Disa veçori të epokës së dezinformimit

Postuar më: 11 October 2017 10:02

Ne jemi duke jetuar në një botë të re të dezinformimit. Sa kohë që vetëm furnizuesit e tij kanë të dhënat që ne kemi nevojë për ta kuptuar, përgjigjet që japim do të mbeten të pamjaftueshme. Dhe këto reagime mund të përfundojnë duke bërë më shumë dëm se sa mirë. Kelly Born shkruan për veçoritë bazë të kësaj epoke dezinformimi.

Nga Kelly Born

Shqetësimet për përhapjen e dezinformatave, keqinformimit dhe propagandës kanë arritur pikën ku, shumë qeveri po propozojnë legjislacion të ri. Por zgjidhjet që ofrohen pasqyrojnë një kuptim jo të mjaftueshëm të problemit – dhe mund të kenë pasoja negative, ndonëse të paqëllimshme.

Në qershorin e kaluar, parlamenti i Gjermanisë miratoi një ligj që përfshin një gjobë deri në 50 milionë euro (59 milionë dollarë) për faqet e njohura si Facebook dhe YouTube, nëse nuk heqin përmbajtjen “e dukshme të paligjshme”, siç është gjuha e urrejtjes dhe nxitja e dhunës, brenda 24 orëve. Singapori ka bërë të njohur planet për të miratuar legjislacion të ngjashëm vitin e ardhshëm, për të trajtuar “lajmet e rreme”.

Në korrik, Kongresi i SHBA miratoi sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë, pjesërisht si përgjigje ndaj sponsorizimit të fushatave të dezinformimit, që synonin të ndikonin në zgjedhjet e SHBA. Dialogu midis Kongresit të SHBA-së dhe Facebook-ut, Twitter-it dhe Google është intensifikuar në javët e fundit, pasi janë shfaqur prova të qarta, të blerjes së reklamave në këto media sociale, ana e subjekteve ruse.

Një veprim i tillë është jetik nëse duam të thyejmë rrethin vicioz të dezinformimit dhe polarizimin politik, që dëmton aftësinë e demokracisë për të funksionuar. Por, ndërkohë që këto ndërhyrje legjislative kanë të bëjnë me platformat digjitale, shpesh nuk arrijnë të marrin parasysh të paktën gjashtë mënyra, me të cilat dezinformimi dhe propaganda e sotme ndryshojnë nga ato të kohëve të dikurshme.

Së pari, është demokratizimi i krijimit dhe shpërndarjes së informacionit. Siç e vuri në dukje kohët e fundit Rand Valtzman, i Agjencisë së Kërkimit të Projekteve të Avancuara për Mbrojtjen, çdo individ apo grup tani mund të komunikojë – dhe si pasojë të ndikojë – me një numër të madh personash dhe grupesh të tjerë në internet. Kjo ka përfitimet e saj, por gjithashtu mbart rreziqe serioze – duke filluar me humbjen e standardeve gazetareske të ekselencës, siç janë ato që zakonisht zbatohen brenda organizatave tradicionale të medias. Pa “rojtarët” tradicionalë të mediave institucionale, diskursi politik nuk bazohet më mbi një grup të përbashkët faktesh.

Tipari i dytë i epokës së informacionit digjital – një nënprodukt i drejtpërdrejtë i demokratizimit – është socializimi i informacionit. Në vend që ta marrim informacionin tonë drejtpërdrejt nga “rojtarët” institucionalë, të cilët, përkundër ekzekutimit shpesh me të meta, ishin në themel të përkushtuar, për të përmbushur standardet editoriale, sot ne e marrim atë nëpërmjet ndarjes mes njerëzve.

Rrjete të tilla mund të forcojnë përmbajtjen bazuar në faktorë të tillë si klikimet apo angazhimi mes miqve, dhe jo saktësia apo rëndësia. Veç kësaj, informacioni që filtrohet përmes rrjeteve të miqve, mund të rezultojë në një sallë për jehonë lajmesh, që përforcon paragjykimet e veta (edhe pse ka shumë paqartësi se sa problem i madh mund të jetë kjo). Kjo nënkupton gjithashtu se njerëzit të cilët, përndryshe do t’i konsumonin lajmet në mënyrë të moderuar, tashmë vërshohen prej polemikave dhe debatit politik, duke përfshirë pozicione ekstreme dhe fakte të gënjeshtërta, të cilat e rrisin rrezikun e keqinformimit, ose polarizimit të një pjese të madhe të publikut.

Elementi i tretë i peizazhit të sotëm të informacionit është atomizimi – ndarja e lajmeve individuale  nga marka ose burimi. Më parë, lexuesit mund të dallonin lehtësisht burime jo të besueshme, si tabloidët shumëngjyrësh dhe të bujshëm në radhën e daljes në supermarket, dhe ato të besueshme, siç janë gazetat lokale ose kombëtare. Sot, një artikull i ndarë nga një mik ose anëtar i familjes nga Nju Jork Tajms mund të mos duket aspak i ndryshëm, nga një i nxjerrë prej një blogu me teori konspiracioni. Dhe, siç ka gjetur një studim i kohëve të fundit nga Instituti Amerikan i Shtypit, burimi origjinal i një artikulli ka më pak rëndësi për lexuesit, sesa kush në rrjetin e tyre e ka ndarë atë.

Elementi i katërt që duhet të shërbejë për të informuar, luftën kundër dezinformimit është anonimiteti në krijimin dhe shpërndarjen e informacionit. Lajmeve online shpesh u mungon jo vetëm një markë, por edhe një kokë. Kjo errëson konfliktet e mundshme të interesit, krijon bindje të besueshme për aktorët shtetërorë që të ndërhyjnë në mjedise të huaja të informimit, dhe krijon një terren pjellor për lulëzimin e të ashtuquajturave bot-e.

Një studim i vitit 2015 zbuloi se bot-et (aplikacione që kryejnë veprime të automatizuara, në këtë rast shpërndarje informacionesh online) gjenerojnë rreth 50% të të gjithë trafikut të uebit, me deri 50 milionë përdorues në Twitter dhe 137 milionë përdorues të Facebook, që shfaqin sjellje jonjerëzore. Sigurisht që ka bot-e “të mira”, të themi, që ofrojnë shërbime për konsumatorët, ose përditësime në kohë reale. Por ka edhe shumë aktorë të këqij, që “luajnë” me sisteme informimi online, për të promovuar pikëpamje ekstreme dhe informacione të pasakta, duke u dhënë atyre një pamje popullariteti dhe pranimi të gjerë.

Së pesti, mjedisi i sotëm i informacionit karakterizohet nga personalizimi. Ndryshe nga homologët e tyre në shtyp, radio apo edhe televizion, krijuesit e përmbajtjeve në internet mund të kryejnë teste A / B dhe të përshtatin mesazhet, duke bërë mikrotargetim në kohë reale.

“Duke përdorur manipulimin e automatizuar emocional së bashku me bot-et, postimet e errëta në Facebook, testimet A / B dhe rrjetet e rreme të lajmeve”, sipas një ekspozeje të kohëve të fundit, grupe si Cambridge Analytica mund të krijojnë propagandë të personalizuar, të përshtatur dhe që në fund krijon varësi. Fushata e Donald Trump maste reagimet për 40-50.000 variante reklamash çdo ditë, e më pas i “ujdiste” mesazhet në përputhje me rrethanat.

Elementi i fundit që ndan ekosistemin e sotëm të informacionit nga ai i së kaluarës, siç e ka vërejtur profesori i Stanford Nate Persily, është sovraniteti. Ndryshe nga televizioni, printimi dhe radioja, platformat e mediave sociale si Facebook ose Twitter janë vetërregulluese – dhe nuk janë shumë të mira në këtë punë. Përkundër polemikave të javëve të fundit në lidhje me fushatën në SHBA, asnjëra platformë nuk ka konsultuar ende ekspertë kryesorë, duke u përpjekur që t’i zgjidhë problemet brenda vetes. Deri në mes të shtatorit, Facebook nuk ra dakord të zbulojë informacione rreth reklamave të fushatës politike; ende refuzon të ofrojë të dhëna për forma të tjera të dezinformimit.

Është kjo mungesë e të dhënave që dëmton reagimet ndaj përhapjes së dezinformatave dhe propagandës, për të mos përmendur polarizimin politik dhe tribalizmin që ato ushqejnë. Facebook është fajtori kryesor: me një mesatare prej 1.32 miliardë përdorues aktivë të përditshëm, ndikimi i tij është masiv, pasi kompania refuzon t’u japë studiuesve të jashtëm qasje në informacionin e nevojshëm, për të kuptuar pyetjet më themelore në kryqëzimin e internetit dhe politikës. (Twitter ndan të dhëna me kërkuesit, por mbetet një përjashtim.)

Ne jemi duke jetuar në një botë të re të dezinformimit. Sa kohë që vetëm furnizuesit e tij kanë të dhënat që ne kemi nevojë për ta kuptuar, përgjigjet që japim do të mbeten të pamjaftueshme. Dhe këto reagime mund të përfundojnë duke bërë më shumë dëm sesa mirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *