Dritëhijet e Përkthyesit

Postuar më: 18 November 2017 11:43

Fjalë e përkthyeses Diana Kastrati, mbajtur në workshop-in për përkthyesit e rinj, e organizuar dje në mbrëmje, vlerësuar si një nga ngjarjet më me rëndësi në ditët e Panairit të Librit, Tiranë 2017. Kjo është një traditë e përvitshme ku flitet për problemet e përkthimit në Shqipëri, ku këtë herë është vlerësuar kjo përvojë e re nga trashëgimia e dekadave më parë

Nga Diana Kastrati

Binomi përkthim-përkthyes është historikisht në fokusin e njerëzve të letrave, nën dritën e etiketimeve të ndryshme: nga artizan në mjeshtër, nga i domosdoshëm në të nevojshëm, nga (shumë e abuzuar shprehja) përkthyes në tradhtar e kështu më radhë…

Gesualdo Bufalino (shkrimtar, përkthyes, poet e njeri i kulturës) shkruante: Në gjykimin tim, detyra e përkthyesit është më e përunjët e njerëzore se sa mendohet, ajo është një shërbim, një asistencë që i jepet nga ana e një njeriu që sheh mirë, dikujt që nuk sheh…diçka që shëmbëllen me dhënien e dorës një të verbri për të kaluar rrugën në anën tjetër, ku me verbëri nënkuptohet pengesa e një gjuhë të huaj…Përkthyesi është si ai që thyen kasafortat. Mjerë ai nëse i dridhen duart…Pra, ftohtësi e pasion, lipsen të jenë të dyja njëherazi.

Përkthyesi duhet të jetë njëkohësisht një mistik e një inxhinier. Pra, të përkthyerit është më shumë se një ushtrim: ai është një gjest hyjnor e dashurie”. Gjithmonë Bufalino: “Përkthyesi është i vetmi lexues autentik i një teksti. Nuk flas për kritikët që nuk kanë dëshirë as kohë që të cementohen në një betejë trup më trup…., por as vetë autori nuk ia ka idenë asaj që ka shkruar, më shumë se sa zbulon një përkthyes i dashuruar. Sepse nëse për tekstin kritiku është vetëm një joshës kalimtar, autori është babai dhe bashkëshorti, përkthyesi është vetëm dashnori i tij”.

Në përcaktimin e qasjen time, përkthyesi është vula e lavdisë ose e shkatërrimit të një autori e teksti. Ai është hija e padukshme që qëndron pas çdo fjale të lëmuar, është “shërbëtori i dy zotnive” i gjuhës së vet e asaj të mbërritjes, është “eminenca gri” e autorit, është ai që në rastet më fatlume thyen edhe postulatet e Paul Ricouer “të pamundësisë së të përkthyerit”, që gjithmonë në këtë suazë kundërshton tezën e Antoine Bermanit, te “L’epreuve de l’etranger”, duke e quajtur “të huaj” gjuhën nga e cila po përkthehet; i kthehet kundër edhe tezës së Marcel Detienne (helenist) te libri i tij “Comparer l’incomparable”, ku në mënyrën e tërthortë flet edhe për sloganin: “Nuk mund të krahasohet veçse çfarë është e krahasueshme duke hedhur togfjalëshin e “komparatizmit konstruktiv” (krahasimit ndërtues).

Kjo është madhështia e përkthimit, por edhe rreziku i saj. Por, a nuk e gjetën formulën e suksesshme të të “krahasueshmeve”, “ekuivalenteve” apo gjegjësve për ta thënë më shqip, paraardhësit e racës së ndritur të përkthyesve kur në epoka të tjera “Të shtatëdhjetët”, siç u quajtën, përkthyen në greqisht Biblën hebraike. Po latinët që vendosën për të gjithë ne pasardhësit kur ndërtuan të “krahasueshmet” me arëtë duke e përkthyer me virtus, polis me urbs, e polites me civis. E duke i mbetur kontekstit biblik mund të themi se Luteri jo vetëm ndërtoi të krahasueshmen duke përkthyer Biblën në gjermanisht, “duke e gjermanizuar”, siç guxonte ai vetë të thoshte, në krahasim me latinishten e Shën Jeronimit, por edhe duke krijuar gjuhën gjermane si të krahasueshme me latinishten.

Tradita shqiptare në lëmin e përkthimit ka parë shumë mjeshtra. Periudha 50-vjeçare e komunizmit, pavarësisht ideologjizimeve të pashmangshme, risolli një klasë të përkthyer mjeshtrash, vitet postkomuniste deri më sot shumëfishuan numrin e tyre. Si çdo fenomen, në ngritje, kjo solli zgjerimin sasior të njerëzve me interesin nga përkthimi, por solli edhe shtrembërime jo të vogla në limën e domosdoshme që ky zanat kërkon. A është tregu ynë i përkthimit në cilësinë që kjo zeje kërkon? A mund të flasim për një rritje të mjeshtërisë? Sa shkolla jonë furnizon këtë treg me cilësinë e duhur të përkthyesit e të përvojës së tij vetmitare, ndër më sublimet që ka ekzistuar ndonjëherë?

*Shefe e departamentit të italianistikës në Universitetin e Tiranës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *