“Jemi në listën e zezë të SHBA, të ndalet projekti ‘1 miliard euro’”

Postuar më: 14 November 2017 12:53

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp, ku përsëriti shqetësimin se paratë e pista të drogës do të injektohen në ekonominë e vendit.

Rama tha se për herë të parë, amerikanët e kanë futur Shqipërinë në listën e vendeve problematike sa i përket pastrimit të parave.

“Në mars 2017, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e quajtur zyrtarisht Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave. Është hera e parë që Shqipëria është përfshirë në këtë listë që përditësohet çdo vit. E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgoi zyrtarisht Kongresit Amerikan,” tha Basha.

Kreu i PD kërkoi që të ndalet projekti “1 miliard euro”.

“Për katër vjet me radhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Evis. Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me shaka c’thotë kanabisi. Edi Rama u tha shqiptarëve që të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant”.

“Herën e fundit që dëgjuam Ramën kur na tha të qeshnim, Shqipëria u kthye në hambar droge dhe zonë të lirë të krimit. Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi.

Depërtimi i krimit në ekonomi duhet ndalur tani. Projekti 1 miliardë euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të,” tha Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *