Basha: Rama nuk flet për krimin se është njësh me të

Postuar më: 13 October 2017 10:51

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka kritikuar sjelljen e deputetëve të Partisë Socialiste të cilët mbështesin dhe qeshin me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, ndonëse këtij të fundit po i dalin çdo ditë lidhjet me kriminelët.

Duke i quajtur kukulla pa personalitet dhe pa integritet, Basha iu drejtua deputetëve socialistë duke thënë se gjysma e tyre kanë shkuar në Kuvend për shkak të lidhjeve me krimin.

“Për çfarë qeshni ju? O kukulla pa personalitet dhe pa integritet. Gjysma juaj kanë ardhur këtu të kapur prej dore nga krimi. Ky nuk guxon të thotë një fjalë për krimin sepse ky është njësh me ta. Dhe nuk ka nevojë të tregojë foto sepse i keni patur këtu dhe i keni akoma këtu. E shndërruat një parti politike në një bandë kriminale”, tha Basha nga foltorja e Kuvendit.

“Vjen dhe sulmon një orë opozitën dhe nuk thotë një fjalë për krimin, pse? E di vetë sepse. Sepse ai është njësh me ta, dhe nuk ka nevojë të tregoj fotot  për këtë, i keni pasur këtu dhe i keni akoma këtu, këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Për çfarë? Për të dënuarit me drogë, prostitucion, që Edi Rama i bëri deputetë dhe i solli në këtë sallë dhe i bëri kryetarë bashkie.”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka bërë të ditur se Partia Socialiste në Lezhë nuk ekziston pasi atje sundon krimi. E njëjta situatë sipas Bashës ndodhet edhe në qytete të tjera në degët e PS-së, ku janë bërë njësh me krimin.

Basha tha në Kuvend se opozita nuk ka asnjë dyshim se Rama nuk e lufton dot krimin, pasi ai është vet krimi i organizuar.

“E dini që nuk nuk keni parti në Lezhë? Qani hallin e PD-së. A e dini që në degë të ndryshme të PS-së sundon krimi. Por kur ju ngrejnë armët në mbledhjet tuaja domosdo do i keni edhe në degë. Rama nuk jep do të përgjigje përse Durim Keçit iu hoq emri nga Interpoli. Ne nuk kemi asnjë dyshim që ti nuk e lufton dot krimin e organizuar sepse ti je krimi i organizuar. Vjen këtu me dërdëllitje banale. I pashkollë je në krahasim me këtë grup opozitar këtu. Ti nuk zgjedh shkollën, ti sjell diplomat fallso, ti zgjedh krimin, me këta qeveris. Shqetësimi im nuk ka qenë kurrë ky njeri dhe qeveria e tij, por gjëma që po i bëhet këtij vendi. Ne duhet të gjejmë urgjentisht daljen nga kjo rrugë ku e ka futur vendin Edi Rama në aleancë me krimin. Realiteti është se Edi Rama ka marrëdhënie direkte, personale, me trafikantë dhe biznesmenë të lidhur me krimin”, u shpreh Basha.

Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se në 25 qershor, ashtu siç tregon raporti i OSBE/ODIHR-it sipas tij, u krye atentat ndaj demokracisë.

“Së pari, raporti i OSBE/ODIHR-it nxjerr në pah se vota e qershorit u ndikua dhe u ble. E dyta, vota u ndikua dhe u ble nga Edi Rama dhe PS. E treta, Edi Rama e ndikoi dhe e bleu votën duke përdorur paratë e drogës, kriminelëve, bandave dhe burimet publike. Këto përbëjnë atë që e dinë të gjithë: që më 25 qershor u krye atentat ndaj demokracisë”, tha Basha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *