Mikro-ekonomia në vazhdimësinë e preferencës

Postuar më: 21 October 2017 12:28

Në lëvizjet tona dhe zgjedhjet tona, që janë thuajse refleksive, domethënë që i kemi me një  kërkesë të brendshmë që nuk llogarit efektin, ne përcaktojmë pikërisht jetën e mallrave, sasinë e tyre në lëvizje, sipërfaqen e shtrirjes së tyre dhe të ardhmen e tyre si programim konsumi. Kjo është preferenca.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Java në kalim solli një fluks të ri studentësh në auditoret tona. Freskia e tipareve të tyre, pastërtia e veshjeve dhe gëzimi i fillimit të vitit të ri shkollor emetohej nëpër korridore e klasa si një rrymë apdetimi e jetës universitare, por jo vetëm. Universitetet janë laboratoret ku formulohet koshienca bashkë me riformulimin e objektit të zgjedhur profesional, i cili rigjallërohet e ndizet kur bie në marredhënie me ta. Jeta e semantikave profesionale është një nga bukuritë e shpirtit të njeriut që vesh pritshmërinë e tij dhe bashkë me të sensin kritik në nevojën praktike për përshtatjen me kushtet.

Në të gjitha aspektet e saj, teorike dhe vepruese, baza e bazës së shoqërisë njerëzore ka qenë e vazhdon të mbetet: mikroekonomia. Aristoteli dallonte kulturën e grupimeve në mënyrën sesi ata zhvillonin ekonominë e tyre të vogël, mënyrën se si jetonin e trajtonin të mirat e tyre materiale. Kursimi, ekonomizimi, trajtimi i të mirave materiale, gatimi me recetat proporciale e në masë, etika në lidhje me mallrat dhe përkujdesi për to,  të gjitha këto raporte dhe elemente të ekonomisë së vogël njerëzore kundrejt konsumit përditor, përbëjnë bazat e kulturës së jetesës. Duket e mahnitshme, po kultura e jetesës është bërthama e tipareve konstitucionale të një shoqërie apo grupimi, finesa apo bruti, në konceptin organizativ e etik.

“Mikroekonomia e avancuar”, një libër i rrallë për nga bukuria e tekstit dhe poetika konceptuale, u botua para një viti nga UMSH press, në mbi 400 faqe, prej autorësh akademikë të po këtij univesiteti: Alqi Naqellari, Greta Angjeli dhe pedagogia e re, Elona Shahini. Ka gjasë që ky të jetë libri i parë i këtij lloji në vendin tonë për studentët e  ekonomiksit.

Mund të paramendohet se kjo lëndë të ketë lodhje konvecionale prej termash të teksteve klasikë të kuptimit të raporteve ekonomike. Me këtë paragjykim edhe iu afrova librit fillimisht; e nisa ta lexoj thjesht prej respektit e mirësisë që kam ndjerë për punën e madhe të Alqi Naqellarit dhe Greta Angjelit në mjediset tona profesionale. Por u befasova ndërsa takova një gjuhë aq poetike të trajtimit të termave, që sigurisht, siç mësova, vinin nga një përvojë e krahasimit të mbi 100 teksteve në gjuhë të ndryshme botërore, për të mundësuar më të mirën, për hartimin e këtij teksti universitar.

Le të hidhemi në lëndë: secili prej nesh qënka një konsumator i një lloji, i një klase, i një tipari preference, i një shkujdesjeje vëmendje që tregon gjithashtu për një kategori mallrash, që ndryshe u quajtka indiferenca.

Në lëvizjet tona dhe zgjedhjet tona, që janë thuajse refleksive, domethënë që i kemi me një  kërkesë të brendshmë që nuk llogarit efektin, ne përcaktojmë pikërisht jetën e mallrave, sasinë e tyre në lëvizje, sipërfaqen e shtrirjes së tyre dhe të ardhmen e tyre si programim konsumi. Kjo është preferenca.

Produkte që konsumojmë na bëjnë konsumatorë të një tipologjie  e cila me një emër të thjeshtë quhet shporta e konsumit. “Një konsumator është një njësi vendimmarrëse, me një objektiv të synuar që mund të jetë: një individ, një familje, një komunitet i fqinjëve, etj.”

Eshtë interesante se bota pozitive në mikroekonomi konsiderohen mallrat, produktet për konsum të kërkuara. Kurse bota negative konsiderohet puna që konsumatori duhet të bëjë pë të pasur mundësi t´i blejë ato.  Puna e nevojshme shënohet me numrat realë negativë.  Më pëlqen ky përcaktim sepse të gjithë e shikojnë punën si fetish. Po ja një matematike e zhvilluar mikroekonomie që e shikon punën si detyrim, si detyrim për sigurim. Si ngarkesë negative.

Nëse konceptet dhe moraliteti që ato përmbajnë, kanë një shtrirje, një dimension social, pra  një numër n njerëzish që i përdorin ato dhe deri diku i besojnë, kemi gjithashtu edhe një numër mallrash (botë materiale kjo), të cilat përdoren gjerësisht nga një sasi konsumatorësh, që i blejnë e që i pëlqejnë (ndoshta deri diku ato). Them deri diku se mundësia e blerjes varet edhe nga xhepi. Kështu sipas shtrirjes së produktit, shportat e konsumit janë të hapura ose të mbyllura, konkave ose konvekse, me dimension shtrirjeje sociale të gjerë ose të ngushtë.

Sigurisht xhepi dhe shija të çon te një kategori tjetër: siç thamë, preferenca, që në gjuhën e sociologjisë është selektimi.

Kjo arrihet duke krahasuar mallrat e ndryshme të konsumit të së njëjtës nevojë. Këtu kemi tri dimensione tani: konsumatori, xhepi i tij dhe produktet në skenë (të ofruarat).

Një produkt zgjidhet në krahasim me një tjetër;  variable e të njëjtit mall. Villar dhe Varian, dy autorë të referuar nga autorët tanë, krijojnë një seri aksiomash mbi preferencat që lejonë  vazhdimësinë e ekzistencave  të mallrave, i japin perspektivë dobie atyre.

Preferencat janë të plota ose të pjesshme, zgjedhjet bëhen në krahasim gjithmonë me një variant tjetër, të preferuar ose jo, malli,  të mundshëm për t`u blerë ose të paarritshëm për blerësin. Pra preferenca për njerin mall, është indiferencë për tjetrin. (I gjithë ky është edhe një procedim i mundësive logjike të qasjes sipas binarit: po dhe jo, 0 ose 1).

Preferenca e vazhdueshme ndaj një malli  sjell edhe perspektivën e dobisë së tij në fokusin e programuesit të mallrave në treg, privat apo shtetëror. Funksioni i dobisë, sikurse e shohim është i lidhur me atë të vazhdimësisë.

Përshtypje më bën se në fushën e shkencës së mikroekonomisë shumë terma marrin një vlerë tjetër kuptimore, ngadonjëherë edhe të kundërtën e vlerës që kanë në jetën normale. Përvec konceptit punë  që sapo treguam që shënohet si vlerë negative, kemi edhe konceptin e monotonisë.

Në psikologji monotonia shikohet si diçka e dëmshme për shëndetin nervor. Kurse në konceptin mikroekonomik, monotonia është vazhdimësia e preferencave për të njëjtin mall, që do të thotë se dobia e tij është pozitive.

Kështu mallrat mbeten nën testimin e konsumatorit, të dëshirimit dhe  të mundësisë së blerjes prej tij. Ato janë të dëshirueshëm ose të padëshirueshëm. Kemi këtu për mosdëshirimin konceptin e indiferencës.

Kuba e indiferencës në funsionin e përzgjedhjes paraqet një nivel të caktuar mirëqenieje, çka parakupton se nuk është thjesht shija që përcakton trendin kundrejt mallit por edhe mundësia financiare për ta rrokur atë.

Ky korelacion krijon sipërfaqen sociale, totale ose të grupeve, të shportave, prej të cilave rezulton hapësira e zgjedhjes, që ndryshe do ta quaja frekuencën e konsumit të llojeve të produkteve në treg me identitetin e tyre përkatës. Plotësinë, më në fund.

Plotësia, refleksiviteti dhe transitiviteti varen nga sa të dëshirueshme ose jo janë kategoritë e mallrave prej konsumatorit. Preferencat mund të jenë vijëdrejta (lineare), mund të jenë konvekse, tradicionale etj. Preferenca dhe indiferenca japin input informativ për tregun.

Përveç  faktit se ky kërkim shkencor në formën e këtij teksti pasuron shkollën tonë me një lëndë kaq të domosdoshme dhe njëherësh edhe profesionale për studentët të ekonomiksit, siç vura në dukje, veçoria e saj është fjalori thuajse poetik që përdoret për zhvillimin e koncepteve, që e bën shoqërimin e ideve lehtësisht të tretshëm dhe aq tërheqës, saqë lexuesi harron se është përfshirë në një objekt të shkencave ekzakte.

Valencat e reja të kuptimeve që marrin fjalët që përcaktojnë konceptet, që duken thuajse si metafora të mbulimit të relacioneve mikro-ekonomike, të konsumatorit me mallra, dhe në bazë të kësaj, të programimit perspektiv të jetës tyre, proces ky ekonomik, social dhe individual, ashtu si dhe politik e manaxherial,  sjellin fokusin interpretativ kaq natyrshëm drejt studentit, duke e bërë formën konceptuale të tij përgjatë marrjes së lëndës, një proliksitet kënaqësie në një fushë tërësisht profesionale.

Teoria e Mikroekonomisë së avancuar mund të shërbejë edhe për studentët e doktoraturës. Puna disavjeçare e autorëve të tij si dhe fakti që ai është thuajse tekst unik i këtij lloji në fushën e ekonomiksit për kulturën tonë universitare, i jep përparësi vlere. Libri mbyllet me përshkrimin e ekuilibrit të përgjithshëm, por në vetvete ai është një lëndë aq komplekse e shpjeguar me maksimumin e thjeshtësisë dhe poetikë metaforike. Dua të falenderoj autorët e UMSH me këtë rast, por edhe ata  të UET, për  tekstet dhe monografitë që përgatisin për studentët tanë.

1 koment për këtë artikull
  1. Alqi Naqellari at 7:55 pm

    Kur ti morre Tekstin Moza, une te pash dhe thashe, “Cfare dreqin mund te shkruaj nje poete per nje liber mirefilli ekonomie ku perdoren me shumice derivatet, integralet, matricat etj, metoda matematike, statistike e ekonometrike. ” Ne fakt kam qene i gabuar sepse Mikroekonomine e kam pare vetem si nje lende qe mund ta interpretojne ekonomistet por kursesi nje shkrimtare poete apo studjuese e shkencave shoqerore. Ti ke arritur te besh nje interpretim shume te bukur qe me habiti. E lexova me shume vemendje dhe me erdhi keq qe mbaroj, por me ato qe lexova, jam i bindur se ti do vazhdosh te shkruash edhe me tej. Kur arrite te interpretosh kurben e indiferences, monotonine etj, atehere ti fare bukur mund te interpretosh edhe optimalitetin ne percaktimin e sasise se faktoreve per maksimizimin e fitimit. Nuk dua te zgjatem por ndjehem i befasuar. Faleminderit Moza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *