Ballina Aktualitet Mapo- Edu Kërkuesit shqiptarë njihen me metodat kërkimore inovative

Kërkuesit shqiptarë njihen me metodat kërkimore inovative


Workshop-i për metodat kërkimore inovative i organizuar nga COORP u krye nga dy ekspertë të IDS nga Universiteti i Sussex-it në Britani 

Workshop-i për metodat kërkimore inovative i organizuar nga COORP mbështeti një grup kërkuesish për të përmirësuar projektet e tyre kërkimore. Theksi u vu te rigoroziteti shkencor dhe aftësimi me metodat bashkëkohore të kërkimit. Ky workshop solli së bashku rreth 25 kërkues nga Shqipëria nga Universiteti i Tiranës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Shkodrës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti Polis, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti Epoka, Instituti Kanadez i Teknologjisë, si dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji në Kosovë.


Workshop-i u krye nga dy ekspertë të IDS nga Universiteti i Sussex-it në Britani, të cilët për katër ditë punuan me kërkuesit për projektet e tyre kërkimore me një metodë të kombinuar të prezantimeve, punëve në grup dhe diskutimeve të përbashkëta. Ajo çka e bëri këtë workshop efektiv ishte se ai u hartua bazuar në nevojat konkrete të kërkuesve. Më herët, COORP kishte hapur thirrjen për aplikime për këtë workshop, si edhe kishte realizuar një vlerësim të nevojave dhe prioriteteve të kërkuesve.

Të dhënat e pyetësorit tregojnë se kërkuesit kanë ende shumë nevojë për mbështetje dhe zhvillim profesional sa i takon kërkimit shkencor, përdorimit të metodave të përziera kërkimore, shkrimit të artikujve shkencor dhe publikimi në revista akademike cilësore, si edhe për aplikim projektesh dhe komunikimin e shkencës te publiku i gjerë. 

Dr. Blerjana Bino, bashkëthemeluese e COORP dhe lektore në UET, u shpreh se ky workshop është i dyti që COORP realizon në mbështetje të komunitetit të kërkuesve në Shqipëri, në dy drejtime kryesore: së pari, në përforcim të aftësive për të qenë të suksesshëm në aplikimet për projekte sidomos me fondet e Bashkimit Europian; dhe së dyti, në përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor sidomos në shkencat sociale përmes trajnimeve, përforcimit të bashkëpunimit mes kërkuesve në Shqipëri dhe diasporës akademike shqiptare në Europë, përmirësim të kurrikulave për metodat e kërkimit, si edhe mbështetjes për publikime.

Gjithashtu dr. Fabjan Lashi, bashkëthemelues i COORP, shprehet se në vitin 2018 COORP do të vazhdojë angazhimin në mbështetje të komunitetit të kërkuesve. Kështu p.sh. në fillim të vitit COORP do të organizojë një trajnim të avancuar për projekt-aplikime duke u ndalur në thirrje specifike me interes për komunitetin e kërkuesve në vend. Për më tepër, kërkuesit dhe institucionet e interesuara mund të regjistrohen në platformë tek e cila mund të gjejnë thirrje për aplikime si edhe kërkues të tjerë të interesuar për bashkëpunime.

Përshtypjet e pjesëmarrësve:

Dr. Belina Bedini, Drejtuese e Zyrës për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Projektet

Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës, e konsideron seminarin të dobishëm. Sipas saj “të gjithë kërkuesit shkencor në Shqipëri kanë nevojë për të ndjekur të tilla evenimente ku mësohet, diskutohet për metoda të reja dhe krijohen lidhje me kërkues të ndryshëm për të tjera projekte kërkimore shkencore”.

 

 

Universitetet duhet të mbështesin kërkuesit në zhvillimin e tyre profesional

Dr. Shandana Khan Mohmand, trajnuese, eksperte e Institutit për Studimet Zhvillimore, Universiteti i Sussex-it, Britani

Cili është angazhimi juaj aktual në Shqipëri?

Unë jam duke punuar në dy drejtime kryesore me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe projektin e tyre PERFORM. Një drejtim ka të bëjë edhe me workshop-in e organizuar në UET, pra me mënyrat sesi arsimi i lartë dhe kërkimi në Shqipëri mund të përforcohen më tej. Më herët kam realizuar një studim për identifikimin e problematikave në sektorin e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe kam propozuar disa ndërhyrje apo rekomandime për të adresuar mangësitë. Workshop-i i organizuar nga COORP në UET është një nga aktivitetet e mundshme që e vë theksin te nevoja për të mbështetur zhvillimin profesional të kërkuesve në Shqipëri në fushën e kërkimit shkencor dhe metodologjisë. Drejtimi i dytë ka të bëjë me reformat territoriale dhe të qeverisjes vendore dhe aty po përpiqemi të punojmë për ‘Bashkitë e Forta’. Pra, për të përmirësuar performancën dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore.

Si ishte përvoja juaj me kërkuesit në Shqipëri gjatë workshop-it? Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Përvoja me kërkuesit shqiptarë gjatë workshop-it ishte shumë pozitive dhe frytdhënëse për të gjithë besoj. Ajo çka më ka bërë përshtypje është niveli i lartë i ndërgjegjësimit që kanë kërkuesit lidhur me mangësitë apo problematikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend, dhe njëkohësisht jam impresionuar shumë nga interesi i tyre shumë i lartë për të bërë diçka për ta ndryshuar për më mirë realitetin. Pra, kërkuesit ishin shumë aktivë dhe të përkushtuar për të përmirësuar jo vetëm kërkimin e tyre individual, por edhe për të bashkëpunuar me të tjerët dhe për të kontribuar në përmirësimin e sektorit në tërësi. Mendoj që kjo është shumë pozitive.

Çfarë do t’iu rekomandonit kërkuesve?

Natyrisht që arsimi i lartë dhe kërkimi janë çështje shumë të ndërlikuara dhe si të tilla edhe rekomandimet duhet të jenë të thelluara. Megjithatë, nisur nga përvoja ime e këtij viti në Shqipëri me sektorin e arsimit të lartë dhe kërkimit, do të rekomandoja që është shumë e rëndësishme për kërkuesit që të kapërcejnë ndasitë politike apo të narrativave përçarëse sipas interesave të partive apo grupeve të caktuara. Mendoj që bashkëpunimi rreth tematikave shkencore mund të realizohet jo vetëm nga kërkuesit, por edhe në nivel institucional. Universitetet si edhe kërkuesit duhet të gjejnë platforma apo kanale komunikimi e bashkëpunimi të qëndrueshëm për t’i dhënë vlerë të shtuar punës së tyre. Universitetet duhet të mbështesin kërkuesit në zhvillimin e tyre profesional, si edhe të interesohen pikë së pari për cilësinë e mësimit dhe shkencës.

 

COORP – platformë bashkëpunuese për kërkimin shkencor

COORP është një platformë online dhe offline bashkëpunimi për kërkimin shkencor e themeluar nga dy kërkues të rinj – Blerjana Bino, UET dhe Fabjan Lashi, CIT – për të fuqizuar bashkëpunimin mes kërkuesve dhe zhvilluar kapacitetet për kërkim dhe aplikime për grante. I themeluar në prill të 2016, COORP mbështet nga PERFORM, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i cili po zbatohet në Shqipëri dhe Serbi nga HELVETAS dhe Universiteti i Fribourg.

IDS, Universiteti i Sussex-it – Nr. 1 në botë për studimet zhvillimore

Institute for Development Studies (Instituti për Studimet Zhvillimore) është një ndër qendrat kërkimore më në zë në botë sa i takon kërkimit të orientuar kah zhvillimit dhe politikëbërjes. Që nga themelimi në 1966, IDS punon me partnerë për të adresuar përmes kërkimit dhe zhvillimit probleme e sfida komplekse të shoqërisë së sotme. Në bashkëpunim me Universitetin e Sussex-it, IDS ofron programe master dhe doktoraturë në disiplina të lidhur me shkencat sociale, ekonomike dhe të komunikimit.



SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here