, por gjithmonë i referohemi një konteksti, arsimit parauniversitar. Edhe projekti, i cili m’u ngarkua mbështetet pikërisht te filozofia e re arsimore në arsimin parauniversitar. Të edukuarin e individëve mbi bazën e filozofisë konstruktiviste progresiste, njerëz të interesuar për shoqërinë, njerëz të mirinformuar, kritikë, të balancuar, mendimtarë, njerëz që marrin në konsideratë rreziqet gjatë veprimtarisë së tyre dhe njerëz që në fund të fundit janë qytetarët e edukimit global, pra e shoqërisë të cilën ne përpiqemi së bashku ta ndërtojmë çdo ditë. Do t’ju propozoja t’i bashkoheni grupit të edukimit që së bashku të mund të ndërtojmë një dokument, i cili në një farë mënyre do transformonte edukimin që deri sot ka vuajtur probleme të së kaluarës, probleme historike apo të etnisë, por më shumë se gjithçka ka vuajtur problemin e një kaotizmi që realisht duhet të marrë fund dhe duhet ta bëjë edukimin gjithnjë e më të përsosur”, u shpreh Mato.

“Marrëdhënie e re shtet, fe, shoqëri”, Duka: Duhet një zgjidhje e qëndrueshme shtet-fe

Historiani i njohur dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Edukimit në UET, prof. dr. Ferit Duka do të drejtojë ekipin e studiuesve për një temë delikate, por që iu përgjigjet shqetësimeve të kohës, atë të marrëdhënies së shtetit me fenë dhe rolin e fesë në shoqëri “Marrëdhënie e re shtet, fe, shoqëri”.

“Grupi që kam nderin të drejtoj ka për qëllim që nëpërmjet një studimi dhe investigimi të kontekstit historik dhe aktual të marrëdhënieve të shtetit dhe të fesë të shohë problematikat që ka sot kjo marrëdhënie, t’i studiojë ato dhe pse jo të konkludojë edhe në rezultate të tilla siç janë për shembull “policy paper” apo paketa propozimesh të cilat do të synojnë që të çojnë në rekomandime për të rregulluar sot këtë marrëdhënie që ka kohën aktuale në mënyrë që shumë çështje që kanë të bëjnë sot me veprimtarinë e komuniteteve fetare, me juridiksionin e shtetit në raport me komunitetet fetare, të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme”, theksoi profesor Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *