Skaneri i së hënës dhe pikëpyetja e madhe: Çfarë dinë italianët?

Postuar më: 23 October 2017 13:21

Mëngjesi i së hënës nisi sërish me përplasje sa i përket çështjes së Saimir Tahirit.

Kryeministri Edi Rama kritikoi punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për dosjen e ish-ministrit të Brendshëm.

Sipas kryeministrit në Komisionin e Mandateve dhe Imuniteteve, “prokuroria dha një shfaqje sa komike aq dhe dramatike. Uroj sinqerisht që prokurorët e kësaj çështje shumë serioze e të rëndësishme ta mbledhin vetën, të mbyllin komunikimet me nxitësit e nxituar të asaj farse, të fokusohen te çështja e të bëjnë deri në fund punën e tyre”.

Për rastin e zotit Tahiri parlamenti do të shprehet me votë ditën e mërkurë.

Qëndrimi i socialistëve është tanimë fare i qartë.

“Kërkesa për arrestim është e papranueshme se është arbitrare. Kërkesën për arrest e refuzojmë unanimisht”, deklaroi zoti Rama duke shtuar se “për t’i dhënë të gjitha mundësitë e nevojshme për kryerjen e një hetimi serioz, të thellë e e shterruese përfaqësia jonë ka nënvizuar pranimin e kërkesës për: Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit; Detyrimin për paraqitjen në policinë gjyqësore; Ndalimin dhe detyrinin për të qëndruar në një vend të caktuar; Garancinë pasurore dhe Kontrollin e banesës dhe personal”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda reagoi menjëherë, duke theksuar se këto deklarata janë intimidim ndaj punës së tyre. Ata përmendin edhe rastin e ish-kryeministrit kroat, të dënuar për korrupsion për shkak të një ore dore.

Rama u përgjigj duke i uruar Prokurorisë “punë të mbarë”, por duke u kujtuar se nuk duhet të përfshihen në debat politik.

Por ajo që bie në sy është se çështja e Tahirit nuk po gjen shumë hapësirë në mediat ndërkombëtare.

Përveç disa raportimeve të AP dhe Reuters, nuk gjen shkrime që i japin rëndësi kësaj situate.

Vetëm një revistë hungareze, HVP ka përgatitur një shkrim për çështjen e Tahirit.

Në shkrim thuhet se “një Audi luksoz mund të zhysë një ish-ministër të Brendshëm”.

Gazetari thekson se “Nuk është çudi që të dhënat për këtë skandal kanë ardhur nga jashtë. Policia italiane i ka monitoruar trafikantët që prej vitit 2013 në Siçili”.

Ata flasin për ‘Shefin e madh’ në Tiranë.

“Nëse Tahiri është në fakt shefi i madh në Tiranë, siç bëjnë të ditur burimet italiane, kjo duhet provuar- lëvizjet e parave nuk kanë shenja për shembull”.

“Pikëpyetja e madhe janë provat që policia italiane mund të ketë për Tahirin, çka nuk dihet akoma, përveç disa materialeve të rrjedhura në media”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *