Beton e hekur në Butrint me lejen e shtetit, UNESCO nuk di gjë

Postuar më: 11 October 2017 10:51

Thellohet skandali i ndërtimit të disa objekteve shërbimi brenda Parkut Kombëtar të Butrintit. Reagojnë specialistë të trashëgimisë kulturore dhe PD: Objektet në shkelje të ligjit, prokuroria të pezullojë punimet. Drejtoresha e UNESCO-s, në pritje të materialeve shtesë mbi objektet që po ndërtohen.

Butrinti iu mbijetoi sulmeve të ushtrive të huaja, bëri luftë me kohën, përballoi histerizmin kolektiv të vitit 1997, por nuk po i bën ballë ndërtimeve të reja. Bëhet fjalë për ndërtimin e disa pikave të shërbimit brenda zonës së mbrojtur në Parkun Antik të Butrintit. Ndonëse ligji e parashikon që nuk mund të lejohen ndërtime pranë zonave arkeologjike të mbrojtura, ky objekt që po lartëson dita-ditës ka leje nga të gjitha institucionet dhe mban firmën e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Për këtë çështje dje ka reaguar edhe Partia Demokratike, ku nëpërmjet deputetes së saj Albana Vokshi e konsideroi atë që po ndodh në Parkun e Butrintit, të mbrojtur edhe nga UNESCO, si skandal. “Arkeologë e profesionistë të shquar të fushës, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, kanë denoncuar me forcë mënyrën skandaloze të vendimeve të marra për një ndërtim nga ministrja e Kulturës pranë një muri prehistorik, që daton në shekullin VII dhe V para Krishtit, ku ndërtimet janë kategorikisht të ndaluara. Procedura e dhënies së lejeve nga ana e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë e më pas nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (të dy të kryesuar nga Ministrja vetë) janë në shkelje totale të ligjit”, -tha deputetja Vokshi. Për të hedhur më shumë dritë mbi dhënien e lejes dhe ndërtimit me hekur, beton e tulla, ditën e sotme është thirrur ministrja Kumbaro në një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar. Përtej asaj që pritet të thotë numri një i Ministrisë së Kulturës, shqetësimi është më se serioz, pasi Parku Kombëtar i Butrintit është pjesë e UNESCO-s që nga viti 1992. Institucioni që mbron trashëgiminë kulturore botërore në këtë rast është po aq në terr, sa pjesa më e madhe e qytetarëve. Mediat nuk lejohet që të shkojnë pranë zonës ku po nderohet, ndërsa vetëm një video që po qarkullon ka zbuluar disi atë që specialistët e quajnë skandal.

Qëndrimi i specialistëve

Nëse çështja do të shihet përciptas mbi gjykimin e procedurave burokratike shtetërore ata janë në rregull, pasi mbajnë firmën e dy institucioneve kryesore si Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, (përkatësisht KKA dhe KKR). Që të dyja janë shprehur për ngritjen e objekteve të shërbimit brenda parkut, por në kërkesën e paraqitur mungojnë detajet e projektit dhe për më tepër zona ku do të ngrihen objektet e reja. Mendohet të jetë një kompleks shërbimesh që nga shitoret e pijeve freskuese, deri në restorante dhe objekte të tjera më të vogla kinkalerike. “Çdo projekt i miratuar nga KKA dhe KKR duhet të përcaktojë saktësisht qëllimin, kohëzgjatjen, vendndodhjen e strukturës brenda zonës, si dhe planprojektin e saj. Ndërtimet nga ana e subjekteve të interesuara lejohen vetëm pasi Agjencia e Shërbimit Arkeologjik të ketë kryer një vëzhgim intensiv të terrenit dhe më pas vijon me realizimin e sondazheve arkeologjike apo nëpërmjet formave të tjera të testimit (studime gjeofizike, regjistrim digjital i terrenit etj.), në varësi të potencialit, që përfaqëson zona me miratimin e KKA”. Kjo është një pjesë e rregullores për dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura, por në këtë rast specialistë të arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore ngrenë shqetësimin se ka shkelje të rënda, pasi është provuar se materialet që po përdorën janë hekur, beton dhe tulla. Ndërkohë dje reagoi edhe arkeologu i njohur Neritan Ceka, i cili kërkoi që prokuroria të ndërhyjë dhe urdhërojë menjëherë ndërprerjen e punimeve, deri në zbardhjen e plotë të lejes së ndërtimit dhe të mos lejohet shkatërrimi i mëtejshëm i Parkut Kombëtar të Butrintit. Skandali u zbulua disa ditë më parë kur u bënë publike pamjet absurde ku punëtorët derdhnin beton e shtronin hekur në ndërtimin e këtij objekti i cili ndodhet fare pranë mureve antike të Parkut të Butrintit. Nga ana procedurale që të gjitha institucionet si KKA dhe KKR, kanë dhënë miratimin për ndërtimin, por kjo procedurë ka kaluar në parim dhe jo konkretisht se cili do të jetë planvendosja, hapësira që do të zërë, materiali që do të përdoret dhe mbi të gjitha, a dëmton zonën arkeologjike përreth. Leja është dhënë në maj të këtij viti, por punimet nisën dhjetë ditë më parë, kur u panë mjete të rënda të futeshin me hekur, çimento dhe tulla brenda zonës së Parkut të Butrintit.

UNESCO nuk ka dhënë leje

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, dr. Mechtild Rössler, drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, pohon se nuk është vënë ende në dijeni zyrtarisht mbi atë që po ndodh në Butrint. “Në vëmendjen tonë kanë ardhur disa artikuj nga media. Ne kemi kërkuar informacion shtesë më 9 Tetor 2017 nga autoritetet kombëtare përgjegjëse për ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore nëpërmjet Delegacionit Permanent të UNESCO në Shqipëri. Qendra e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore është njoftuar rreth aktivitetit për të cilin ju pyesni në fund të javës së shkuar. Ne më 9 Tetor 2017 kemi dërguar një letër tek autoritetet kombëtare shqiptare përgjegjëse, duke iu kërkuar më shumë informacion të detajuar për këtë projekt”, është shprehur Rossler. Ndërsa ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e pyetur këto ditë në lidhje me ndërtimet që po kryhen brenda Parkut të Butrintit është shprehur se më parë është marrë leje nga UNESCO. Ndërsa në këtë problem është përfshirë edhe politika në Butrint ende nuk janë pezulluar punimet dhe për më tepër nuk është bërë publike leja e dhënë dhe mbi të gjitha planimetria dhe projekti që pritet të zhvillohet.

 

Butrinti, parku që u pranua i pari në UNESCO

Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një nga zonat më të vizituara në vend, ku përfshin trashëgimi të larmishme të hershme kulturore. Është ndër parqet e rralla në Europë dhe pasuria e madhe arkeologjike dhe arkitekturore që gjendej në të, bëri që në vitin 1992 Butrinti të pranohet si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. “Në 1998-99 me mbështetjen e Ministrit të Kulturës së asaj kohe, z. Edi Rama, u hartua një projekt i ri për të promovuar Butrintin si një destinacion kryesor kulturor për ekoturizmin. Qëllimi i këtij projekti ishte zgjerimi i kufijve të Butrintit për të mbrojtur peizazhin lagunor dhe bregdetar, të përkufizuar si magjia dhe misteri i vendit”. Kështu thuhet në faqen zyrtare të web-it të Butrintit. Në Korrik 1998, me një vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Butrinti kalon në varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Krijohet Bordi i Butrintit me kryetar bordi vetë ministrin e Kulturës, si dhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Antik të Butrintit. Në korrik 1999 Ministria e Kulturës aplikon në UNESCO për zgjerimin e sipërfaqes së sitit, i cili miratohet në fund të vitit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, ku përfshihet dhe gjiri i Butrintit. Në 2000 Butrinti shpallet Park Kombëtar në mbrojtje të shtetit të zonës arkeologjike të Butrintit dhe UNESCO zyrtarisht zgjeroi sipërfaqen nga 20 ha që kishte qenë më parë në 29 km². Emërtimi si Park Kombëtar u bë me qëllim për mbrojtjen dhe konservimin e monumenteve historike dhe trashëgiminë e pasur mjedisore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *