Kateksi, përsosmëria dhe vazhdimësia

Postuar më: 07 October 2017 14:06

Nga Mimoza Ahmeti

Një nga dallimet pseudoesenciale të qenies njerëzore është fuqia për të përcaktuar. Them pseudo, pasi përcaktimet janë vazhdimisht në ndryshim, çka e bën sistemin racional një lëvizje ose proces. Ne jemi arsyetues(racionalë), më tha një poet lirik nga Franca. “A jemi vallë?”, -iu përgjigja.

Po si vjen në arsye njeriu? Si realizon ai fuqinë për të arsyetuar?

Profilet mentale formohen që në fëmijëri. Ato bëhen të mundura nga disa forma të gatshme që quhen katete. Katetimi është një proces orientimi, virtual, pra nëpërmjet medias së mendimit, që orienton njeriun në shoqëri dhe natyrë. Ky orientim krijon dispozitat e sjelljes, që dikur e quanim me termin “koshiencë”.

Në një pikë të caktuar orientimi të vazhdueshëm sjelljet kthehen në zakon dhe mendja nuk mendon më. Pikërisht këtu njeriu është automatizuar dhe reflektimi ia lë vendin reflesivitetit.

Instanca e parë e formimit të orientimit të qenies së ardhshme, fëmijës, pak a shumë është familja ose mëma. Këtu fëmija merr formë, orientohet, katetohet. Më pas qenia kalon në të tjera formime, sociale dhe të lira, ku katetimi apo tutorimi i lëndës neutrale komplikohet, falë kompleksitetit dhe implikimit të kuptimit në raport me jetën individuale.

Lacan, në përmbledhjen e shkrimeve të tij me të njëjtin titull, Shkrime, fillon me leksionin e stadit të pasqyrës, pra, pasqyrimit te fëmija. Ai rrok pothuajse diçka më pak se tri vitet e para të formimit të fëmijës, ku fillimet e këtij formimi që janë disi të mjegullta, spontane dhe autonome, por arritëse aq sa që fëmija të njohë veten, që pastaj sa vijnë e i nënshtrohen drejtimit të kuptimit të botës prej të rriturve, për të hyrë në komunikim, ku bashkë me hyrjen thyhet edhe individualiteti, sipas idesë lakaniane. Kështu uni bëhet nga tjetri dhe tjetri vepron si uni personal dhe historia vazhdon nëpër fate njeriu dhe njeriu nëpër histori.

E bëj këtë parantezë, pasi letërsia është një nga burimet kryesore nga furnizohet besimi dhe katetimi, pra krijimi dhe vazhdimësia e kuptimeve individuale dhe grupore të thirrura nga forca kreative e artistit dhe mjedisit. Elementi emocional që shoqëron aktin racional në literaturën artistike ka për këtë arsye një ndikim të fortë te subjekti që e takon. Me rëndësi mbetet përmbajtja letrare në orientimin e besimit dhe eksplorimin e rrënjëve të tij. Gjenerimi i ideve është edhe një herë hapësirë dimension. Ai përshin dhe ndan. Përfshirja është më e rëndësishme se ndarja, megjithëse kjo e fundit është kushti i dallimit.

Derrida në mënyrë të hapur flet në një nga esetë e tij social-filozofike rreth “Violencës së dritës”, që do të thotë se frymëzime që vijnë nga besime, kanë karakter pjesor përgjithësimi, megjithëse në bazë të principit vetjak që orienton mendimin, duket sikur arsyetimi është i plotë. Kështu historia vazhdon në fate njerëzore dhe fatet njerëzore historizohen, pa mundur të jetojnë plotësisht të përjashtuarën edhe pse tentojnë të kuptojnë atë.

Të njëjtin arsyetim gjejmë në një poezi të Kavafit, në të cilin ai aludon se druhet të shkruajë një tjetër poezi të re, pasi ka frikë se mos hapë një dritare në errësirë.

Nga kjo pikëpamje, procesi i shënjimit, pra, i signifikimit, bëhet edhe një proces përgjegjësie ndaj mjediseve njerëzore dhe mjediseve të tjera.

Katetimi dhe formimi, janë procese sociale dhe individuale. Investimi në egon individuale ka një lidhje të hapur me trashëgimet dhe pritshmëritë sociale. Investimet e një forme të caktuar mendimi a perceptimi gjenden edhe në hapësirën qytetare. Përtej materiales, ato përmbajnë forma dhe ndjeshmëri të një lirie dhe përsosmërie artistike, arkitektonike, që variojnë në civilizime të ndryshme, madje edhe në ato bashkëkohore.

Tendenca e formës është që ajo të përsosë veten, të arrijë maksimumin e saj. Pavarësisht autorësisë së një forme të përsosur investimi e katetimi, le të themi të një arkitekture apo poezie apo çfarëdo mendimi, grumbullime në kohë të përpjekjeve për të, kanë shërbyer si mjedise kumulore që përsosmëria e formave, të cilat mund të jenë ide, arkitektura, veshje, mënyra jetese e perceptimi, të rrjedhin me tendencën e vazhdimësisë të asaj që është gnomon, mesatarja më e mirë e përgjithshme e një bote a forme që vjen në shprehje.

Ajo që është interesante e që do të mbetet misteri i ritrajtimit të kulturave, është se ato kanë nevojë për njerëz. Asnjë kulturë nuk mund të mbajë veten pa njerëz. Por këtu fshihet edhe kontradikta, midis përsosjes dhe vazhdimësisë.

Kulturat me qëllim përsosjen e humbin ndjeshmërinë ndaj riprodhimit biologjik. Atëherë ato transfuzohen nëpër kultura të tjera, përzihen dhe ritrajtohen, duke shkrirë profilet absolute.

Natyrisht, njeriu është linja e fundit dhe e parë në marrëdhënien e Shpirtit me ekzistencën e tij. Mjetet që ka prodhuar Shpirti për të formuluar njeriun e pastaj për të proceduar nëpër të, janë kaq komplekse, iluzore dhe njëherësh të fortifikuara nga besimi. Por ato reduktohen e riformulohen sa herë që përfshirja rritet në botën Shpirtit dhe sa herë që e përjashtuara bëhet pjesë.

Principi i jetës së koshiencës, ai human, animimi i trupit nëpërmjet mediatizimit të tij prej shpirtit, inkorporimi real i njeriut, Shpirti, që shpesh shikohet si i ndarë nga njeriu dhe vdekja, si koshiencë e përngjitur trupit dhe e kundërvënë ndaj lëndës, si forcë pothuajse supernatyrale që formulon qenien, që është në një vendësi të pakapshme, virtuale, në një banim të një karakteri të veçantë, një engjëll apo demon, një qëndrim a frymëzim që vesh, ngjall, përhap mendimin, ndjenjën, aksionin, një agjenci thuajse divine që prek zemrën e njeriut, një person thuajse i mëvetshëm, një sentiment që na shtyn, na ekzalton a deprimon, dispozita jonë e shkëlqyer, që na kurajon, qëllimon, trimëron, humori i shpirtit tonë, dominimi, nënshtrimi, ringjallja e tij, amplifikimi prej kuptimit e riverberimit në grupime, kimia e tij, esenca aktive e tij, distilimi i tij në sublimime, fluiditeti i tij, graviteti i tij mbi trupin, misteri i zgjedhjes dhe zgjidhjes së tij, shenjat, kodet, ritualet e tij, pafundësia dhe kufijëria e tij, jo thjesht për dallim sesa për strukturë, jo thjesht për strukturë sesa për komunikim, për të përsosur dallimin derisa ai kurbëzohet në kërkim të mishërimit, të gjitha këto, janë elemente të një procesi shumëfytyrësh karakterial, që kërkon pafundësinë e momentit të krijimit në tranzicionin njerëzor dhe prek tranzicionin e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *