Debati me prokurorët: Përgjigjia ‘e sinqertë’ dhe një moment sikleti

Postuar më: 20 October 2017 13:08

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht ata të majtë, debatuan me prokurorët e pranishëm në sallën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit të deputetit Saimir Tahiri.

Fillimisht pati një moment pështjellimi në sallën e Kryesisë së Kuvendit, që ka ardhur nga një përkufizim jo i saktë i kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në një moment prokurori Besim Hajdarmataj tha se ‘ne nuk jemi këtu për arrestimin e zotit Tahiri pasi, nuk jemi gjykata’.

Kjo deklaratë u duk se ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve dhe kamerat kapën ish-ministrin Tahiri që ngriti kokën.

Kjo e ka shtyrë edhe deputetin e PS, Ulsi Manja që t’i bëjë pyetjen prokurorit: “A keni ardhur këtu për të kërkuar heqjen e mandatit të z. Tahiri apo për të kërkuar arrestimin e tij”.

Saimir Tahiri e ka ulur sërish kokën kur prokurori ka ripërkufizuar kërkesën e tij ‘kemi ardhur për të kërkuar heqjen e mandatit, arrestimin, dhe lejen për të kontrolluar banesën dhe vende të tjera’.

Hajdarmataj shtoi se ai kishte patur në mend faktin se Këshilli dhe Prokuroria nuk janë gjykatë, por jo se kërkesa e tyre nuk ishte për arrestimin.

Deputeti socialist Ulsi Manja ishte shumë insistues tek fakti se procedimi pendal ndaj Tahirit ka nisur vetëm me datë 17 tetor.

Manja tha se Prokuroria është bazuar në lajmet e gazetave dhe portaleve.

Prokurorët thanë se kanë provat e tyre, duke u mbrojtur vazhdimisht me faktin se jo gjithçka mund ta bëjnë publike, pasi është sekret.

Të pyetur nga deputetët socialistë nëse në aktet e përcjella nga pala italiane rezulton që Saimir Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Katanias, prokurorët u përgjigjën: “Në aktet e përcjella deri në këto momente nuk figuron një gjë e tillë”.

Megjithatë, Prokuroria thotë se ka dyshimin e arsyeshëm për të bazuar kërkesën e saj për arrestimin e Tahirit.

“Ka disa detaje që krijojnë dyshimin e arsyeshëm për faktin penal dhe kërkesa jonë është bazuar në dokumentacionin që zotërojmë dhe në arsyetimin ligjor. Ekziston rreziku i prishjes, apo dëmtimit të provave”, deklaron Prokuroria.

Aktive ishte sidomos deputetja Vasilika Hysi dhe prokurorja Elisabeta Ymeraj.

Hysi e pyeti prokuroren Ymeraj, duke theksuar se ajo sapo ka marrë titullin Doktor në shkencat juridike, që të japë një përgjigje të sinqertë se sa është e bindur në kërkesën që po bëjnë.

“Nuk e marr pyetjen si intimiduese, pasi me keni dhënë mësim. Ne i qëndrojmë kërkesës së bërë. Nuk kemi ardhur këtu me dy mendje. Prokuroria ngre akuzë, është gjykata ajo që vlerëson tërësinë e të dhënave konkrete. Kjo nuk lidhet me atë që unë mendoj, por me atë që një grup prokurorësh ka konkluduar. Ne e kemi parë të arsyeshme, të bazuar në prova dhe ligj për të ardhur këtu.

Nuk është pak që të kapen 4 ton drogë në Shqipëri apo 3.5 ton drogë në Itali nga të njëjtët persona të dyshuar. Lënda narkotike e sekuestruar, pa i hyrë detajeve që flitet për kanabisizëm të Shqipërisë, i qëndruam kërkesës së bërë,” tha Ymeraj.

Pas momenteve të tensionit, deputeti demokrat Eduard Halimi u bëri thirrje deputetëve të majtë: “Ndalni gjyqin ndaj prokurorëve”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *