“Pashallëqet” e fjalës

Postuar më: 18 November 2017 11:49

Nga Dr. Mirela Oktrova

Kohë si këto, në të cilat media e ndjen të nevojshme të ridefinojë raportet e veta me politikën, evidentojnë më fort se kurrë të vetëndjerin e saj si “pushtet i katërt”, pavarësisht hasjes apo jo të termit në ligjërim. Po pikërisht në mëtimin për autoritet shoqëror dhe matje forcash, media rezulton jo vetëm e ngjashme me pushtetet e tjera, por edhe bashkëpërgjegjëse, për situatën, që sot rastësisht e pëson vetë.

Po ç’e bashkon median me pushtetet e tjera?

Së pari, karakteri përfaqësues i informacionit të përzgjedhur, krejtësisht në kontradiktë me masivitetin e komunikimit. Në aktivitetin e përditshëm seleksionimi ka peshë gjithnjë e më të konsiderueshme në raport me hetimin dhe komunikimin. Punonjësit e medias kanë gjithnjë e më shumë për profesion dhe mision jo të pasqyrojnë, por të peshojnë lajmet, për të ndarë, se cilin prej tyre do ta kalojnë në komunikim masiv dhe cilin jo – një vendim i ngjashëm me atë të çdo parlamentari, të cilit i duhet të ngrejë dorën pro ose kundër vendimeve me pasoja jetike për miliona jetë, mbi të cilat bien pasojat e vendimmarrjes së tij. Pushtetin politik e legjitimon vota, gjyqësorin ligji, median interesi publik. Pushteti politik s’është përjetësisht legjitim – mund të humbasë shumicën apo të mos marrë votëbesim. Legjitimiteti i gjyqësorit është gjithashtu i lidhur në mandate, hierarki, afate dhe procedura. Shkurt: tre nga katër pushtetet kontrollohen nga votuesit, nga hierarkia, po dhe nga mediat.

Po kush kontrollon vallë “pushtetin e katërt”? Kush verifikon legjitimitetin e tij? Kush i jep votëbesim?

Vallë publiku? Po cili publik? I specializuari, që është vetë pjesë e problemit? Apo i paspecializuari, që njeh pak ose aspak parimet e funksionimit të medias në demokraci dhe alternativat që përbëjnë etalon. Se edhe nëse i njeh nuk është patjetër e thënë që t’i identifikojë si të tilla. Po nëse jo publiku, atëherë kush tjetër? Ekzekutivi? Legjislativi? Gjyqësori? Me cilat mjete dhe para së gjithash, me cilat standarde?

Në fakt mediat e “kalojnë lumin” me marrjen e licencës dhe janë gjithmonë në “bregun e thatë” të tij nëse dinë të manipulojnë audiencën dhe instrumentet e matjes së saj si edhe ta përdorin çadrën e interesit publik jo vetëm për t’u mbrojtur, por edhe për të sulmuar. Për nëse shoqëria nuk njeh asnjë ekzistencë apo kontribut nëse s’ka prani mediatike dhe nëse legjitimimi i pushteteve të tjera vendoset në media, ndonëse ajo vetë s’ka nevojë për legjitimim, mediat nuk janë më thjesht pushtet i katërt…, po pashallarët e vetëm të fronit të lirisë fjalës, tri këmbët e pushtetshme të të cilit jo vetëm kujdesen ta mbajnë atë ngrohtë e drejtë, po dhe të kapen fort pas tij, që të mos u bien këmbët në tokë…

Synim, që i bashkon po aq sa i dobëson…

Të vetëndjerit e botës nën këmbë është jo pak i përhapur në rrethet mediatike. Dukuria, që në Perëndim njihet si të vetëndjerit e “mbinjeriut mediatik”, është kurthi, që e bën median akoma më arrogante se politika dhe publikun njësoj mosbesues ndaj të dy palëve, sëmundja që ha tirazhe e kuota teleshikuesish dhe bren së brendshmi demokracinë. Po ndonëse tejet e mprehtë lokalisht, dukuria ka karakter global. Sondazhe të specializuara në Evropën Perëndimore, evidentojnë se sipas 60-75% të të anketuarve media prej kohësh nuk reflekton shqetësimet dhe nevojat e audiencës. Nuk është e vështirë të përfytyrohen rezultatet eventuale të një sondazhi të tillë në peizazhin tonë mediatik, me superprani operatorësh, inekzistencë rregullatorësh dhe standarde kaotike, që respektohen po aq pak sa sanksionohen.

Po media si dhe pushtet e tjera nuk është thjesht dhe vetëm indiferente. Ajo është para së gjithash manipulative. Shmangia – formale sigurisht – e gazetarisë së angazhuar apo pozicionimit politik është njëri prej manipulimeve më të mëdha të dy dekadave të fundit. Pretendimi gjithnjë e më i fortë i paanësisë sterile të gazetarit apo/dhe medias, megjithëse çdo veprimtari editoriale – nga ideja te shenjat e pikësimit – është rezultat i një vendimi thjesht subjektiv, jo vetëm që është objektivisht paradoksal, por ndikon negativisht edhe në raportet profesionale me faktin dhe perceptimin. Besimi i verbër i mitit të “objektivitetit të tyre profesional” i shtyn gazetarët në rrugën “fatale” të identifikimit të vlerësimit të tyre subjektiv me standardin. Për rrjedhojë ata nuk janë pjesë e sistemit, nuk janë as jashtë sistemit, por thjesht “lundrojnë” mbi të. Kjo lind mentalitetin e rrezikshëm të arbitrit dhe vlerësimin ex catedra, që i vështirëson jetën kujtdo që bën diçka jashtë kornizave – paçka se në politikë, biznes, shkencë apo në arte.

Fushatizmin dhe mungesën e strategjisë media i vuan po aq sa pushtetet e tjera dhe i mbulon gjithashtu me arrogance, njësoj si ata. Një media që publikonte dikur një histori interesante, do të ndiqej të tjerat vetëm nëse ofrohej ndonjë trajtesë krejt të veçantë. Sot, motoja “pse ata dhe jo ne”, jo vetëm që nivelon informacionin, por dhe rrit peshën e stërhollimeve në mënyrë joproporcionale, duke rrezikuar manipulimin e së vërtetës dhe fakteve. Sigurisht, duke pretenduar monopolin e së vërtetës apo të ekskluzivitetit. Hulumtimi, verifikimi, konsultimi i burimeve të shumëfishta dhe jo së fundi monitorimi i zhvillimeve në kohë dhe hapësirë janë pjesë gjithnjë e më pak e rëndësishme e gazetarisë, së vërshuar e mbytur nga pseudolajmet politike dhe interesat klanore – që stisin lajme, inskenojnë intervista e prodhojnë debate.

Të përsëritura, jotransparente, kakofonike, pa informacion, synimi i vetëm i të cilave është menaxhimi i interesave dhe politika e vetë medias. Pra, pa kurrfarë interesi publik! Se ajo që publikut i intereson, është shumë më tepër se interesat mediatikë të politikës dhe interesat politikë të medias – po nëse kjo nuk respektohet, ne sigurisht, që s’kemi për çka të flasim tjetër, përvese vetëm për ish-ministrin e Brendshëm, për vettingun apo qoftë dhe për arrogancën e komunikimit të politikës me median.

Një shprehje idiomatike e rëndësishme komunikimi thotë: “u njohëm si shumë bashkë”. Dhe shprehja ka logjikën e saj: midis medias dhe politikës duhet ruajtur një distancë e shëndetshme, ashtu sikurse midis drejtësisë dhe politikës apo medias dhe drejtësisë. Çdo afërsi përtej kësaj distance, mund të të bëjë po aq protagonist, sa edhe të varur, mund të marrësh vëmendje dhe të japësh pavarësi. Për sa kohë palët e kanë të qartë se nuk mund të jenë miq, po thjesht bashkudhëtarë interesash, duhet edhe ta dinë, se kush pranon favore, s’mund të jetë objektiv dhe kush blen vetë status me prapaskena, nuk mund të jetë instancë morali. Po që e gjithë kjo të mos ndodhë, duhet që prioritetet të jenë diku tjetër. Dhe që kjo të funksionojë duhet të funksionojë më së pari, monitorimi i respektimit të kushteve të licencës. Nga i cili asnjë media nuk duhet të gjejë mburojë në sqetullën e politikës–majtas ose djathtas, në pushtet apo në opozitë. Vetëm një media, që s’ka gjë për të fshehur, as në burime financiare dhe as në bilance, as në burime teknologjike dhe as në menaxhim burimesh njerëzore, në licenca programore, kushte të sigurimit teknik apo të drejta autori, mund të jetë e lirë në aleanca, strategji apo objektiva, mund të kritikojë pa pasur frikë për të nesërmen…

Media e luan rolin e pushtetit të katërt, nëse, siç shprehet Maks Veber, është e aftë të ushtrojë kontroll mbi sjelljet e aktorëve të tjerë – qoftë edhe pa pëlqimin e tyre – me synim që ushtrojë ndikim në vendimmarrje. Po ndikimi i saj mund të jetë vetëm ndikim në emër të interesit publik dhe jo kundër tij. Pushteti i medias buron nga transparenca, integriteti, lidhja e fortë me audiencën dhe autoriteti i informacionit, që prezanton. Kulisat, paktet dhe spekulimet për llogari interesash në konflikt, dëmtojnë politikën ose palët e saj, po nuk sjellin asnjë përfitim afatgjatë për median dhe aq më pak dobi për publikun.

Jo më kot, nga anketimet në Europën Perëndimore rezulton, se një pjesë e konsiderueshme e publikut është e mendimit, se “politikanët vërtet nuk marrin vesh” po edhe mediat nuk punojnë më mirë, se sa subjektet, të cilëve u referohen. Po atje, problemi arrin të tematizohet, të hulumtohet dhe të pasqyrohet dhe në media, duke nxitur një proces, të cilin media duhet ta kapërcejë me sukses, nëse do të legjitimohet.

Kjo duhet të nisë dikur këtu – mbase nga vetë mediat, që debati të mos mbytet dhe debatuesit të mos etiketohen shpejt si “cenues të lirisë së shtypit”. Media bën vërtet karriera dhe i shuan ato, sajon ngjarje dhe i zhbën ato, ushqen simpati dhe i mbyt ato …, po ajo kurrsesi nuk mund të jetojë vetëm për këtë dhe vetëm nga kjo… . Nëse po, arroganca dhe arbitrariteti i saj ushqehet nga padija, varfëria dhe standardi i ulët i zhvillimit shoqëror e demokratik. Që s’mund të mbajë përjetësisht! Se pavarësisht se sa vonon, edhe shikuesi më indiferent e kupton dikur, se nuk po i flet më atij… Dhe nëse ky moment vjen – atij nuk i vlen kurrfarë legjitimi. Ai thjesht të shmang sapo të mundet: sa në kioskë – sa me pult.

Atëherë s’bëhet fjalë më as për ekzistencë – jo më për pashallëk…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *