Marshimi i shoqatave të biznesit: T’i themi jo informalitetit

Postuar më: 12 October 2017 11:13

“Për një ekonomi më të drejtë”. Me këtë slogan do të marshohet sot në Tiranë. Kësaj radhe nuk janë sindikatat apo shoqëria civile, por është biznesi që me këtë iniciativë kërkon të sensibilizojë të gjithë qytetarët për rëndësinë e luftës kundër informalitetit.

Një grup shoqatash të biznesit të prira nga Bashkimi Tregtar i Shqipërisë dhe bizneset shqiptare dhe të huaja, me mbështetjen e gjerë në publik organizojnë marshimin e parë të sipërmarrjes së lirë.

Sipas një njoftimi të shoqatave të biznesit “Më 12 Tetor, në Bulevardin ‘Dëshmoret e Kombit’, nga ora 15:00 deri në orën 16:00 marshohet me moton ‘Për një ekonomi më të drejtë’, duke i thënë JO informalitetit në biznes”.

Sipas organizatorëve, marshimi ka si qëllim sensibilizimin e opinionit të gjerë publik ndaj efekteve negative të fenomenit të informalitetit dhe nevojës për të luftuar bashkërisht çdo formë të tij, e kudogjendur në ekonominë shqiptare.

Marshimi do të ketë edhe simbolikën e vet. Të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me një tullumbace të zezë si një gjest simbolik, duke krijuar kështu të gjithë bashkë një njollë të zezë (informalitetin), njollë e cila përfaqëson “paradën” e përditshme në qiell të hapur të këtij fenomeni negativ në vendin tonë. Në fund të këtij aktiviteti pjesëmarrësit do të ftohen të kryejnë gjestin e tyre simbolik, të plasin tullumbacen e zezë si revoltë ndaj këtij shqetësimi të çdo aktori në vend.

Nisma është ndërmarrë nga Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”(BTSH) dhe mbështetet nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Shoqata “Albanian Food Industry” (AFI), Qendra për Eksportet Shqiptare (AlbExport).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *