Udhëtimi, pafundësia e njohjes

Postuar më: 21 October 2017 12:16

Shënime për librin “Udhëtim pa mbarim” të Claudio Magris/ Magris nis një udhëtim siç jemi të gjithë në udhëtimin e përditshmërisë. Veçse tek ai parakalojnë njerëz, tradita, histori. Niset për një dëshirë mbi botën, me bindjen e Don Kishotit se do të arrijë atje ku duhet. Nuk e zbehin dyshimet e Sanço Panços, që vjen si rrëzim  përditshëm i së menduarës mbi një vend, mbi një gjuhë, mbi një autor, mbi një histori.

Nga Agim Baçi

Të udhëtosh, thotë Claudio Magris, është të kuptosh se ke qenë edhe “nga ana tjetër”, se je pak edhe atje ku s’ke shkuar më parë. Por kthimi – ama vetëm kthimi- është rivendosja e një kufiri mes asaj që ke dashur të shohësh, asaj që ke dashur të njohësh, dhe asaj që ia vlen gjithnjë ta mbash si pjesë të vetes tënde.“Nuk ka udhëtim pa kapërcim kufijsh – politikë, gjuhësorë, socialë, kulturorë, psikologjikë, qoftë edhe kufij të padukshëm që ndajnë një lagje nga një tjetër në po të njëjtin qytet, apo ato mes njerëzve,deri tek ata më të mundimshmit që mbijnë nga skëterrat tona e na zënë rrugën. T’i kapërcesh kufijtë, edhe  t’i  duash –  gjersa  përcaktojnë një realitet, një individualitet,  i japin trajtë  duke  e shpëtuar kësisoj nga e padallueshmja – por pa i himnizuar, pa i kthyer në idhuj që kërkojnë therori gjaku. T’i kuptosh si të ndryshëm, si të përkohshëm e kalimtarë, si trupi i njeriut, e si të tillë të denjë për t’i dashur; të vdekshëm, në kuptimin që t’i nënshtrohen vdekjes, ashtu si udhëtarët, e jo të bëhen raste shkak për vdekje, siç kanë qenë e janë shpeshherë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris). Magris nis një udhëtim siç jemi të gjithë në udhëtimin e përditshmërisë. Veçse tek ai parakalojnë njerëz, tradita, histori. Niset për një dëshirë mbi botën, me bindjen e Don Kishotit se do të arrijë atje ku duhet. Nuk e zbehin dyshimet e Sanço Panços, që vjen si rrëzim i përditshëm i së menduarës mbi një vend, mbi një gjuhë, mbi një autor, mbi një histori. Jo, ai ka dëshirë të udhëtojë me njeriun, me atë që ka mbijetuar apo që koha i ka kalamendur mbi të shkuarën e që kërkon ta shtrijë në tapetin e harresës.“Besnik ndaj vlerave mbetet jo ai që ka mall për lashtësinë dhe ngatëron të përjetshmen me të shkuarën, as ai që struket në vetmi aristokratike e arkaike, shterpë e patetike, por ai që pranon me përulësi të zhytet në rrëmujën e përditshme gjithfarë, në ndryshimet e gjithçkaje   relative, të zakoneve dhe hierarkive, sepse kështu mëson të njohë e të respektojë dinjitetin njerëzor edhe kur i paraqet në forma dhe mënyra me të cilat nuk është mësuar dhe që mund edhe ta përjashtojnë apo trubullojnë atë vetë”. (“Udhëtim pa mbarim”,Claudio Magris) Më dëshirën për të njohur tjetrin, për të kaluar në lëkurën e tij, Magris ka udhëtuar përmes letërsisë,me historinë, dhe sjell pamje të gjithë llojeve të kufijve në Europën Qëndore, në Skandinavi, në Iran,në Kinë e Vietnam, e deri në pyjet në Kanada. Ka përshkruar ata që mbijetojnë si të jenë të vetmit-sorbët, istranët, çiçët e çiribirët. Novalis, Josep Roth,  Kundera, Jamek, Gunter Grass e  poetët Shirazi e Sadiu janë pika ku shpesh ai kërkon të mbështesë “pamjen për njeriun”. Nuk mund të shmangë Niçen kur kërkon të kuptojë prej tij se “pas pisit është vetëm pis”, çka i vihet përballë asaj që vjen nga Ungjilli, ku citohet se “pas të pastrit vjen i pastri”.

Kalon kufij, ngre lart raportin e përkujdesjes, si formën e admirimit ndaj gjithçkaje, e më pas, ashtu si në përralla, kthehet te Njeriu. Eshtë “qielli në lëvizje” ai që i jep udhëtarit një ndjesi sikur di t’i paraprijë vdekjes. Por cilës vdekje?Ajo fizike mundet të vijë herët ose vonë, nga një tjetër caktim. Ajo shpirtërore duhet të nisë prej nesh që të udhëtojë, duke mos mbetur pjesë e një mosnjohjeje të kufinjve – të dukshëm e të padukshëm. Don Kishoti, Shvejku, Pinoku, Fausti nuk janë thjesht personazhe, por janë bashkëshoqërues të këtij rrugëtimi, për t’u ndalur më pas edhe me Hajdegerin, Kafkën, Niçen, Gëten, edhe me mjaft emra të tjerë, të cilët janë udhëtarë nëpër shumë kufinj. Udhëtimi është pjesa ku bota rimerr përmasa të tjera. Mund të qëllojë të jesh Odise, Don Kishot apo Robinson Kruzo. Mund të duhet të sillesh si Xhepeto e të ndërtosh Pinokun tënd, ose të përgjigjesh, pasi ke vënë në dyshim gjithçka që ke menduar apo ëndërruar, si Don Kishoti Sanço Panços: “Edhe bën vaki”!Udhëtimet shpesh kemi dëshirë t’i kujtojmë e t’i rikujtojmë.   Hapim fotot. Kalojmë nëpër duar suveniret. Mendojmë edhe një herë rikthimin për ta shijuar edhe me dikë që kemi për zemër e që nuk e pa dot bashkë me ne. Magris, një nga shkrimtarët dhe esseistët ndër më të vlerësuarit për botën të cilën sugjeron,duket sikur përsërit përmes gjithë ndjesive të njëjtën moto: “udhëtimi nuk mbaron kurrë!”. I ardhur në shqip nga Mimoza Hysa,   libri “Udhëtim pa mbarim” mbetet një kontakt i jashtëzakonshëm me të dëshirueshmen e përhershme – atë të botës që duam ta shohim, njohim e ta përshkruajmë vetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *