SARAH, roman nga Peza – një surprizë e bukur

Postuar më: 21 October 2017 12:19

Botimet MAPO na bëjnë herë pas here një surprizë: kësaj radhe me romanin Sarah të Alfred Pezës, i cili, pasi ka ecur gjatë në rrugët e gazetarisë, të drejtimit të mediave e të debatit politik, ka shkelur dhe në shtegun e mundimshëm të letërsisë.  Që është më tekanjozi, më i pabesi dhe më tradhtari nga të gjitha versionet e profesioneve humaniste. Por dhe më joshësi

Nga Diana Çuli

Botimet MAPO na bëjnë herë pas here një surprizë: kësaj radhe me romanin Sarah të Alfred Pezës, i cili, pasi ka ecur gjatë në rrugët e gazetarisë, të drejtimit të mediave e të debatit politik, ka shkelur dhe në shtegun e mundimshëm të letërsisë.  Që është më tekanjozi, më i pabesi dhe më tradhtari nga të gjitha versionet e profesioneve humaniste. Por dhe më joshësi. Pra, edhe Alfred Peza, si shumë kolegë të tij, si shumë gazetarë  e publicistë paraardhës e si shumë të tjerë në të ardhmen, nuk i shpëtoi tundimit. Ndoshta gabohem, por më duket se kjo është një traditë veçanërisht shqiptare. Nga ana tjetër, kjo “shkelje” në këtë rrugë e Alfred Pezës duket mjaft serioze dhe pa kthim pas.

Përse arrij në këtë përfundim? Sepse i ka të gjitha indizi-t: Atmosferë, gjallëri  të epokës që përshkruan, personazhe të skalitur, gjuhë të mirë, strukturë të qëndrueshme…dhe lexuesi, kur mbaron së lexuari këtë libër ka përfituar një njohje të thelluar të një pjese të botës shqiptare: atë të viteve 20-30. Fare pak të njohur për ne, që dimë ngjarjet politike, por jo jetën e përditshme të njerëzve, të thjeshtë apo në pozita të larta, të varfër apo të pasur, të mbretit, të drejtorit të policisë, të grave që thyenin tabutë, të intrigantëve, të kundërshtarëve politikë e shumë të tjerëve.

Është e qartë se Alfred Peza ka studiuar gjatë dhe në detaje kohën në të cilën kanë ndodhur ngjarjet. Është nisur nga një personazh real – Sara Blloshmi, mbesa e drejtpërdrejtë e Ismail Qemalit (sa pak që dimë edhe për jetën e familjarëve të njeriut më të lavdishëm të Shqipërisë, sa turp për persekutimet që kanë pësuar…) për të na dhënë një tablo shumëngjyrëshe të kësaj periudhe. I saposhpalluri mbret, Zogu I, duhet të përballet, përveç problemeve të panumërta të ndërtimit të një shteti nga e para, edhe me dilemën se cilën rrugë do të ndjekë Shqipëria: do të mbetet peng i mentalitetit të vjetër shekullor, të klaneve e të tribuve, apo do të ecë drejt Perëndimit.

Sara Blloshmi është simbolika provokuese e kësaj dileme. Dhe, si rrallëherë në vepra letrare me personazhe realë, nuk është e rëndësishme “në ka ndodhur apo jo vërtet kështu”. Nuk na intereson në ka qenë vërtet Sara Blloshmi e dashura e mbretit – kjo lidhje i jep një tis ekzotik romanit dhe shton tensionin – por na shtyn të reflektojmë mbi faktorët e shumtë që ndikuan tek mbreti për të ndjekur rrugën perëndimore. Për ta kuptuar më mirë shoqërinë shqiptare, elitën e saj të asaj kohe, Alfred Peza na udhëheq nëpër shtëpitë e tyre, në zyrat ku diskutonin, në kafenetë ku bisedonin, në heshtjen e mendjeve të tyre, që përpiqeshin të orientoheshin në këtë epokë të re e të panjohur. Fuat beu, personazhi menjëherë i dallueshëm si sozi letrare e Faik Konicës, përfaqëson krahun përparimtar të kësaj elite, që ndikoi në marrjen e vendimeve të monarkut.

Ndërkohë, Sara Blloshmi nuk është vetëm një rizbulim, një shpalosje e një karakteri të veçantë, rebel, emancipues e çlirues në një shoqëri të zymtë, patriarkale e vrastare, por edhe një personazh letrar interesant e shumë tërheqës.  A përfytyrojmë dot një grup të vogël grash, të veshura si europiane, tek hyjnë në  kafenetë e Tiranës, të drejtuara nga Sara, që sapo e ka skandalizuar këtë Tiranë me kërcimin e saj në ambasadën amerikane? Le të kujtojmë vetëm një çast imazhet e Institutit italian Luce, që na tregojnë se si ishte pamja e zakonshme e Tiranës në ato vite,  me gra me ferexhe, me tregje ku perimet tregtohen përtokë, me njerëz në skaj të varfërisë që i bien dajreve rrugës, thellësisht të trishtuar…Pra, në këtë Tiranë që mbreti dhe elita politike e kulturore duhet ta nxirrte nga balta e qerpiçit dhe nga prapambetja shekullore ekonomike, sociale e kulturore,  figura e Sara Blloshmit padyshim që do të shkëlqejë si një xhevahir, por me dritëza që shuhen e ndizen, si  paralajmërime të një tragjedie. Sepse, të duket sikur të thotë autori përmes ngjarjeve që përshkruan, nuk ka asnjë ecje përpara pa sakrifikim, pa u derdhur gjaku i të pafajshmëve, pa keqkuptime, pa intriga të fshehta penguese, pa ngritje muresh për të mbyllur rrugët dhe shtigjet shpëtimtare.

Pra, romani Sarah na kthen në vitet 20- 30. Ka pak letërsi bashkëkohore shqipe që trajton këtë periudhë. Alfred Peza i ka hyrë thellë, ka ndezur pishtarin në tunelet e saj të errëta e të paditura, për të hedhur dritë, për të kuptuar, për të ndjerë edhe aromat drithëruese të së resë, të së panjohurës, që shpërndaheshin me guxim e me hijeshi nga figura emblematike e Sara Blloshmit.

Shpresoj që Peza të mos ndalet në këtë rrugë që ka ndërmarrë e që ia ka dalë me sukses. Shpresoj të kemi të tjerë libra të tillë prej penës së tij. Shpresoj gjithashtu, që lexuesi shqiptar të tërhiqet nga ky libër për shumë arsye, disa prej të cilave u përmendën më sipër. Por, kryesorja: sepse është një libër i bukur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *