Komunikimi është etikë

Postuar më: 14 November 2017 09:24

Nga Holta Heba

Liria pa kufi e të folurit në rrethana të ndryshme shoqërore e ka të domosdoshme etikën. Vetë komunikimi nuk mund të konceptohet pa elementin e etikës. Ajo është e ndërlidhur, madje tejet e pazëvendësueshme ne komunikim.

Sjellja harbute, gënjeshtra, mashtrimi, mungesa e mirënjohjes dhe dashakeqësia janë elemente të mungesës së etikës në komunikim. Si reduktuese e stresit në marrëdhënie të tensionuara dhe parandaluese e komunikimit të parealizuar, etika në komunikim nuk bën gjë tjetër veçse ruan dhe përmirëson marrëdhënien mes njerëzimit.

Etika në komunikim kërkon që të dy bashkëbiseduesit të jenë bashkëpunues dhe bashkëpërgjegjës për gjithçka thuhet apo realizohet në një përmbajtje komunikimi.

Sa etikë jemi në komunikim? Kjo gjë varet nga interesi individual për komunikimin që duam të realizojmë. Ndonjëherë, fitimi dhe përfitimi me çdo kusht si dhe nënvlerësimi apo injorimi i suksesit të tjetrit e mënjanojnë etikën dhe bëhet thuajse e pamundur të kuptohet se kush është në të mirë të komunikimit. Është disi e vështirë të përcaktosh se kur quhesh individ me etikë në komunikim, pasi pikë së pari, arritja e ekuilibrave në situata të ndryshme mbetet në varësi të mënyrës së të thënit të gjërave. Së dyti, jo të gjithë kanë durimin dhe dëshirën për të shmangur situata të pakëndshme. Dhe së treti, pavarësisht situatës, asnjëherë nuk jemi të sigurt se kë kemi përballë. Edhe individët që janë më pranë rrethit tonë shoqëror, në ditë të ndryshme kanë humor të ndryshëm.

Shumë sjellje apo akte të të folurit brenda etikës individuale apo etikës përgjithësuese përcaktojnë stadin dhe zhvillimin e komunikimit. Nuk ka asgjë të keqe nëse dikush shpalos vlerat dhe parimet individuale në një zonë më komforte për të gjatë një komunikimi mes familjarësh, miqsh apo të afërmish. Deri këtu jemi në zonën e etikës së kufizuar personale, ku çdokush në nerv e sipër, në mllef, inat apo xhindosje mund të sillet dhe flasë me terma etikisht të ngushtë, klanorë, miqësorë, apo familjarë. Në situata të tjera, përtej këtij konteksti social, çdo përzgjedhje fjalori dhe sjelljeje kërkon më kujdes në menaxhimin e komunikimit, pasi gjithçka që u përmend më sipër mund të bëhet absolutisht e papranueshme dhe jashtë kontureve të etikës jo më individuale, por të asaj që quhet etika e përgjithësuar. Kjo e fundit është e rrënjosur në përgjegjësinë publike të gjithsecilit nga ne që komunikojmë. Duam apo s’duam ta pranojmë, nuk kemi të njëjtën etikë komunikimi me statuse të ndryshëm individësh në jetën e përditshme tonën. Suksesi në komunikim arrihet kur etika në të folur e ka kryer efektivitetin, vërtetësinë dhe besueshmërinë e mesazhit që përçohet. Po të bëjmë një ndarje të saktë të shpalosjes së vlerave, mendimeve, ideve dhe parimeve nga mjediset e ngushta ku më së shumti përdorim etikën personale, te mjediset më të gjera me etikë të përgjithësuar, atëherë pavarësisht kontekstit, mund të themi se kemi komunikuar etikisht mirë. Kështu mund të shmanget dhe pyetja e të paditurit: “Ku gabova?”, si dhe pyetja e të penduarit: “Pse e bëra?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *