Mandati i Zgurit deri më 2020, dosja e Prokurorisë u protokollua

Postuar më: 14 November 2017 10:32

Partia Socialiste e ka kthyer në çështje debati mandatin e kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj.

Madje ajo ka kërkuar shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri me argumentin se ka kryer shkelje.

Në disa media, lajmi për nisjen e procedurës së shkarkimit të Zgurit është interpretuar si prishje e marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, të arritur më 18 maj.

Por vendimi i Kuvendit parashikon se mandati i Zgurit është deri në vitin 2020.

Zguri u zgjodh përballë një tjetër kandidature si kryetar i KQZ-së.

Ndërkohë, sa i përket pretendimit të PS-së për informacionet e Prokurorisë për çështjen e Kapllanajt, burimet saktësojnë se materialet nga Prokuroria kanë mbëritur në datën 16 tetor në KQZ dhe janë protokolluar më 17 tetor.

Pavarësisht pretendimeve, materialet u janë shpërndarë anëtarëve të KQZ.

Në dokumentacionin e Prokurorisë sqarohet se vepra penale e konsumuar nga Kapllanaj është parashkruar, pasi ka kaluar afatin 10-vjeçar. Kjo ka bërë që çështja të arkivohet.

Një ditë më parë PS vendosi për nisjen e procedurave të shkarkimit të kreut të KQZ me pretendimin se nuk ka njoftuar anëtarët e tjerë të këtij institucioni me kërkesën e Prokurorisë për Kapllanajn.

Ky rast duket se mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *