Të pikturosh si MIRO!?

Postuar më: 09 October 2017 17:29

E ndoqa pikturën e ekspozuar të Eljan Taninit, në mjediset e Vilës Irion Brush, një vilë e gjendur në kurrizin e Pazarit të Ri, në rrugën “Qemal Stafa”, rrugë me histori. Sot një katrahurë e vërtetë, pisllëk, rroba të vjetra, biçikleta, frigoriferë, mobilie të vjetra, erë e keqe, pallate me tulla të kuqe, ku pjesë-pjesë janë të suvatuara e lyer me një të bardhë vjellacake. Dikur, në vitet ‘30, në trotuaret e saj të pastra, me dyert e lyera, që pas vështronin oborret e vilave të avokatëve, mjekëve, tregtarëve, rrobaqepësve të shkëlqyer, profesorëve dhe të politikanëve të kohës së mbretërisë

Nga Suzana Varvarica Kuka

E ndoqa pikturën e ekspozuar të Eljan Taninit, në mjediset e Vilës Irion Brush, një vilë e gjendur në kurrizin e Pazarit të Ri, në rrugën “Qemal Stafa”, rrugë me histori. Sot një katrahurë e vërtetë, pisllëk, rroba të vjetra, biçikleta, frigoriferë, mobilie të vjetra, erë e keqe, pallate me tulla të kuqe, ku pjesë-pjesë janë të suvatuara e lyer me një të bardhë vjellacake. Dikur, në vitet ‘30, në trotuaret e saj të pastra, me dyert e lyera, që pas vështronin oborret e vilave të avokatëve, mjekëve, tregtarëve, rrobaqepësve të shkëlqyer, profesorëve dhe të politikanëve të kohës së mbretërisë. E ndoqa ekspozitën e Taninit, jo si një prurje e re, pasi krijimtarinë e kësaj forme të piktorit e njohim dhe është e natyrshme që për vetë Taninin është një prurje e re, por në impenjimin tim dëshiroj të sjell disa fakte të tjera.

Së pari, për sinqeritetit e Taninit, i cili pranon me kënaqësi se: “Po, më pëlqen shumë Miro, kam pikturuar që në kohën e studimeve si ai. Pedagogu im Myftar Cubi nuk më ndërhyri askurrë në dëshirën time, nuk tentoi kurrë të më ndryshonte drejtim në edukimin tim artistik”. Jean Miro Ferra (1893-1983) ishte një artist katalan barcelonas, që u edukua si biznesmen dhe artist. U bë shumë i njohur në Paris. Veprat e tij janë një përbërje e frymëzimit nga arti abstrakt dhe fantazia surrealiste. Miro u formua si artist i njohur i modernizmit të shek. XX dhe stili i tij u evolua përmes tensioneve impulsive nervore të brendshme, poetikës estetike që artisti iu dha vizioneve të veta, si dhe mbijetesës së tyre në ashpërsinë që shfaqi koha moderne në të cilën jetuan modernistët.

Së dyti, për temën, të cilën ai e lidh me fëmijërinë e tij, por jo vetëm, pasi ajo është e lidhur me të gjithë ne. Është një kohë që e kemi tejkaluar të gjithë, mbetet një kohë që do ta tejkalojnë të gjithë të lindurit. Por natyrisht jo të gjithë kanë vizatuar e pikturuar, jo të gjithë kanë pasë lodra. E jo të gjithë kemi luajtur e kemi bërë lojëra të njëjta e kemi pasë lodra me forma të njëjta. Çdo kohë ka sjellë lojërat në rrugë e lodrat e veta në shtëpi. Lodrat e Taninit në këtë ekspozitë bashkohen me meditimin e një të rrituri, që tenton të jetë aktiv në fenomenet e së përditshmes.

E thënë kështu thjesht nuk bën asnjë përshtypje, por ftesa e Taninit është domethënëse: Ftohen fëmijët ta vizitojnë këtë ekspozitë me prindërit. Ndërsa të ‘Mëdhenjtë’, mos të rriten shumë seriozisht. Kam si qëllim të kthehem në fëmijëri, duke provokuar pastërtinë e dëshirave njerëzore. Ftesa e tij është konkrete. Vizita nuk kushton vetëm kohë, ajo kushton shumë për fëmijët, ajo kthehet në një hapësirë edukuese dhe veprimtarie mësimnxënie.

Mendoni t’i kishim shumë më mirë të organizuara lidhjet e shkollave tona me sallat e ekspozimeve në Galeri e Muze, qofshin ato private, publike apo kombëtare, se sa shumë vlerë edukimi për fëmijët me artin do të merrte piktura e Taninit dhe jo vetëm? Mbi të gjitha kënaqësia e një fëmije përpara një vepre dhe artistit të saj, përpara ngjyrave të vetë fëmijës dhe ngjyrave të pikturës së artistit do të ishte një vlerë në kërkim të formimit të transcendencës së një brezi që nis jetën. Në mënyrë të vullnetshme, bashkësia nxënëse dhe lektorë, përmes disa projekteve, do të realizojë takime të tilla, edhe pse të pakta.

Së treti, Tanini, nuk pretendon artin e madh, që ka për detyrë të çudisë apo tronditë për ndryshim themelet e sistemit të artit në Shqipëri. Ai me shumë ndjesi dhe me një memorie pozitive shkon tek e shkuara e kohës së vet dhe tenton të risjellë si një i rritur përmes figurave, të cilat e marrin inspirimin nga koncepti figurativ i artistit Miro. Ai i drejtohet formës së artistit katalan, por në dosjen e tij të kujtesës ka fëmijën e rritur, që sheh paqe edhe tek e keqja.

Së katërti, figurat imagjinative, që ekspozon krejt lirshëm Tanini, janë gjenerim prej një përvojë të njohur e të shfaqur në shekullin XX. Ajo i përket parimit të atyre modernistëve, që imazhin e prodhuan si jo-objektiv, me forma biomorfike, gjeometrike dhe abstrakte. Dhe për këtë ai nuk bërtet, por pranon me qetësi zgjidhjen e tyre.

Kam idenë se piktori ia ka arritur qëllimit që ekspozita të na tregojë cilat janë objeksionet tematike të Taninit, të cilat vijnë krejt të abstraguara dhe aspak agresive në grafikimin e linjës dhe mbushjen me ngjyrë të formës-shenjë që linja e tij krijon. Kjo lexohet e qartë, sepse piktura e Taninit buron nga një mendim-ide mbi një fenomen, lodër, objekt apo ndjesi e memorizuar dhe më pas kthehet në një interpretim figurativ dydimensional. Tanini ka një shpjegim për çdo 50-të pikturë të tij, por ka lënë të lirë çdokënd të bëhet pjesëmarrës aktiv, për të interpretuar dhe shprehur mendimin-pasojë mbi pikturën, sipas shkakut-imazh që ka figura. Ai pranon të bëhet kjo “lojë” e re me humor dhe seriozitet.

Tanini nuk vjen krejt rastësisht dhe për herë të parë me këtë ekspozim, sepse në prapavijën e tij krijuese ka disa përvoja, me të cilat publiku i Tiranës dhe më gjerë është njohur, pasi disa shenja të tilla figurative janë hedhur tashmë në muret e anëve të disa bulevardeve të kryeqytetit tonë. Kjo ekspozitë ka një citim në titull shumë kurioz dhe tërheqës, “Detyrë Klase”, një titull aktiv dhe përmbajtësor për çdokënd në këtë rruzull. Prezenca e detyrave të klasës është një obligim, edhe pse në dukje Tanini në këtë ekspozitë hyn në formën e një shakaje apo gjëegjëze të këndshme. Si shaka sepse jam e bindur që atij i ka dhënë një kënaqësi ta pafund, pasi mendimi fillestar ka qenë i çlirët dhe pa ngarkesa serioziteti, siç e përmenda dhe më lart, si dhe natyrshëm i ka thënë vetes “ej po e provoj një herë”. Dhe si gjëegjëza, sepse cilido që qëndron ballas veprës së tij, nuk do gjejë asnjë titull dhe mund të thotë atë që ndjen e që zbulon, e cila nuk është asnjëherë titulli dhe figura që ka autori. E kjo merr formën e një gjëegjëze.

Në ekspozitë Tanini sjell origjinën e shpalosjes së krijimit të veprës që vjen siç ai mendon se: I vogël mbaja gjithmonë një dosje, ku vetëm pikturoja thuajse të njëjtat gjëra. Ngjyrosja hapësirat që krijoja vetë dhe iu jepja interpretime duke ua treguar më të mëdhenjve. Flisja me figurat e mia, siç luajnë fëmijët me lodrat e tyre. Por aha, s’ma varte kush për zërat që krijoja. Dhe për ta realizuar këtë ai shprehet: Kam harxhuar me dëshirë pafundësisht kohë duke parë fëmijët nëpër kopshtet e Tiranës, për të vjedhur mënyrën e tyre të ngjyrës, bojës apo lapsit.

Eljan Tanini është një njeri kompleks, ku në edukimin e tij përfshihet edhe piktura. Ai është një ri që në vazhdimësi u edukua me mendimin filozofik, e që në ditët e sotme, vepron në shumë kahe edhe si një aktiv i politikave sociale e ambientaliste, por edhe atyre administrative e shtetërore. Tanini ka energji, të cilën po e konsumon në disa kahe krijimi dhe po e ekspozon prej disa kohe pikturën e tij, e cila dëshiron të jetë e ndryshme në thelbin e saj, që nga dita që pikturoi nën vëzhgimin e detyrueshëm të edukimit artistik në shkollën shqiptare.

Tanini është një shembull i asaj që sot më vjen rasti ta shpreh me shumë pak fjali e që tregon se veprimtaritë e artit, të kohës sonë, nuk kanë efektin e rëndesës së seriozitetit, ku artisti vjen ballë vetes, artistëve të tjerë apo megallomanëve kritikë, i ndrojtur, i pirë, nevrik, i tmerruar nga ajo se çfarë do e presë në ditën e zbulimit të imazheve të tij, që shkatërronte trurin e vet nën goditjen e dilemës së pritjes “do dështoj apo do më duartrokasin”? Pra, shkurt dhe qartë nuk jemi në kohën e Picassos, ku pas ekspozimit në kafenenë e artistëve ai qëndronte në krye dhe priste të shpotiste artistin e ngratë apo ta gozhdonte për sfidën e radhës. Ajo kohë e tillë ka përfunduar.

Gjithsesi, jemi në një kohë të hapur, edhe pse në dukje moskokëçarëse e pa shumë ankthe. Jemi aty ku çdokush eksperimenton, krijon, ekspozon, prezanton dhe shpreh. E grupi i tij e përkrah, i jep lavde dhe i vendos kurorën e dafinave duke shkruar e thënë “Je i madh”. Ndonëse në të tilla situata shoqëria jonë jeton e punon, u gjenda në ekspozitën e Eljanit, e cila ka impenjimin e saj, ka burimet e veta se nga erdhi dhe natyrshëm ka një drejtim se ku tenton të arrijë. Dhe nëse vërtet Tanini e bën njësh pikturën e tij me edukimin, pasi ajo vjen nga një mjedis i tillë, atëherë shpresoj të fitojë suksesin e saj./Mapo.al/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *