Pse ndryshoi qëndrim Edi Rama dhe çfarë do ndodhë me Tahirin?

Postuar më: 20 October 2017 17:49

Të mërkurën e kësaj jave Edi Rama dha mesazhin se e kishte “lëshuar’ në duart e drejtësisë ish-ministrin e tij më të suksesshëm të qeverisjes së shkuar.

Ai pranoi se “mes nesh ka edhe drurë të shtrembër”, ndërsa Tahiri replikoi se “nuk keni para gjë akoma”. Ka qenë mbrëmja e po asaj dite që i ka vënë dy ish-bashkëpunëtorët përballë njëri-tjetrit në një takim në periferi të Tiranës, ku tonet e bisedës kanë qenë të larta dhe kundërshtimet të mëdha.

Deri atë ditë asnjë nga kolegët e qeverisë apo grupit parlamentar nuk e kishte mbrojtur Tahirin në publik dhe nuk kishte folur kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit.

Ai dukej i lënë në fatin e tij dhe autorizimi i Kuvendit për arrestin e tij dukej një punë e kryer. Por nga mëngjesi i së premtes qëndrimi i maxhorancës ndryshoi. Ministri i Brendshëm, Xhafaj ishte i pari ai që  rrëzoi kërkesën e Prokurorisë duke thnë se personalisht nuk gjente prova në të.

Më pas anëtarët e PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores me ndihmën edhe të kryetarit Ruçi që favorizoi hapur krahun e tij politik, bënë çdo gjë për të nxjerr në dritë të keqe prokurorët dhe  shfrytëzuan çdo rast për të gjetur të çara në kërkesën e Prokurorisë.

Kryeministri, gjithashtu ndërhyri në Faceboook për ta quajtur seancën e hapur deri në atë kohë si “muhabet pazari”.

Më në fund edhe pas seancës me dyer të mbyllura Bledar Çuçi shpalli votën e tij kundër dhënies së lejes së prokurorisë duke e quajtur mbledhjen një farsë të organit të akuzës.

Po çfarë ndodhi që kryeministri ndryshoi 180 gradë qëndrimin e tij? Pse Rama nga epiteti “dru i shtrembër” mund ta strehojë sërish Tahirin në stivën e PS-së? Çfarë e detyroi kryeministrin që pas takimit të së mërkurës me ish-vartësin e tij të kërkonte nga të njëjtët deputetë që deri atëherë e kishin bishtnuar, të mbronin dje fort kolegun e tyre?

Varianti i parë ka të bëjë me materialet që ish-ministri  mund të ketë e mund të përdorë si kundërpeshë për qeverisjen dhe maxhorancën në rast të dorëzimit të tij pa kushte.

Varianti i dytë afrohet me një strategji të mirëmenduar nga shumica dhe Tahiri. Në këtë rast një kompromis mes Ramës dhe Tahirit për t’i nxjerr dy palët të lara do të ishte që PS-ja të jepte autorizimin për arrestimin dhe të ishte gjykata që të rrëzonte kërkesën e Prokurorisë (nisur dhe nga dosja e akuzës e hartuar shpejt e shpejt).

Varinati i fundit dhe më i besueshmi është se maxhoranca nuk do ta miratojë kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Tahirit dhe kjo mund të jetë vendosur dje pas seancës së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ku materialet e Prokuriorisë u pa se kishin probleme me provat. /Mapo.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *