Kurt Kola, kujtime me vlera social historike, nga personaliteti human

Postuar më: 18 November 2017 11:45

Në prill të vitit 2016 doli nga UET pres Memoriali i pasur me fakte dhe rishqyrtime social-historike, kthjelluese, i personalitetit të njohur shqiptar, Kurt Kola. Intrinsiku i lidhjes së rrëfimeve vetjake të autorit, dhe mesazhi i kujtimeve është se: “duhet ruajtur besimi dhe virtytet e trashëguara në breza” për të mos humbur njeriu.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Në prill të vitit 2016 doli nga UETPress Memoriali i pasur me fakte dhe rishqyrtime social-historike, kthjelluese, i personalitetit të njohur shqiptar, Kurt Kola. Intrinsiku i lidhjes së rrëfimeve vetjake të autorit, dhe mesazhi i kujtimeve është se: “duhet ruajtur besimi dhe virtytet e trashëguara në breza” për të mos humbur njeriu.

Libri hapet me një Memorial në të cilin me germa kapitale shkruhet: “PER TË RUAJTUR DHE PËRVETËSUAR SHPIRTIN, NDËRGJEGJEN DHE KARAKTERIN NË SHKALLËN MË TË LARTË, MË TË IDEALIZUAR TË POPULLIT, DUHET RUAJTUR BESIMI DHE VIRTYTET E TRASHËGUARA NË BREZA. THEMELI I KËTYRE ËSHTË KARAKTERI FAMILJAR I NDERSHËM, KU NJERËZIT RRITEN ME MENDIMIN SE I PËRKASIN ASAJ SHTËPIE TË MIRË, QË PËR BREZA E BREZA NUK ËSHTË KORIT. TË PERSEKUTUARIT QË KISHIN KËTË RRJEDHË FAMILIARE DHE PËR ASNJË ÇAST S´E HARRUAN, DIKTATURA NUK MUNDI T´I MPOSHTË AS ME TORTURË, AS ME INTRIGË.”

Lëvizjet e dhunshme të formacioneve historike shoqërohen me dëme të pallogaritshme njerëzore dhe tjetërsime të dukshme vlerash të krijuara e trashëguar në breza, por kur është fjala për ardhjen e një rendi me këputje, si ai i “njeriut të ri”, sigurisht ndërprerja e rrjdhës dhe pasoja ishte tmerrsisht e ashpër dhe diskriminuese.

Me sa duket era e çmendurisë që pëshkruan Michel Folcault në librin e tij “Çmenduria në moshën e arsyes”, që tregon krijimin e formacionit social paramodern, nëpërmjet përjashtimit drastik të grupeve të padëshirueshme dhe keqtrajtimit mizor të tyre, në galerat e qytetit, te ne ndodhi në formë tjetër, edhe më të ekzagjeruar e irracionale, pas Luftës së dytë Botërore, me rezultimin e sistemit të luftës së klasave, ku të gjithë qenë viktima e dhunues, pasi një psiqikë nihilimi shoqëroi dominimin dhe një frustrim mbytës kundrejt shumë grupimeve sociale të investuara mendërisht e shpirtërisht në vlera të larta, u krye.

Familje si ajo e Kurt Kolës dhe të tjera në krahina të ndryshme të vendit, në Veri, në Shqipërinë e Mesme apo dhe Jug, të njohura prej emrit të madh që trashëgonin në breza, por edhe prej diskriminimit që pësuan në dekada, hedhin dritë për një keqtrajtim që u bë kundër të drejtave minimale të njeriut, si dhe presionit fizik dhe psikologjik, për të ndryshuar bindjet dhe karakterin e besimit, të virtytit që mbartnin e dinjitetit që trashëgonin.

Një hipotezë-apel mbetet ky libër për mënyrën se si është shkruar historia e Shqipërisë për përiudhën e viteve 40 deri 90 të shekullit të kaluar.  Sipas historisë së shkruar të trashëguar nga regjimi i vjetër, lufta e viteve 40-44 ishte një Luftë Nacional Çlirimitare, një lutë kundër pushtuesit gjerman dhe okupatorit Italian, ku Balli Kombëtar paraqitet si një forcë që shoqëron invaduesit dhe është në unitet qëllimi e veprimi me ta. Por nga interpretimet dhe evidence e faktete që autori i këtij libri, zoti Kurt Kola, paraqet, dhe i përmbledh ato, rezulton se kjo forcë, të paktën për të dhënat që ai na vë në dispozicion, në horizontin e gjerë të Kolës, është një forcë që luftoi kundër pushtuesve, të të gjithë llojeve, për të çliruar Shqipërinë, e për të marrë në duar, më pas, pushtetin.

Duket se variablat e forcave sociale dhe politike si dhe marrëdhëniet mes tyre, përgjatë Luftës Dytë Botërore, jashtë e brenda vendit, kanë qenë më të përbëra e komplekse nga sa na janë përshkruar e paraqitur nëpër libra, dhe në mënyrë të tërthortë, por me fakte të drejtpërdrejta, autori bën një akt vemendjeje për të rishkruar drejt historinë dhe për të mos mohuar a tjetërsuar përpjekjet e forcave shoqërore për legaci e drejtësi dhe çlirim, që bënë me mish e me shpirt, siç bëri familja e Kurt Kolës, që u dënua padrejtësisht pa mëshirë pastaj, pikërisht për këtë.

Përsa i takon autenticitetit dhe metodës së përshkrimit të fakteve e të dhënave në shpërfaqen e konfliktit në faqe, Romeo Gurakuqi, në parathënien e tij për këtë memorial shkruan:

“Libri i Kurt Kolës është një libër i shkruar me kulturë historike, njohje e së kaluarës, rikthime të sakta në të shkuarën dhe përdorim i së kaluarës për të interpretuar të tashmen dhe të ardhshmen…që përmban zbërthimin perfekt të historisë së Shqipërisë 1944-1991, që historianët e arrijnë në fakt, vetëm pas studimit të jetës dhe vëzhgimit të kujdesshëm të saj, analizës së dramës së mijëra bashkëvuajtësve…”

Bashkë me homazhin që mbart ky libër për kalvarin e mundimeve, thotë Romeo Gurakuqi, ai është edhe një thirrje për reflektim e pastrim, në nivel kulturor dhe institucional, prej mbetjeve të pushtetit të së kaluarës dhe mendësive të tij.

Në planin filozofik kjo vepër memoriale e personalitetit human të Kurt Kolës, hedh dritë për sjelljen e sistemeve ndaj kulturës. Kultura dhe sistemi me sa duket, nuk prezantojnë në mënyrë të plotë njeri-tjetrin. Madje ata janë edhe në kontradiktë, disa herë shumë të thellë, mes tyre.

Personaliteti i sistemit mund ta inkurajojë një kulturë sjelljeje virtyti, por mund edhe ta nihilojë atë, ta përjashtojë, ta insinuojë.

I mbrojtur nga ligji, sistemi gjithmonë hedh fajin e tij, më vonë, mbi diçka abstrakte: si rrethanat, shtrëngimet, ligji i kohës…Por në kujtesën njerëzore, ata që fiksohen dhe mbeten janë njerëzit, fytyrat, emrat, marrëdhëniet, etika, emocionet, hijeshia a mizoria e tyre, pavarësisht sistemit si koncept abstrakt.

Sistemi sigurisht është i krijuar nga impostimi i koshiencës: por një diktator apo një mbret nuk është mbret edhe kur fle. Roli që luan çdo pjesëtar i sistemit, nga pikëpamja njerëzore dhe etike, kërkon reflektim, dhe nuk mund të fshihet, siç bëhet, në shtrëngim, edhe pse mbështetet në arsyet e veta sociale, që janë forcë dhe jo drejtësi, ligj në pushtet.

Kështu në Historinë e ardhshme të marrëdhënieve të Sistemeve me Kulturat, libri i Kort Kolës është një gur, ditar dhe interpretim për mizorinë e keqtrajtimit të një kulture, apo grupi të saj, nga më të mirët, prej sistemit që vjen si një logjikë force kundër saj, per determinim.

Nga historia njohim se regjime e dyndje ushtarake u drejtuan kundër kulturave, por ende nuk kemi një kulturë për natyrën e arsyes së sjelljes irracionale të regjimeve, etikë e pamjaftueshme e tyrja kjo, për një reduktim final të personalitetit apriorik e vulnerabël që ushtrojnë mbi individin apo grup individualitetin karakterial.

Kjo është arsyeja që autorë modernë mendojnë se aspektet njerëzore- psikologjike, dije dhe përvoja vetjake nga njera anë, dhe finalizime social politike, me ligjet e tyre si sisteme nga ana tjetër, janë të paintegrueshme.

Libri është i mbushur edhe me aspekte profilesh njerëzore të papërsëritshme. Piktura në akuarel fjalësh poetike do të mbeten shumë bashkëvuajtës të përshkruar me dashuri nga Kurt Kola, të cilët kaluan kalvarin e tmerrshëm pa e humbur hijeshinë e dinjitetit.

Personazhe të sotëm, të gjallë e aktive në fushën e shoqërisë civile, janë përshkruar nëpër faqe të librit, nga të cilët do të dalloja portretizimin e Fatos Lubonjës, që të impresionon me dëshirën e tij të pashterueshme dhe djegëse, për të parë përsëri fëmijët dhe familjen.

Titulli i këtij libri është i rëndë: “Çfarë ndodhi, çfarë pashë, çfarë hoqëm, në Shqipërinë burg!

Megjithatë, jo për të ngushëlluar bashkëvuajtësit për vitet e vështira, por ndoshta për të thënë një të vërtetë të pa evidentuar: ata që e kishin përballë kundërshtarin politik dhe qenë vetëdijshëm pozicionuar përballë tij, ishin më të lirë se shumë të tjerë, të cilët jetonin të frustruar, me moskuptimin se nga buronte shtrëngimi dhe me përpjekjen e dëshpëruar të tjetërsimit, e cila nuk u solli në jetë asgjë të vyer veç frikës.

Liria, me sa duket, është një qenie e brendshme që buron nga pastërtia e përjetimit të natyrshëm të bindjes. Këtë na thotë me shumë dije autori Kurt Kola dhe bindja e tij mbetet besimi te virtyti e ndershmëria dhe vazhdimësia me një të vërtetë të qartë historike për brezat e ardhshëm. Rikonstruktimi i ndershëm i së kaluarës mbetet një kusht për vazhdimin normal të jetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *