Ndërtimet pa leje u dyfishuan gjatë fushatës zgjedhore

Postuar më: 14 November 2017 18:14

Para dhe pas fushatës elektorale, policia e Dibrës evidentoi dyfishim të ndërtimeve pa leje në territorin e qarkut, ndërkohë që këshilltarët bashkiakë akuzojnë për tolerime dhe prishje selektive gjatë fushatës.

Nga Sami Curri, BIRN

Tre muaj para zgjedhjeve, katër- pesë godina u ngritën në karabina nga Fushë-Bulqiza në Shupenzë, buzë rrugës që lidh Tiranën me Peshkopinë. Në të njëjtën periudhë, struktura betoni mbinë edhe në Maqellarë të Dibrës apo fshatra të tjerë të zonës.

Burime nga bashkia e Bulqizës i thanë BIRN se shumica dërrmuese e këtyre ndërtimeve nuk kishin leje. Të njëjtën gjë konfirmuan këshilltarë bashkiakë të opozitës në Dibër, Mat,  Bulqizë, të cilët akuzuan strukturat lokale dhe qeverinë qendrore për favore politike.

Policia e qarkut Dibër, në një shkresë zyrtare për BIRN konfirmon se numri i rasteve të ndërtimeve pa leje të evidentuara prej saj u dyfishua gjatë këtij viti.

Shtimi i ndërtimeve pa leje në muajt para dhe gjatë fushatës elektorale u vu re edhe në zona të tjera të vendit. Në një takim me krerë të policive në qarqe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako i kritikoi për neglizhencë.

“Vihet re një neglizhencë në evidentimin, hetimin dhe goditjen e fenomenit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës të tilla si ndërtimet e paligjshme,” tha Çako në atë kohë.

Por ndërsa debati në nivel kombëtar u mbyll me zgjedhjet, në qarkun e Dibrës ky fenomen  vazhdon të prodhojë debat politik dhe pasoja për qytetarët.

Kallëzimet pas zgjedhjeve

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN në policinë e Dibrës, u evidentuan 43 raste të ndërtimeve pa leje deri në muajin shtator 2017, me 42 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe një autor të arrestuar. Krahasuar me vitin 2016, rastet thuajse janë dyfishuar.

Gjykata e Dibrës megjithatë paraqet një situatë tjetër. Sipas gjykatës, numri më i lartë i  çështjeve gjyqësore me akuza për ndërtim pa leje është bërë në vitin 2016.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi të BIRN, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër thotë se për vitin 2017, deri në muajin tetor ishin regjistruar vetëm 11 çështje, 32 më pak nga sa pretendon policia se ka rregjistruar dhe filluar procedimin.

Është e paqartë nëse çështjet janë regjistruar së fundmi dhe nuk kanë shkuar ende në gjykatë apo ato nuk i janë përcjellë gjykatës prej Prokurorisë së Dibrës. Kjo e fundit, bashkë me bashkitë e Matit, Klosit dhe IKMT-në nuk iu përgjigjën kërkesës për informacion që BIRN u dërgoi.

Rritjen e rasteve e konfirmon edhe avokati Ismail Uka, që ka zyrën e tij ligjore në Peshkopi. Ai i tha BIRN se ka pasur një rritje të kërkesave nga persona që kërkojnë shërbime prej tij të akuzuar për “ndërtim pa leje”, ndërsa u ankua se procedimet niseshin edhe pse ka një ligj për legalizimet dhe “mungesë të një plani rregullues për territorin”.

Uka shton se rastet më të shumta që janë proceduar për ndërtim pa leje, kanë qenë për ndërtim shtëpish, muresh rrethuese, rikonstruksion banese apo edhe deri tek ahuret e bagëtive.

Elton Përkola, banor në Fushë – Bulqizë i tha BIRN se për disa muaj kishte ndërtuar pa u shqetësuar, deri në gusht kur u kallzua në prokurori nga Policia e Bulqizës.

“Kam shkuar në bashkinë e Bulqizës për të marrë leje për ndërtimin e një shtëpie në tokën time. Më thanë se nuk lëshonin leje ndërtimi, unë isha pa shtëpi dhe kështu që fillova punimet”, thotë Përkola.

Ai shton se ka punuar për disa muaj dhe në fillim “s’është se më erdhi ndonjë nga policia apo bashkia që të më ndalonte që të vazhdoja punimet”. Megjithatë, prej muajit gusht ai po përballet me Prokurorinë, si i kallëzuar për “ndërtim pa leje”.

Një tjetër banor i Dibrës, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se gjatë fushatës elektorale kishte marrë premtimin e zyrtarëve lokalë se shtëpia që po ndërtonte në fshat nuk do t’i prekej.

“Menjëherë pas zgjedhjeve u ndalova prej policisë dhe u kallëzova,” tha banori, ndërsa shtoi se nuk mundet as të padisë zyrtarin që i premtoi mbrojtje.

Palët akuzojnë njëra-tjetrën

Përfaqësuesit lokale të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, të cilët u intervistuan nga BIRN pranojnë lulëzimin e ndërtimeve pa leje në kohën e fushatës, por drejtojnë gishtin ndaj njëri-tjetrit kur vjen puna për përgjegjësitë.

Halil Jakimi, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë Bulqizë akuzoi drejtuesit e pushtetit lokal e nxitën këtë fenomen në këmbim të votës, ndërsa ndëshkimet sipas tij kanë qenë selektive.

“Nga Bashkia Bulqizë, por edhe nga institucionet e tjera ligjzbatuese, gjatë periudhës së zgjedhjeve ka pasur një nxitje për të ndërtuar në shkëmbim të votës,” tha Jakimi për BIRN.

“Ka pasur mbyllje sysh për disa raste dhe goditje politike për disa të tjerë,” shtoi ai.

Denoncimi i Jakimit përforcohet nga një tjetër këshilltare e PD-së në bashkinë e Dibrës, Irini Shehu, e cila shprehet se ka pasur një lulëzim të ndërtimeve pa leje, evidente edhe në qytet, por edhe në njësitë administrative, të cilat sipas saj në shumë raste kanë qenë për përfitime elektorale.

Myfit Duriçi, këshilltar i Partisë Socialiste në Bashkinë e Bulqizë u shpreh se në Këshillin Bashkiak nga strukturat e Bashkisë Bulqizë nuk ka pasur ndonjëherë relacion për këtë temë.

Vetë kryetari i Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi i tha BIRN se institucioni që ai drejton ka zbatuar vetëm ligjin në rastet e ndërtimeve pa leje, pa ndonjë selektim politik.

“Bashkia Bulqizë me Inspektoriatin Vendor Urbanistik ka zbatuar vetëm ligjin kur bie fjala për ndërtimet pa leje. Nuk ka pasur asnjë nxitje politike për të ndërtuar gjatë periudhës së zgjedhjeve. Gjithashtu siç nuk ka pasur asnjë diferencim politik për ato raste që janë kallëzuar në prokurori apo në polici,” deklaroi Damzi.

Akuzat politike ndërkohë nuk ka vetëm në Bulqizë. Hasan Pasha, kryetar i Partisë Socialiste në Mat dhe ish-këshilltar i bashkisë shprehet se strukturat e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik në Bashkinë e Matit janë inekzistente kur bie fjala për ndërtimet pa leje.

“Ka ndërtime brenda oborreve të shkollave e shumë e shumë ndërtime të tjera që janë lënë jashtë syrit të institucioneve përgjegjëse. Në Burrel, aksioni i fundit për ndërtimet pa leje që mbahet mend është diku në vitin 2000 dhe që prej atëherë nuk ka pasur më një aksion të tillë,” u shpreh Pasha për BIRN.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *