‘Thertoret e Ramës’, ‘shënjestra e urinës’ dhe Nobeli në Ekonomi

Postuar më: 10 October 2017 09:47

Nga Enton Palushi 

A u ka rastisur që të nervozoheni, teksa jeni duke pritur semaforin? Sa herë i keni thënë vetes ‘pse nuk po bëhet jeshile’? Nuk jeni të vetmit. Tani pyeteni veten, a ndryshon gjë kur jeni ndalur përpara një semafori, që të tregon sekondat që kanë mbetur për t’u hapur drita jeshile? Ndoshta nuk e keni kuptuar, por kur jeni përballë një semafori të tillë, ndjeheni më të qetë. Nëse ju ka ndodhur kështu, atëherë jeni pjesë e një ‘eksperimenti’ interesant të autoriteteve, i quajtur ‘shtytja e lehtë’. Ju ndoshta nuk e keni kuptuar, por me shumë gjasë keni shpëtuar jetën dhe keni shpëtuar edhe të ardhura për arkën e shtetit. Padurimi për të parë dritën jeshile ju nxit për të shkelur gazin e për t’u treguar të pakujdesshëm. Të paktën disa studime thonë se një efekt i tillë është pozitiv.

“Shtytjet” i kemi kudo që hedhim sytë, por për herë të parë një libër kushtuar këtij fenomeni u publikua nga Richard Thaler, profesor i ekonomisë në Universitetin e Çikagos, që fitoi të hënën çmimin Nobel në Ekonomi. Thaler, një nga themeluesit e ‘ekonomisë së sjelljes’, së bashku me Daniel Kahneman, një psikolog i njohur, edhe ai fitues i Nobelit në Ekonomi, kanë arritur ta bëjnë një linjë dominuese në ekonomi parimin se njerëzit nuk janë racionalë në vendimet që marrin. Psikologjia dhe ekonomia janë lidhur ngushtë. Deri vonë mendohej se njerëzit janë racionalë në vendimet që marrin, por Kahneman dhe Thaler kanë bërë kaq shumë për të ndryshuar këtë mendim.

Pasi e mori çmimin “Nobel”, 72-vjeçari deklaroi se 1.1 milionë dollarët e fituar do i shpenzojë “në mënyrën më irracionale të mundshme”. Por në thelb, Thaler u shpreh i kënaqur se tashmë po kuptohet se tek e fundit në ekonomi janë njerëzit ata që marrin vendimet. Dhe njerëzit janë shpesh irracionalë në vendimet e tyre. Por ‘shtytjet’ i ‘ndihmojnë’ ata që të marrin vendime më të mira.

Merrni për shembull pensionet. Sa pak prej nesh preferojnë që të ruajnë kursimet e tyre për në pleqëri, por i shpenzojmë në mënyrë të shfrenuar në rini? Përse u lëshohemi kënaqësive të momentit, kur duhet të jemi racionalë për atë që na pret? Përse kemi kaq shumë besim tek vetja kur duhet të marrim një kredi apo të bëjmë një investim? Duke shpallur fituesin e Nobelit, komisioni bëri të ditur se Thaler ka bërë shumë për të ndihmuar njerëzit që të ushtrojnë vetëkontroll.

***

Ndërkohë që po shpallej fituesi i çmimit Nobel në Ekonomi, kryeministri Edi Rama po mbante një fjalim përpara drejtuesve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Përpara tyre, ai përsëriti edhe njëherë nevojën për ‘pastrim’, duke theksuar se duhet të hiqen thertoret buzë rrugëve.

“Therje në rrugë nuk mund të ketë më. Jemi i vetmi vend në kontinent që ther në rrugë. Kush nga ju këtu është realisht në punë se e njeh këtë punë, – nuk e kam për ata  tjerët që janë këtu rastësisht, – e di shumë mirë që në asnjë vend të rajonit dhe të Europës nuk theret gjë e gjallë rrugëve dhe për gjakun e derdhur në rrugë shkon në burg në të gjitha vendet normale. Këtu thertoret janë nga të katërta anët, njësoj si dyqanet që shesin rroba,” tha Rama.

Pasioni i Ramës për pastrimin dhe estetikën nuk është diçka e re. Disa thonë se me këtë zellin për të pastruar rrugët nuk ndryshon shumë nga paraardhësi i tij, Sali Berisha. Edhe ai në mandatin e dytë nisi një aksion të madh për pastrimin e rrugëve nga thertoret dhe nga varrezat e makinave. Aksioni dha rezultat, por sërish rrugët mbërritën në këtë pikë ku janë sot.

Megjithatë, në krahasim me Sali Berishën, Edi Rama ka diçka ndryshe. Ai nuk e do pastrimin vetëm sepse i vret syrin dhe dëmton shëndetin. Ai, ndoshta i nisur edhe nga teoritë e Thaler, është i bindur se pastrimi dhe rregulli ‘nxisin’ më shumë zbatimin e ligjit. Sa herë e ka thënë që bukuria është më intimiduese se brutaliteti? A nuk ishte kryebashkiak kur deklaronte se pikërisht bukuria që solli jo vetëm më shumë angazhim, por edhe më shumë njerëz që paguajnë taksat dhe zbatojnë ligjin?

***

Suksesi i librit “Nudge” bëri që Thaler të bëhet jo vetëm i famshëm në mbarë botën, por edhe të fitojë disa punë të mira. Në Britani ai ngriti një njësi për ‘shtytjet’ e cila synonte të gjente rrugë inovative për të ndryshuar sjelljen e publikut. Njësia hapi më vonë zyra edhe në shumë vende të tjera. Ekspertët thonë se teoria e tij dha rezultate, sidomos në fushën e pagimit të taksave apo në nxitjen e njerëzve që të kursejnë për pensionet.

Për të dhënë një shembull nga Kamal Ahmed i BBC: “Sa herë që ne jemi të uritur, nxitojmë për të blerë ushqime të shpejta. Teoria e shtytjes thotë se njerëzit janë më të prirur që të zgjedhin rrugën më të lehtë, në vend të asaj që është më e zgjuar. Por testimet kanë provuar se nëse ushqimi i shëndetshëm vendoset në një vitrinë më të dukshme, shtohen shitjet e tij. Kjo është një shtytje e lehtë, por e rëndësishme për shëndetin”.

Bashkëautori i librit, Cass Sunstein ka qenë edhe një këshilltar i presidentit të shkuar të SHBA, Barack Obama. Ky i fundit po ashtu ishte shumë i dhënë pas teorisë së shtytjeve. Në një rast pati deklaruar se amerikanët mund të kursejnë shumë në rast se nuk e ngasin makinën me goma të shfryra. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kandidatit presidencial të asaj kohe, John Mçain, që bëri humor me këtë deklaratë.

Sepse në fakt për kritikët, teoria e shtytjes shpesh duket e parëndësishme. Jo vetëm kaq, por ata thonë se ndërhyn në lirinë e zgjedhjes, duke e kufizuar atë. Të tjerë thonë se vetëm sa shton struktura në një sistem që duhet të drejtohet nga një qeveri e vogël. Disa shtojnë se qëllimi i kësaj teorie është manipulimi dhe përdorimi politik.

***

Lajmi për fituesin e çmimit Nobel në Ekonomi kaloi pa thuajse asnjë zhurmë në Shqipëri, edhe pse teoritë e fituesit të këtij çmimi i hasim çdo ditë në jetën tonë, duke na ndikuar thuajse në çdo vendim. Shkenca e trurit ka evoluar kaq shumë, sa politologu Ivan Krastev e quan atë një nga arsyet se përse ka rënë besimi tek demokracia. Por Krastev thotë se studimet e saj duhen përdorur që të fitohet besimi tek demokracia. Dhe ky është një mesazh i rëndësishëm për politikanët. Sidomos ata të opozitës.

 

Si të përmirësojmë shënjestrën gjatë urinimit

Nga Richard Thaler 

Më lejoni të jap një ilustrim të shtytjeve. Është për të qeshur, është një paragraf në librin tonë, por është deri më tani shembulli më i famshëm nga libri. Mesa duket një gjeni, një ekonomist në fakt, një ekonomist që punon në Aeroportin Ndërkombëtar të Amsterdamit Schiphol, kishte një ide brilante për të ngjitur imazhin e një mize shtëpie në urinalet e banjove të meshkujve në aeroport.

Imazhi i kësaj mize duket jashtëzakonisht realist. Është i vendosur pranë vendshkarkimit. Mesa duket, meshkujt, kur kujdesen për atë punën, nuk e kanë shumë mendjen tek misioni që kanë në dorë, por, dhe mesa duket ka një shpjegim evolucionar për këtë, nëse u jep një shënjestër, ata do e kenë objektiv. Sipas njerëzve që drejtojnë aeroportin, derdhjet e urinës janë reduktuar me 80 përqind. Ajo mizë shtëpie është bërë ilustrimi im i preferuar i ‘shtytjeve’./BigThink