Sot shesim ‘dëngla’ me ‘X6’, por ja si udhëtonin shqiptarët ndër vite…

Postuar më: 09 October 2017 16:53

Të gjithëve nga pak na ka rënë rasti që të mund të shohin ose të prekim makina që prindërit ose gjyshërit tanë i kanë përdorur vite më parë.

Kemi dëgjuar jo pak histori në të cilat tregohet se çfarë hiqnin ata, për të gjetur automjete për të lëvizur nga njëri qytet në tjetrin dhe sigurisht, që nuk diskutohej për makina personale, përveç atyre që ishin “kuadrot”, ose që kishin një pozicion të caktuar në shoqërinë komuniste.

Automjetet e para në Shqipëri kanë ardhur pas vitit 1925, ku Presidenti i Republikës (që më pas do të ishte dhe Mbreti I Shqipërisë) Ahmet Zogu, ndërmori disa reforma për sa i përket automobilave.

Makina e asaj kohe deri në ardhjen e komunizmit ishte “Fiat” dhe gjithë nënllojet e saj, si psh. “Fiat 603”, “Fiat 15”, autobusi “MAN”, “Fiat 1100” etj.

Targat e para shqiptare ishin në formë drejtkëndëshe, të bardha me shkronja të zeza në një rresht, me një shkronjë që tregonte Prefekturën e shoqëruar nga një numër progresiv. Traga në pjesën përpara të makinës ishte me madhësi më të vogël, e tipit ”Italian” dhe kishte shkronjat ndërkombëtare të përfaqësimit, pra shkronjat “AL”.

Targat diplomatike fillonin me shkronjat fillestare “CD”, ato ushtarake me shkronjat “SU” ( Shërbimi Ushtarak) dhe targat qeveritare me shkronjën “Z” (Zyrtare). Në vitin 1929 qarkullonin vetëm 375 makina në të gjithë Shqipërinë.

Pas vitit 1939, situata në Shqipëri ndryshoi për shkak të “italianizmit” të vendit, gjë që solli dhe ndryshimin e targave dhe adoptimin e një formati ndryshe të shkrimit, psh. Tirana, kryeqyteti shkruhej si Roma dhe jo më me një shkronjë, pra Tiranë.

Komunizmi

Pas vitit 1944, kur italianët kishin ikur nga skena shqiptare bashkë me gjermanët, me fillimin e një diktature shumë të fortë, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, ishte plotësisht e ndaluar për qytetarët që të blinin makina, madje ishte e ndaluar edhe për ata që të mbanin ato ekzistuese.

Pra pronarët tashmë e 6000 automjeteve që ishin deri në vitet 1950, nuk ishin më fisnikët shqiptarë, por vet shteti i cili i shtetëzoi të gjitha automjetet e kapura nga pas-lufta. Në këtë kohë edhe targat u kthyen në thelb, si ato të para 1939-ës, duke u shtuar vetëm dy yje të kuq.

Kështu filloi edhe regjimi i cili do të zgjaste për plotë 45 vite, ku njerëzit do të fillonin të njiheshin me biçikletat sesa me automjetet.

Si udhëtonin shqiptarët në Komunizëm

Nëse të binte halli, ose kishe punë nga një qytet në një tjetër, njerëzve u duhet të sfiliteshin duke u ngritur që me të gdhirë për të udhëtuar majë karrocerisë së një “ZIS”-i, “GAZ”-i ose “Skode”. Në zonat më të urbanizuara gjeje edhe trena apo autobusë, madje në qytete kishte edhe taksi, por ato ishin gjithsesi një luks dhe nuk mbulonin çdo destinacion.

Në shumë zona të thella të vendit transporti ishte një aventurë më vete dhe një okazion në shpresë të mjeteve rastësore, që mbulonin ato akse.

Autobusi “Skoda 706 RTO” i prodhimit çek, ka qenë “legjenda” e mjeteve të transportit rrugor të udhëtarëve në Shqipërinë e viteve 1970-’80. Gjendja e tyre shumë e mirë ka arritur të mbajë “gjallë” edhe disa ekzemplarë gjatë viteve 2000, duke realizuar destinacione rurale të transportit publik brenda rretheve.

Por ishte dikur edhe Uzina Mekanike e Shkodrës, ajo që i riparonte dhe i mirëmbante këta autobusë, duke u mbuluar totalisht gjurmët që u linin vitet dhe dëmtimet e rrugëve problematike shqiptare.

Gjatë këtyre viteve një rol shumë të rëndësishëm kanë pasur dhe “IFA”-t, të cilët kanë qenë kamionët më të mirë të ushtrisë shqiptare gjatë viteve 1985-1999, po që sigurisht i gjen edhe sot në zonat e thella e malore të Shqipërisë, për ata që presin pyjet ose mbase bëjnë dhe kontrabandë.

Ky kamion legjendar, i cili vijon të përdoret edhe sot në shumë shtete si një mjet praktik dhe shumë funksional ushtarak, dikur ishte krenaria e transportit ushtarak edhe në Shqipëri./Albanian-Transport/Mapo.al/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *