Kundër informaliteit/ Shoqatat e bisnesit, protestë në sheshin ‘Nënë Tereza’

Postuar më: 12 October 2017 16:11

Dita ndërkombëtarë kundër informalitetit mblodhi sot në një protestë të pazakontë, përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe qindra qytetarë për të manifestuar kundër informalitetit në Shqipëri.

Kjo e fundit konsiderohet si një ndër vendet më problematike në botë, për sa i përket nivelit të informalitetit që shkon deri në 35%.

Përfaqësuesit e shoqatave të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë, folën para protestuesve, ku dhe theksuan domosdoshmërinë e luftës kundër informalitetit, si domosdoshëmri për konsolidimin e ekonomisë shqiptare.

“Informaliteti është një ndër pengesat kryesore për të gjitha reformat që synojnë rritjen e konkurrencës, forcimin e klimës së biznesit, për të konsoliduar një ekonomi evropiane e cila deri tani nuk është funksionale, sipas standarteve evropiane. Lufta kundër informalitetit është jo vetëm sfida e qeverisë, por e të gjithë atyre që janë biznese të ndershme, përkundrejt bizneseve të pandershme.

Nga ky podium i bëjmë thirrje sipërmarrjes shqiptare që të formalizojë çdo aktivitet dhe veprim ekonomik, që të kontribuojmë sëbashku dhe të krijojmë një kulturë për pagesën e taksave, si të vetmen rrugë që mund të na çojë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik”,- tha Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, profesor Ardian Civici, theksoi se: “Një ekonomi informale është një ekonomi e sëmurë dhe kur një ekonomi është e sëmurë, natyrisht që askush nuk përfiton por të gjithë humbasin, kush më pak e kush më shumë”.

“Kur një vend si Shqipëria me përqindje informaliteti 30 apo 35% klasifikohet ndër vendet më problematike të botës, kuptohet qartë se çfarë investimesh mund të presim, çfarë planesh të suksesshme biznesi mund të bëjmë.

Si kapitali dhe sipërmarrja mund të zhvillohet, e si bankat mund të jenë të sigurta me bilancet që paraqesin ata që kërkojnë kredi dhe si shumë të varfër ose jo të varfër që kërkojnë të përfitojnë nga politikat sociale, mund të kenë shpresë që në favor të tyre mund të jenë ato fonde e politika që nevojiten”,- tha Civici.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *