Thaçi i kërkon Metës: Lëshoju pasaporta qytetarëve nga Kosova

Postuar më: 11 October 2017 12:45

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.

“Bashkimi Evropian e ka sjellë në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave”, tha Thaçi.

Këto komente Thaçi i bëri gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron në Prishtinë.

Presidenti Meta është pritur në Prishtinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me ceremoni shtetërore.

Presidenti Thaçi i ka ndarë homologut të tij nga Shqipëria çmimin, “Urdhri i Pavarësisë”, për meritat dhe angazhimet e Presidentit Meta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Por, një shqetësim që ka ngritur me këtë rast, Thaçi kishte të bënte me izolimin e qytetarëve të Kosovës, për shkak të lënien anash të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai tha se ka shumë studentë, punëtorë e qytetarë të Kosovës që për shkak të izolimit, nuk mund të shkojnë në vendet evropiane. Andaj, i bëri thirrje Tiranës, që në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën t’u mundësojë kosovarëve që të marrin nënshtetësi të shtetit shqiptar, në mënyrë që të fitojnë të drejtën për pasaporta dhe liri të lëvizjes.

“Shqetësimi im është se jemi tërësisht të izoluar dhe pa perspektivë në familjen euro-atlantike”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta tha se ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë, ngaqë ka shumë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të marrin nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë për t’i shpëtuar bllokadës në të cilën ai tha se padrejtësisht janë vënë.

“Theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, për të mos thënë këtij diskriminimi që u është vënë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Meta. Ai tha se e konsideron të padrejtë kushtëzimin që i është vënë Kosovës me ratifikimin e Demarkacionit dhe liberalizimit të vizave.

Në agjendën e presidentit Meta janë edhe takimet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pastaj me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Vizita e parë shtetërore e Presidentit të Shqipërisë në Kosovë përmban edhe takimin me krerët e partive parlamentare si dhe homazhe te Varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin e Memorialit “Adem Jashari”, në Prekaz-Skënderaj./RFE

1 koment për këtë artikull
  1. I Njohuri at 7:02 pm

    Shqetësimi im eshte se : Këtu na prune ti zot. Thaqi me politikë inferiore ndaj BE. Do ti plotesosh deshiren serveve qe te thon nuk ka shqiptar kosovar por te ardhur nga Shqiperia , Kjo ështe thikë me dy teha, shumë kërkes negative. Ne ashtu keshtu një e treta e popullit jemi ne Evropë apo Amerikë dhe kemi udhëtuar atje qysh ne vitet e 60-ta si te lirë. Tani politikat tuaja nenshtruese na pruan ku jemi. Te paaftët nuk leshojne rruge njrezve te afte te cilet kan deshmuar veten.Shqiptaret kan udhëheq persndori, kan formuar shtete, mirepo ne vend te vet klanet injorante nuk leshojne pozita tash e 19 vjet, populli i shkret ë e meriton sepse nuk del ne zgjedheje masivivisht me ju denue. Mizere

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *