“Nëna dhe djali”: Të mos humbësh kohën me modesti të rreme

Postuar më: 13 November 2017 09:39

Prej katër javësh shfaqja “Nëna dhe djali” e dramaturgut norvegjez Jon Fosse, propozuar me ide skenike nga regjisori Dino Mustafiq për në skenë shqiptare, po shfaqet në “Tulla Center” si “goditje” e establishmentit skenik të formave të vjetra teatrore, sidomos ato të realizmit socialist, e quajtur skena alternative. Ema Andrea e jashtëzakonshme, me kërkimet e saj të skenës së pavarur edhe pse është një “nënë” e refuzuar, me modesti të rreme

Nga Violeta Murati

Është gjë e madhe: të shkosh drejt së panjohurës dhe të kthehesh me diçka që nuk e njihje më parë…Ky është shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez, Jon Fosse, që për herë të parë njihet në Shqipëri, nga një propozim skenik i regjisorit boshnjak, Dino Mustafiq me veprën “Nëna dhe djali”. Kritika e ka thënë fjalën për Fosse-në, edhe pse në përplasje me audiencën britanike, ai nuk ka qenë aspak i interesuar të bëjë kompromis me idetë e tij.

Duke hyrë pak vonë në shkrimin e veprave dramatike, Fosse ka thënë se nuk e tërhiqte teatri, duke e menduar pothuaj një budallallëk konvencialitetin e tij, siç shpesh ndodh; sjelljet e publikut në mënyrë konvencionale, loja konvencionale, se e gjitha është vetëm një konvencionalitet, nuk është art. Ndryshe nga të qenit shkrimtar, ku në një roman duhet të përdorësh fjalë gjatë gjithë kohës, për Fosse-në në një lojë, mund të përdoren pushimet, pushimet dhe heshtjet: ajo çfarë nuk thuhet. Në fakt kjo ishte një zbulesë për të, që e lidhën dramaturgun me ritmin dhe heshtjen. Ai është krahasuar me Beckett dhe Pinter, por më pak natyralist, më liturgjik se subjektet e tij, një poet i teatrit abstrakt, mbështetur në përvojën njerëzore, në thjeshtësinë gjysmë banale, gjysmë mistike. Siç vërehet nga kritika, ndryshe nga themeluesit e dramës psikologjike e të natyralizmit të shekullit të 20-të (si Ibsen, Strindberg apo O’Neill), Jon Fosse merr një rrugë tjetër, të karrierës së tij, duke u zhvendosur në tonet ekzistenciale dhe pjesërisht fetare, duke qëndruar vetëm në teatrin bashkëkohor.

Por kjo nuk tregon se ai ka qenë i përjashtuar nga ndikimi i autorëve të tjerë të dramës në vitet ‘900; p.sh. stili i shkrimit të Fosse-së ka qenë thellësisht i prekur nga nihilizmi i Samuel Beckett, me dialogjet e rralla, të ndërprera, apo në teknikën përsëritëse. Duke jetuar në kaq shumë autorë të traditës romantike dhe moderniste, ai krijoi balancën mes errësirës së depresionit dhe dritës së misticizmit. Ky është edhe cilësimi që iu bë kur në vitin 2007 Fosse nderohet me çmimin “Ibsen”, ku vetë dramaturgu e ka pranuar këtë duke shtuar se “është një i krishterë dhe një mistik”, ndërsa për përvojën e shkrimit është shprehur se: “nëse keni arritur të shkruani një poezi magjia, enigma ose epifania e asaj përvojë do të thotë se nuk mund të jeni një ateist”. Tashmë Fosse kishte shkruar 40 vepra dramatike, dhe publikuar mbi 50 libra.

Duke ardhur te ne, nga një traditë tejet e lodhur që zgjedhin regjisorët shqiptarë, që shpesh në bashkëngjitjen regjisoriale nuk kanë asgjë për të thënë, veç lexim teksti, kjo vepër e Fosse-së e sjellë nga Mustafiq i hap dyert teatrit shqiptar për diskutim të disa ideve, siç është ajo e skenës alternative, apo e një performance që shkel edhe në hapësirat e spektaklit. Mustafiq, referuar dhe një vepre më parë, që bëri bujë me shumë se ngjarje për shkak të nudos tek “Equus”, tani mendoj se, mund të jetë më i çliruar nga publiku shqiptar ose së paku ky i fundit të kuptojë më në fund, se ç’reflektim merr nga një regjisor kur vepra e sjellë është e re, krejt e re në mendësi, dhe në dramë.

Po të kishim një qytet ku agora e diskutimeve për teatrin të pushtonte klubet tona të kulturës, shfaqja e Mustafiq mund të mos bënte fare zhurmë. Por brenda kësaj agore të pavarur, rasti i ideales, performanca mund të zgjonte ca ide, që edhe vetë regjisori i ka shumë për zemër të flasë kur vjen puna te synimet e tij personale për teatrin. Ky regjisor këto vite tashmë jo vetëm i shpalos por edhe bën një ftesë, propozon. Shfaqja “Nëna dhe djali”, që ka hyrë në javën katërt të vënies në “skenën” e “Tulla Center”, e dha këtë mundësi. A është spektakël? Sa ithtarë të skenës alternative kemi? A po rikonfirmon fuqinë e një aktori që performon në të gjitha nivelet? Në çfarë hapësire shihet teatër? Janë pyetje të mëdha për skenën tonë monoshtetëtore përveç sëmundjes për t’i dhënë drejtim psikik një drame sa plagë prek në shoqërinë tonë.

Skenat alternative e japin këtë mundësi, të ngrenë pyetje të mëdha dhe të të godasin në stomak, kundër establishmentit, dhe se mërzia s’është kategori estetike – kjo ishte një përgjigje që na dha Mustafiq.

“Nëna dhe djali”, interpretuar nga Ema Andrea, si nëna dhe aktori i ri, Matia Llupa si djali, duke pasur një temë sa përgjithësuese, universale, e ka lejuar regjisorin ta adaptojë me lehtësi edhe me shqetësimet në arealin tonë, Ballkanin. Për këtë Fosse duket se ka qenë inspirues për regjisorin boshnjak, për të ngritur një shfaqje që shpalos edhe ca ide e ngre pyetje, duke synuar shndërrimin performativ në skenë, në kërkime të veprimit skenik.

Për këtë zgjedhja dhe bashkëpunimi prej vitesh me Ema Andrean për Mustafiq është garanci. Nga ana tjetër, Ema është e vetmja aktore që i përgjigjet “skenës së pavarur”, që nuk i përgjigjet një modestie false, por projekton në mënyrë krejt personale skenën, si në rastin e Mustafq duke na dhënë një shfaqje intensive, emotive që ndajnë me regjisorin shikime estetike të përbashkëta, por edhe krijojnë ngjarjen sociale.

Kjo vepër nuk e lejon kompromisin. Në pjesën e Fosse-së djali kthehet te nëna e tij, pasi nuk e ka parë prej shumë vitesh. Ata zbulojnë të jenë të huaj për njëri-tjetrin; ata janë dy njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët – sigurisht asgjë (në këtë botë teatrale) më prozaike se dashuria. Gjatë kohës që kalojnë së bashku, ata përpiqen të jenë së bashku, duke kërkuar për atë se, kush janë- ndaj vetes dhe njëri-tjetrit – atë që iu duhet, njohjen dhe ndarjen. Në këtë pjesë, mekanizmat e marrëdhënies nënë-fëmijë janë plotësisht të eksploruar. Mes tyre krijohen tensione interesante, nisur që nga përpjekja për të kujtuar. Një kujtesë e dëshpëruar, duke e marrë nga ngjarja se si kjo nënë kishte pasur një shtatzëni të padëshiruar…. Është një dramë në miniaturë për një nënë e cila tallet me amësinë. Ajo ka braktisur fëmijën e saj për hir të vetërealizimit me çdo kusht. Ndërsa e gjithë jeta e saj përshkruhet si një rebelim i vonuar adoleshent, që synonte pastërtinë e fëmijërisë së saj dhe besimin naiv të nënës së saj në Jezusin. Ashtu si ajo i tregon djalit të saj se nuk ishte lejuar të kishte “një mendim të vetin”, edhe karriera e saj jepet si një hakmarrje për një fëmijëri shtypëse. Nudoja e Ema Andreas vjen pas një tensioni dramatik nga marrëdhënia e largët me të birin. Ajo është nëna qesharake, paksa e dëshpëruar, duke kërkuar afirmimin e kotësisë së saj…Regjisori ka mbajtur nën kontroll këto marrëdhënie, në hapësirën skenike të kufizuar, ku zotëron me ashpërsi një orë shfaqje. Në fund, na zbulohet se historia më e preferuar e nënës: “Menaxheria e qelqtë” e Tennesse Williams. Mjafton vetëm një detaj i tillë për të zbuluar në një vizitë 50-minutëshe një karakter të tërë, duke iu referuar një shfaqjeje më të vjetër, më të komplikuar.

“Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndihemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë”, ka thënë regjisori, prej nga vjen shqetësimi i tij, në zgjedhjen e pjesës.

Mungesa e mirëkuptimit, heshtja dhe vetmia: në shfaqjen e Fosse-së janë konflikte më shumë të nënkuptuara se sa thuhen. Këtë boshllëk e mbushin figuracioni, konvencioni i shisheve bosh, e në fund të mbushura me tym duhani, gjithë hapësira e ndarë në dy pjesë jep kundërshtitë. Më tej se vizioni i gatshëm prej kompleksit të Edipit, ai mund të jetë edhe një Hamlet që mund ta akuzojë nënën e tij për dështimin e jetës, pse është e dhënë vetëm te karriera e saj. Megjithatë ai largohet pa akuzuar. Ky konflikt nuk mund të ketë një kulm, një konflikt që edhe Mustafiq nuk e ka deklaruar në të vërtetë. Natyrë e Fosse, e përmbajtur edhe në qëndrimet e Mustafiq; mendimet dhe ndjenjat “rrinë” brenda aktorëve, duke na lënë të pasigurt se sa vërtet ata e njohin njëri-tjetrin. Por, kështu është dramaturgjia e Jon Fosse-së, siç është quajtur shpesh undramatic.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *