“FBI dhe DEA të administrojnë buxhetin”, Rama: Deklaratë qesharake

Postuar më: 14 November 2017 10:01

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një takim me bankat ku në fokus ishte rritja ekonomike, tha se në 2018 do të ketë katërfishim të rritjes ekonomike.

“Rritja ekonomike në vitin 2018 parashikohet të jetë 4.2%, pra katërfishim. Kjo do jetë rritja më e madhe që nga viti 2013. Falë reformave agresive kemi rezultate inkurajuese”.

Sipas kreut të qeverisë, kreditë e këqija kanë rënë me 10 pikë.

Rama paralajmëroi kompanitë e mëdha se do të marrë fund epoka e bilanceve të dyfishta.

“Do të njohim vetëm bilancin që u dërgohet bankave,” tha Rama.

Duke vlerësuar sistemin bankar si shembull për t’u marrë, Rama tha se gjashtë muajt e parë të vitit, ky sistem ka shënuar fitime rekord.

Rama komentoi edhe deklaratat e kreut të opozitës, Lulzim Basha se buxheti i vitit që vjen është pastrim parash.

“Këto deklarata janë të qeshësh dhe të qash. Me këto shpërthime imagjinate, më mirë të qeshësh. Këto janë sinjale që dëmtojnë konsumatorin,” tha Rama.

Sipas kryeministrit, nuk ka shans për pastrim parash përmes bankave.

Një ditë më parë, kreu i PD tha se buxheti duhet administruar nga Prokuroria dhe FBI e DEA si provë ligjore e pastrimit të parave.

“Projekt-buxheti i 2018-ës jo vetëm politikisht, por edhe ligjërisht, duhet të administrohet nga Prokuroria shqiptare, nga FBI, nga DEA, nga prokuroria italiane, gjermane, si një provë ligjore e implikimit të Edi Ramës në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave të drogës.

Një gjë është e sigurt, për këdo që ka bërë hesape që përmes këtij projekt-buxheti të nisë pastrimin e parave të drogës, të mendojë mirë. Themelet e kësaj ngrehine, sapo kanë filluar të shkunden. Nuk do të lejojë as Europa, as opozita shqiptare, as shqiptarët e ndershëm që të vazhdojë varfërimi i tyre me këtë projekt-buxhet, ndërkohë që vazhdon pasurimi i oligarkëve dhe i baronëve të drogës,” tha Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *